Droga ‘pushton’ gjimnazet; shkolla e policia ‘dorëzohen’

569
Sigal

DURRËS/Mësuesit:Nxënësit largohen nga mësimi! Policia: E dimë fenomenin, po hetojmë!

Duket si një “kambanë” që ka vite që bie, madje, edhe shqetësim i drejtuesve dhe mësuesve në shkollat e mesme të qytetit bregdetar. Fenomeni i drogmenëve dhe përdorimit të drogave kryesisht në shkollat e mesme në Durrës nga adoleshentë, ka vite që përmendet si shqetësim në mbledhjet e DAR me drejtuesit e mësuesit e shkollave, në takimet me prindër, apo takime  shoqatash, madje, edhe në përvjetorë të ditës së luftës kundër drogës. Aktualisht, Durrësi ka disa shkolla të mesme, gjimnaze dhe shkolla të tjera të profilit  profesional, me stafe të mjaftueshëm mësuesish dhe drejtuesish, të përkushtuar, të cilët bëjnë shumë punë bindëse për të parandaluar dhe denoncuar fenomenin që po merr përmasa shqetësuese tek të rinjtë, kryesisht adoleshentët. Sipas një drejtuesi të një prej gjimnazeve të njohura në Durrës, “ka vite që fenomeni i drogmenëve është bërë sa shqetësues aq edhe i frikshëm për ne si mësues dhe auditorin, madje vetë prindërit, shpesh vijnë në mbledhjet e përdyjavshme  dhe na ankohen se, djali apo vajza kanë nisur rrugën e keqe, aman bëni diçka, por ky problem kërkon  angazhimin e të gjitha strukturave arsimore e qytetare”. Por ankesat e prindërve, mësuesit duket se kanë vendosur t’ia përcjellin drejtuesve të shkollave, apo duke njoftuar policinë, e cila  dërgon shpesh  agjentët e saj antidrogë, por edhe këta të fundit mjaftohen me kontrolle rutinë në klasa dhe ambientet e tjera. Shpesh kontrollet e tyre shtrihen në lokalet pranë shkollave të mbushura me nxënës të gjimnazeve, të cilët jo vetëm lënë orë mësimi, e prishin goxha para gjatë ditës, por atje bëjnë edhe pazaret e cigareve të hashashit. Problemi i drogave në shkollat e mesme apo i atyre që vijnë shpesh me krahët e nxirë në klasa, ka ngjallur shpesh shqetësimin e mësuesve dhe familjarë. Sipas disa mësuesve, të cilët për arsye të ndryshme nuk deshën të identifikohen në faqet e gazetës “shpesh ka qëlluar të na vijnë në klasa kryesisht djem apo edhe vajza që duken të përgjumur apo të shpërfytyruar, duke prishur orët e mësimit apo duke provokuar incidente të tjera, të vjen keq tek shikon nxënës të shkollave të mesme të katandisur në atë gjendje”. Duke pyetur në Urgjencën e Spitalit mësuam nga mjekët se, “po të shikosh regjistrat do të dallosh emra, që detyrimisht ne duhet t’i regjistrojmë me iniciale, sepse na quhet shkelje ligjore, të moshave nga 14 deri 19 vjeç, të cilët vijnë me urgjencë tek ne pasi marrin lloj-lloj drogash te pista apo kryejnë marifete të tjera duke rrezikuar shëndetin”. Sipas burimeve nga bluzat e bardha “Spitali aktualisht nuk ka një pavijon të posaçëm, ku të trajtohen drogmenët dhe shpesh ata që vijnë në gjendje kome, nisen drejt Tiranës, ndaj mbetet shumë e nevojshme të ngrihet një sektor i trajtimit të personave të droguar, pasi tek ne trajtohen sipas kushteve dhe mundësive tona, duke u bërë serume, qetësues etj.”.  Ndërkohë, statistikat policore e rendisin Durrësin tek qytetet me probleme të mprehta sociale, duke mos lënë pas numrin në rritje të drogmenëve adoleshentë. Sipas tyre, “mbi 1500 të rinj (meshkuj shumica) sot drogohen apo njihen si shpërndarës të drogave në periferitë dhe skutat e errëta te qytetit, si ish-vendstrehime, vagonë trenash te braktisur, automjete te braktisura etj. Por policia dhe sektori Antidrogë në Drejtorinë e Policisë mbetet akoma i pafuqishëm për t’i bërë “zap” adoleshentët drogmenë në qytetin bregdetar. Mbi  32 për qind e tyre sot janë autorë të krimeve si vjedhje, grabitje, plagosje madje edhe vrasje. Dhe kjo situatë e rënduar ka ardhur si pasojë e tolerimit që u është bërë atyre qysh në bankat e gjimnazeve, duke “trashur” vit pas viti vesin, i cili sot i ka katandisur ata në qenie të shpërfytyruara dhe tepër të rrezikshëm për shoqërinë. Drejtoria Arsimore nga ana e saj, mbetet e patundur në vendimet e saj për të parandaluar dhe drejtuar në rrugën e mbarë elementë që kanë rënë preh e grupeve që tentojnë ti joshin ata me droga. DAR ka kërkuar vazhdimisht në shkollat e mesme, praninë e policisë dhe agjenteve te Antidrogës, dhe raportime nga drejtuesit e shkollave për çdo rast shqetësues.