Elbasan /Veliaj falënderon KURUM për punësimin, por harron aksidentet dhe ndotjen e mjedisit

549
Sigal

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka zhvilluar dje një inspektim për rregullat e sigurimit në punë në Kompaninë Turke “Kurum International” në Elbasan. Në fakt, ministri Veliaj bëri shumë mirë që shkoi në Elbasan, bëri shumë mirë që shkoi të “vëllezërit” turq, për të parë sigurinë e të punësuarve aty. Por, a informua më parë ministri ynë për personat që kanë humbur jetën, apo janë aksidentuar gjatë punës në këtë kompani? A pyeti ministri për shëndetin e 2 punëtorëve të plagosur në Uzinën e Shkrirjes së Çelikut Agim Alia 47 vjeç dhe Luan Ajazi 56 vjeç, vetëm 4 ditë para se të shkojë atje në vendin e ngjarjes? Gjatë viteve 2012-2013 subjekti “Kurum International” është inspektuar gjashtë herë, nga ana e drejtorisë rajonale të Inspektoratit të Punës. Arsyet e inspektimit kanë qenë tre aksidente të ndodhura në kompaninë turke, përgjatë orarit të punës, por edhe ankesat lidhur me mosqenien e kushteve të punës, sipas standardeve të kërkuara. A i vuri re ministri ynë standardet e miqve të tij? A pyeti Veliaj se si ndihen familjarët e punonjësve që kanë humbur jetën për shkak të “realizimit” të standardeve për sigurinë në kushtet e punës nga kompania KURUM? Jo, Veliaj nuk ka përgjigje për këto pyetje, sepse ai është “shumë mirënjohës, pasi në këtë kompani punësohen 700 familje dhe në kushtet e krizës ekonomike kjo nuk është një gjë e lehtë”. Vërtetë nuk është gjë e lehtë punësimi, z. Veliaj, por aty punojnë njerëzit tanë, që kanë një familje dhe po lenë peng jetën e tyre për një “çapë bukë”. Vërtetë nuk është gjë e lehtë punësimi, por ata njerëz kanë të drejtën e sigurisë në punë. Ata kanë të drejtë njësoj si ju z. Ministër, të kenë komoditetin e sigurisë së jetës në punën që bëjnë. Ata kanë nevojë që shteti t’u jetë afër, prandaj dhe të votuan z.Veliaj. Po, le të kthehemi te inspektimi i ministrit Veliaj. Ministri, për të mos i rënë kot në qafë, përmendi edhe çështjen e ndotjes së mjedisit, duke u shprehur se “jam informuar pranë kësaj kompanie se të gjitha normat mjedisore po respektohen”. Në fakt ju z. Ministër duhet që të kishit marrë me vete edhe ministrin e Mjedisit për të shijuar panoramën e tymnajës së helmatisur që shkakton KURUM. Punëtorët dhe gjithë banorët e Elbasanit, z. Ministër, janë pjesë e ndotjeve nga tymi, gazrat dhe helmet që dalin nga oxhakët e prodhimit kinez të  viteve 1970 të  ish-Kombinatit Metalurgjik. A e dini ju z. Veliaj se Qyteti i Elbasanit, prej afro 10 vitesh, po përjeton ndoshta nivelin më të lartë të ndotjes, edhe se para 23  viteve, kur në punë ishin 17 fabrikat dhe uzinat  kineze të Kombinatit  Metalurgjik? A i pyete miqtë e tu turq, nëse e kanë vendosur sistemin e filtrave? Ku u informuat ju z. Veliaj për normat mjedisore që po respektohen? Nuk di ku e keni marrë këtë informacion, por është i rremë, z. ministër. Duhet t’i besoni më shumë protestave të banorëve të zonës dhe shqetësimet e tyre për këtë problem. Por, ju kishit shkuar për të shprehur mirënjohjen miqve turq. Ju zoti ministër në fakt jeni bërë që bëhet palë me ata që shkelin ligjin. Ju, në fakt  keni dalë kundër qytetarëve shqiptarë, jetës dhe shëndetit të tyre.

Veliaj dhe miqtë e tij turq

 Ka qenë ministri Veliaj që ka shoqëruar Kryeministrin Edi Rama në vizitën e tij të parë në Turqi. Ndërsa Drejtori i Spitalit Amerikan ka qenë përkthyesi zyrtar në këtë takim midis Ramës dhe Kryeministrit turk Erdogan. Në këtë kuadër duam t’i kujtojmë lexuesit dhe mbarë shqiptarëve se gjatë fushatës elektorale vetë ministri i sotëm Veliaj dhe ministri Braçe janë shprehur se do ta largojnë Spitalin Amerikan që ka uzurpuar hapësirat e Spitalit Ushtarak. Por mesa duket ,ky është një nga premtimet që nuk do të mbahen kurrë, pasi siç e thamë dhe më lart Drejtori i këtij spitali ka qenë përkthyesi i Ramës në bisedat kokë më kokë me Erdogan.