Droga në thasët me pleh kimik, bashkë me ish-kryetarin e komunës, arrestohen edhe djali me bashkëshorten

121
Sigal

Bashkë me ish-kryetarin e Komunës në Frakull të Fierit, Viktor Çervenaku, në pranga janë vënë edhe djali i tij, Demilson Çervenaku dhe nusja e tij, Enxhi Ferhati. Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin kolumbian Zaimir Rodriguez, që dyshohet se punonte te laboratori i ngritur pas banesës së Çervanakut.

Sasia e madhe e kokainës dyshohet se u sekuestrua dje në një aksion të policisë malazeze dhe asaj shqiptare. Sipas të njëjtave burime për gazetën malazeze “Vijesti”, kokaina, e fshehur në thasë me pleh artificial, është zbuluar nga policët malazezë në korrik, me ndihmën e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, pasi ngarkesa mbërriti në portin e Tivarit. Inspektorët e Sektorit kundër Krimit atëherë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit dhe kolegë nga Shqipëria, vlerësuan se mbanin nën vëzhgim dërgesën derisa të vinte porositësi për të, gjë që ndodhi dje.

Pas tre muajsh hetime, ku u angazhuan edhe ekspertë të Agjencisë Amerikane kundër Drogës (DEA) dhe prokurorë të Prokurorisë Speciale, u arrit të zbulohej edhe një laborator që merrej me përpunimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, në fshatin Fratar të Fierit në një banesë në pronësi të ish-kryetarit të Komunës Frakull e Madhe, Viktor Çervanaku. Ashtu siç bëjnë të ditur edhe mediat malazeze, kokaina ishte vendosur brenda plehut kimik për bimë. Gjatë mbrëmjes së shkuar, ekspertë të Policisë që kanë zbuluar laboratorin kanë transportuar me kamionë lëndën kimike për bimët, në të cilat dyshohet të jetë fshehur edhe kokaina. Ka qenë kjo lëndë, me anë të së cilës kamuflohej edhe transporti i kokainës, e cila transportohej nga Amerika Latine.

Në të njëjtën kohë, në portin e Tivarit nga ku edhe nisi hetimi me sinjalizimin e amerikanëve, janë kapur rreth 400 kilogramë lëndë kimike, brenda të cilës është fshehur edhe droga. Kjo sasi do të transportohej nga Mali i Zi në drejtim të fshatin Frakull në Fier, ku edhe bëhej ndarja mes kokainës dhe lëndës për bimët dhe më pas përpunimit i drogës për ta shpërndarë më pas në treg.

Nngarkesa ka mbërritur në portin e Tivarit gjatë muajit korrik dhe prej atëherë hetuesit kanë pritur për të zbuluar se kush e priste ngarkesën, derisa kanë rënë në gjurmët e një grupi që dyshohet se kishte si bazë fshatin Fratar të Fierit. Pas këtij momenti dhe pas sinjalizimeve të hetuesve amerikanë, në lëvizje janë vënë autoritetet shqiptare për të kryer arrestimet në Shqipëri.

Në këtë operacion janë arrestuar 15 persona. Disa prej tyre janë shtetas shqiptarë dhe dyshohet se disa prej tyre janë edhe porositës. Ka dyshimet se krerët kryesor të grupit që kanë porositur lëndën janë arrestuar. Kryeplaku i fshatit Frakull i Madh deklaroi para gazetarëve mbrëmjen e shkuar, se banesa ku u zbulua laboratori i drogës është në pronësi të ish-kryetarit të Komunës së Frakullit të Madh. Kryeplaku deklaroi se forca të shumta policie kishin shkuar nga Tirana në vendin e ngjarjes ku kishin kryer kontrolle.

Ai deklaroi se nuk kishte magazinë dhe se kontrollet ishin kryer në banesën e Viktor Çervenakut. Ai deklaron se në banesë janë gjetur rreth 200 thasë me pleh kimik. Kryeplaku deklaron gjithashtu se në banesë i janë gjetur vetëm fishekë dhe jo armë zjarri.

“Thasët kanë pleh kimik. Mund të jenë nja 200 thasë. Ata ishin përjashta dhe jo në magazinë. Me sa pashë unë, kishte vetëm fishekë. Banesa është e Viktor Cervenakut.

Mund të ishin nja 50 policë, një pjesë e të cilëve ishin nga Tirana. Unë nuk e njoh për të tillë. Ai ka qenë kryetar komune dhe punon në bashki. Nuk e di nga kishin ardhur thasët.

Por është drejtor tani në Bashkinë e Tiranës. Këtu nuk ka magazinë, këtë e ka shtëpi”, tha ai. Ndërsa operacioni i gjerë që nis në Mal të Zi dhe që ka vijuar në Tiranë dhe në Fier vazhdon, ajo që dihet deri më tani është se bëhet fjalë për një laborator të mirëfilltë. Thasët janë zbuluan në oborrin e banesës së ish-kreut të Komunës Frakull, Viktor Çervenakut, por ai nuk ishte prezent në momentet e ndërhyrjes.

Ndërkohë, thasët kanë nisur të transportohen nga kamionët e Policisë dhe pritet që të hapen në një pikë, për të kontrolluar më pas për drogën dhe sasinë që dyshohet se ndodhet në brendësi. Mësohet se ish-kryekomunari i zgjedhur në këtë post nga radhët e Partisë Socialiste jetonte dhe punonte në Tiranë.

Kokaina, e cila është zbuluar në portin e Tivarit në Malin e Zi, kishte mbërritur nga Amerika Latine e futur në disa thasë me pleh kimik, me një sasi prej 400 kg.