Drejtuesit e automjeteve, qarkullojnë të droguar

403
Sigal

Shumica e aksidenteve rrugore brenda qyteteve bëhen edhe nga drejtues mjetesh që janë nën ndikimin e lëndëve narkotike. Kodi Rrugor edhe pse ka ndryshuar disa herë, ka anashkaluar pajisen e policisë me test antidrogë. Flasin Eksperti i Sigurisë Rrugore Artur Sulçe dhe Esperti Kriminalist Miltjadh Muçi: Jemi të vonuar, Kodi Rrugor të përcaktojë në mënyre taksative bërjen e testit të lëndëve narkotike tek drejtuesit e mjeteve për ti dhënë fund përgjakjes së rrugëve.

 

Shumë aksidente rrugore  me pasoja vdekjeje të personave të tretë, sikurse këmbësorë, drejtuesë të tjerë mjetesh të dyta, si bicikleta, motocikleta,  pasagjerë, në rrugët e Shqipërisë, por edhe brenda qyteteve, e sidomos në rrugët e Tiranës, ndodhin, jo kaq shumë nga rrezikshmëria e rrugëve, jo nga mungesa e sinjalistikës apo ndriçimit, jo nga shpejtësia e madhe e automjetit,  jo aq nga gjendja e keqe teknike e mjeteve të përfshira në aksidente rrugore, ndërkohë, policia nuk përcakton drejt shkakun e aksidentit. Ose, shumë-shumë, si shkak të aksidentit rrugor, shënohen të tjera, por jo shkaku i vërtetë. Që mund të jetë, drejtuesi i automjetit nën ndikimin e lëndëve narkotike.  Artur Sulçe, ekspert i Sigurisë Rrugore, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se nga Policia Rrugore nuk bëhen kontrolle ndaj drejtuesve të mjeteve për kontrollin e drogave, as në kontrolle rutine dhe as në kontrolle, kur ka ndodhur aksidente, sepse Policia e Shtetit  nuk kanë pajisje, siç kanë për alkolin dragarat. Por më e keqja është sepse edhe Kodi i ri Rrugor, nuk e ka në mënyrë të detyrueshme, kontrollin e drogave, siç e kanë për alkotestin. Eksperti i kriminalistikës Militadh Muçi, shprehet në gazetën “Telegraf” se Kodi Rrugor të përcaktojë në mënyrë taksative bërjen e testit të përmbajtjes së lëndëve narkotike tek drejtuesit e mjeteve.

Artur Sulçe, ekspert i Sigurisë Rrugore

Shumë aksidente rrugore, brenda qyteteve bëhen edhe nga drejtuesë mjetesh, nën ndikimin e lëndëve narkotike. As Kodi i Ri Rrugor nuk e ka të detyrueshëm të bëhet nga Policia  kontrolli i drogave, siç kanë për alkolin dragarat

Zoti Sulçe, përdorimi i rregullt i drogave nga drejtuesë mjetesh, a ndikon në aksidente rrugore?

– Ndoshta, më shumë, sesa ndikimi nga alkooli. Nganjëherë, ndikimi i drejtuesve të mjeteve nën ndikimin e lëndëve narkotike, është shkaku i ndodhisë së aksidenteve rrugore, në ato raste, kur nuk ka rreziqe të sigurisë rrugore, kur nuk ka mungesë të sinjalistikës rrugore dhe të ndriçimit, kur mjetet janë në gjendje të mirë teknike, kur mjetet e përfshira në aksidente rrugore nuk kanë patur shpejtësi të madhe, kur aksidentet rrugore bëhen edhe brenda rrugëve të qyteteve, pa shkaqe të tjera. Kur drejtuesi i mjetit ndodhet nën ndikimin e lëndëve narkotike, humb çdo logjikë, çdo arësyetim në drejtimin e mjetit, ndoshta lëndët narkotike i krijojnë drejtuesit të mjetit gjendje efuorike shpirtërore, sa ai të shpërfillë çdo kërkesë të Kodit Rrugor, çdo ligj dhe pastaj, përfundon të bëjë aksidente edhe brenda rrugëve të qeta të qytetit. Janë këto raste, kur themi: -Si ka mundësi të ndodhë këtu aksident me automjet!

“Policia Rrugore nuk ka pajisje që të bëjë kontroll rutinë për drogëra, apo nuk ka detyrim, që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kontrolle mjekësore, nëse janë përdorues të rregullt të drogave të forta”

– Përdorimi i rregullt i drogave nga drejtues mjetesh, a ndikon në aksidente rrugore?

– Natyrisht, kur drejtuesi i mjetit është përdorues i rregullt, si edhe kur e përdor për herë të parë. Kur njeriu ndodhet nën ndikimin e lëndëve narkotike, nuk e ka kontrollin e vetvetes, nuk ka ndërgjegje, është më keq se gjendja e alkolizuar.

– Veprimi i parë që bën policia, pasi ndodh aksident rrugor është bërja e alkotestit të drejtuesve të automjetit. Po bërja e testit të drogës, nëse drejtuesi i automjetit është nën ndikimin e narkotikëve a bëhet?

– Për kontrollin e drograve për drejtuesit e mjeteve në vendin tonë nuk kanë pajisje, siç kanë për alkolin dragarat, pavarësisht se ne e kemi ngritur disa herë këtë problem.

– Kodi Rrugor a ka parashikim për të bërë test për droga ndaj drejtuesve të automjeteve?

– Në nenin 185  “Drejtimi i mjetit nën ndikimin e lëndëve droguese” të Kodit Rrugor, thuhet se ndalohet drejtimi i mjetit nga përdoruesi i lëndëve droguese ose psikotrope. Në raste aksidentesh ose kur ka arsye të mendohet se drejtuesi i mjetit ndodhet në gjendje jonormale si pasojë e përdorimit të lëndëve droguese ose psikotrope, organet e policisë rrugore, sipas  nenit 12,  pa përmendur detyrimet e tjera që parashikon ligji, mund të marrin masa për shoqërimin  e  menjëhershëm  të  drejtuesit  të  mjetit  për  verifikimet  e  rastit  pranë  shërbimeve publike kompetente lokale për të droguarit. Pra, vetë ky nen i Kodit Rrugor thekson se “në rast aksidentesh…” ose “kur ka arsye të mendohet se drejtuesi i mjetit ndodhet në gjendje jonormale si pasojë e përdorimit të lëndëve droguese ose psikotrope, organet e policisë rrugore, mund të marrin masa për shoqërimin  e  menjëhershëm  të  drejtuesit  të  mjetit  për  verifikimet  e  rastit”.

“Çfarë vlere ka që policia të bëjë teste për drogat tek drejtuesit e mjeteve, vetëm në raste kur ndodhin aksidente dhe pse edhe kjo në Kod Rrugor të lihet në dëshirën e policit rrugor dhe jo si një detyrim ligjor?”

Policia Rrugore nuk ka pajisje që të bëjë kontroll rutinë për drogëra, apo nuk ka detyrim, që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kontrolle mjekësore, nëse janë përdorues të rregullt të drogave të forta, që t’u sekuestrojë lejen e drejtimit, nëse ata janë përdorues të rregullt të drogave. Pra, gjykimi i fundit,  të kontrollit  me anë të testeve dhe analizave spitalore, nëse drejtuesi i mjetit është përdorues i lëndëve narkotike, apo është nën ndikimin e lëndeve narkotike, vetë Kodi i ri Rrugor e ka lënë në dëshirën e policit rrugor. Ka edhe një problem tjetër. Policia Rrugore, duke mos patur pajisje për kontrollin drogave tek drejtuesit e mjeteve, nuk mund të bëjë as kontrolle rutine, që të parandalojë aksidentet. Çfarë vlere ka që policia të bëjë teste për drogat tek drejtuesit e mjeteve, vetëm në raste kur ndodhin aksidente dhe pse edhe kjo në Kod Rrugor të lihet në dëshirën e policit rrugor dhe jo si një detyrim ligjor? Tani, të aksidentosh  me makinë, në trotuar të rrugës kryesore të kryeqytetit  këmbësorë, kur shpjetësia e mjetit nuk duhet të jetë më shumë se 30 km/orë, shkaqet mund t’i gjesh vetëm tek gjendja e drejtuesit të mjetit nën ndikimin e lëndëve narkotike, derisa nuk është i alkolizuar.

Eksperti i kriminalistikës, Miltiadh Muçi:  Kodi Rrugor të përcaktojë në mënyrë taksative bërjen e testit të përmbajtjes së lëndëve narkotike tek drejtuesit e mjeteve

Mendoj që kontrolli periodik i drejtuesve të mjeteve për përmbajtjen e lëndëve narkotike në gjakun e tyre, duhet të përcaktohet në mënyrë taksative në Kodin Rrugor, duke i lënë pak mundësi të lirë ligjzbatuesve që të përcaktojnë me dëshirën e tyre, nëse duhet të vendosin ata të bëhet ose jo kontrolli për përmbajtjen e lëndëve narkotike tek drejtuesit e mjeteve. Kjo, për arësye, se sa më shumë t’i kufizosh të drejtën  e bërjes ose jo të kontrollit të përmbajtjes së lëndëve narkotike tek drejtuesit e mjeteve, kaq më të pamundur do ta kenë ligjzbatuesit të abuzojnë me të drejtën, të bëhet ose jo testi për përmbajtjen e lëndëve narkotike në gjakun e drejtuesve të mjeteve, duke kontribuar në parandalimin e mundësive, që drejtuesit e mjeteve të drejtojnë mjetet kur janë nën ndikimin e lëndëve narkotike, kësisoj, kontribuon edhe në parandalimin e aksideneve rrugore.

Nëse në Kod Rrugor, e le mundësinë tek ligjzbatuesit (policë rrugorë, prokurorë e gjyqtarë)  të bërjes së testit të lëndëve narkorike të drejtuesve të mjeteve, ndryshe e kërkon njëri e ndryshe e kërkon tjetri, sepse intepretimi i Kodit Rrugor do të jetë i ndryshëm, derisa vetë Kodi Rrugor nuk e përcakton në mënyrë taksative kryerjen e testit të lëndëve narkotike tek drejtuesit e mjeteve. Ligji i Kodit Rrugor duhet të jetë i qartë, të mos i lihet intepretimi ndërgjegjes të ligjzbatuesve dhe të mos lejojë shteg interpretimesh subjektive e dëshirash.