Ligji “Për sektorin mineral”/ Presidenti Meta e kthen në Kuvend: Është klientelisht, heq të drejtën e pronës, ul të ardhurat, shkel Kushtetutën

160
Sigal

Presidenti Ilir Meta kthen ligjin “Për sektorin minerar”

 Klientelist, ul të ardhurat në buxhet, heq të drejtën e pronës, shkel rëndë Kushtetutën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar kthimin në Kuvend të ndryshimeve ligjore “Për sektorin minerar”. Sipas Kreut të Shtetit, amendamentet, jo vetëm janë miratuar përmes një procedure aspak transparente, por sipas tij, shkelin rëndë Kushtetutën, si dhe heqin në mënyrë arbitrare të drejtën e pronës. Kreu i Shtetit evidenton se “procedura e propozimit, shqyrtimit dhe miratimit të ligjit karakterizohet nga vullneti për miratimin e normave ligjore preferenciale e favorizuese, duke shpërdoruar kështu funksionin legjislativ të Kuvendit të Shqipërisë në një periudhën kohore përgjatë afrimit të fundit të mandatit të tij”. Presidenti Meta thekson se “ligji objekt shqyrtimi duket se nuk ka patur në konsideratë në të vërtetë nevojat reale dhe zgjidhjet e përshtatshme që nevojiten për këtë fushë specifike. Kjo evidentohet si nga rregullimet që janë propozuar, ashtu dhe nga niveli i konsultimit të projektligjit, si dhe nga shpejtësia e shqyrtimit në komision (vërtetuar nga aktet administrative), pa vlerësuar mundësinë për të shqyrtuar projektin nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Kuvend”. Në dekretin e tij, Presidenti argumenton gjithashtu se, nga miratimi i këtij ligj ,“efekti ekonomik në buxhetin e shtetit do të ishte ndjeshëm i ulur, sepse ka ndikim të konsiderueshëm në financat publike të shtetit dhe për pasojë, cenon haptazi interesin publik të shtetasve shqiptarë”. Kreu i Shtetit shton se “duke parë trendin e qasjes lehtësuese që qeveria ka përkundrejt disa operatorëve të sektorit minerar, ekziston rreziku që brenda spektrit të gjerë të aktiviteteve që mund të përcaktohen se përbëjnë vërtet interes publik, mund të përfshihen edhe nisma që nuk e përmbushin këtë nevojë publike, por që janë në realitet ekskluzivisht tregtare”. “Nëse shteti cedon në parime kaq themelore, atëherë vendimmarrja është e orientuar në mënyrë lehtësisht të perceptueshme drejt favorizimit të subjekteve private operuese në këtë treg, të cilat nesër për çdo mosmarrëveshje civile, mund të përdorin këto dispozita të reja të ligjit, me qëllim që shteti të ndërhyjë dhe t`i shpronësojë kundërshtarët apo palën tjetër me të cilën paraqitet mosmarrëveshja. Kjo nuk duket të jetë një ndërhyje e ekuilibruar, por e disbalancuar në favor të subjekteve privatë që operojnë në fushën e shfrytëzimit minerar. Bazuar në parashikimet e neneve të mësipërme rrezikohet përvetësim i tokës së pronarit të ligjshëm sipas justifikimeve subjektive mbi mosmarrëveshjet e mundshme me mbajtësit e të drejtës së pronësisë”, – argumenton Presidenti Meta.

Arsyet e kthimit të ligjit

Nga shqyrtimi i ligjit nr.65/2021, Presidenti i Republikës Ilir Meta konstaton se, ndryshimet në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, janë miratuar përmes një procedure në mungesë të transparencës e konsultimit gjithëpërfshirës dhe këto ndryshime shkelin një sërë parimesh kushtetuese të shtetit të së drejtës, të drejta dhe liri themelore të mbrojtura nga Kushtetuta, duke rënë ndesh kështu me nenet 4, 11, 13, 56, 59, 82, 111, të saj. Përmes paqartësisë së ligjit nr. 65/2021, krijohen mekanizma nëpërmjet të cilave shtetit i jepet mundësia që të ndërhyjë në mënyrë disproprocionale dhe përmes një procesi të parregullt ligjor, për të ndërprerë gëzimin e të drejtave legjitime pronësore, dhe kjo, jo për një interes publik ligjërisht të justifikuar, por për favorizimin e subjekteve të tjera privatë aktiviteti i të cilëve nuk përmbush ato elementë të domosdoshëm që do mund ta konsideronin ndërhyrjen e justifikuar. Në këtë mënyrë, nga njëra anë të drejtat legjitime mund të cenohen padrejtësisht, ndërkohë që nga ana tjetër mund të krijohen efekte negative dhe kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit, si rezultat i dëmshpërblimeve administrative apo gjyqësore që mund të prodhojë një ndërhyrje e padrejtë, jo proporcionale dhe e pamenduar objektivisht nga strukturat shtetërore. Për më tepër, parashikimet e bëra në disa dispozita të ligjit nr. 65/2021, shtojnë rrezikun e që të drejtat e pronësisë private t’i nënshtrohen një regjimi shpronësimi, sipas vlerësimit dhe procedurave aspak transparente, deri antikushtetuese, duke mos siguruar zgjidhjen reale për problematikat e paraqitura nga ekzekutivi. Nga përmbajtja e dispozitave të ligjit duket qartë se, qëllimi i vetëm për të cilin është kujdesur propozuesi i nismës (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshilli i Ministrave) dhe miratuesi i këtyre ndryshimeve (Kuvendi i Shqipërisë) ka qënë ai i krijimit të favorizimeve ligjore për subjekte private, që operojnë në sektorin minerar, pa vlerësuar si duhet dhe në mënyrë proporcionale të drejta të ligjshme të pronësisë që mund të cenohen. Ndryshimet ligjore të propozuara me ligjin nr. 65/2021, shkelin dhe cenojnë disa parime kushtetuese si: parimin e sigurisë juridike; iniciativës dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike; parimin e decentralizimit të pushtetit vendor, proporcionalitetit, barazinë para ligjit, duke vendosur në rrezik të hapur interesin publik dhe keqpërdorimin e pasurisë kombëtare.