Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dha detaje në një konferencë për shtyp, së bashku me një nga prokurorët e çështjes, Françesk Ganaj, për zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur në Shëngjin më datë 19 prill, ku në ambientet e lokal “Coral” u vra me armë zjarri shtetasi Ardian Nikulaj, 51 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë.
Policia ka shpallur në kërkim 4 britanikë, një shqiptar që ka porositur dhe financuar atentatin ku u ekzekutua 51 vjeçari dhe ekzekutorin portugez.
Në një konferencë për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se vrasja e Ardian Nikulajt brenda lokalit të tij ‘Coral’ ka ndodhur për motive gjakmarrje. Porositësi dhe financuesi i vrasjes, mësohet se ka qenë Edmond Haxhia, një i afërm i familjes Lekstakaj me të cilën Nikulaj ishte në gjakmarrje që prej vitit 1996. Haxhia ishte kthyer në Shqipëri prej disa muajsh.
Ekzekutori i 51 vjeçarit, portugezi Ruben Saravia pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes ka humbur gjurmët në fshatin Gjadër pranë fshatit ku banonte familja Haxhia që dyshohet se e ka strehuar dhe e ka ndihmuar.
Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19 prillit kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Autori, siç u pa nga pamjet, mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja.



















