“Drejtësi për Learin”/ Zhvillohet protesta e dytë. Avokati i Popullit: Policia na nga ka bllokuar filmimet. Eksperti: Ja gabimi me autopsinë

110
Sigal

 

Për një orë e 15 minuta, qytetarët protestuan për herë të dytë për të riun që vdiq në mënyrë të mistershme pasi u ndalua nga efektivë të Policisë së Shtetit. Të pranishmit në protesta kanë bërë me dije se do të rikthehen sërish sot në shesh. Një nga qytetarët në protestë: “Polici me të kaluar të dyshimtë, polici që ka rezultuar me një numër të madh përdoruesish droge aq sa është ndërprerë testimi dhe vetingu i tyre. Policia është një armë në duart e regjimit siç ka qenë në kohën e diktaturës, por ne jemi përballur me të në kohën e diktaturës, dhe do përballemi dhe sot edhe nesër sa herë të jetë e nevojshme.” Qytetarët u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Brendshme, ku hodhën domate e miell në drejtim të godinës dhe efektivëve dhe më pas u spostuan drejt Kryeministrisë. Blutë kanë rrethuar godinën në momentin protestuesit kanë mbërritur para Kryeministrisë. Në protestë kanë marrë pjesë edhe figura të njohura politike të cilët i janë bashkuar kauzës por pa flamuj. Qytetarë të shumtë kanë marshuar me duartrokitje dhe me thirrjet “Drejtësi për Learin”, “Kë thërret kur Policia vret?”

Komisioneri i Avokatit të Popullit, Besnik Deda: Policia nuk na ka dhënë pamjet e kërkuara

Besnik Deda, komisioner i Avokatit të Popullit ka deklaruar se i kanë bërë kërkesë Drejtorisë së Policisë së Shtetit për vënien në dispozicion të pamjeve kur Lear Kurti ka mbërritur në komisariat, por këto pamje nuk u janë dhënë. Në emisionin “Revieë” në Euronews Albania, Deda tha se janë në pritje të këtyre pamjeve, për të parë kohën që ka qëndruar Kurti në komisariat, si dhe momentin që është shoqëruar te Trauma. “Në datën 20 Avokati i Popullit ka bërë kërkesa me shkrim në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, lidhur me vënien në dispozicion të pamjeve filmike, dhe ende nuk i janë vënë në dispozicion. Jemi në pritje të pamjeve filimike të regjistruara në Komisariatin nr.3 për të parë kohën kur ka mbërritur personi në ambientet e komisariatit, kohën e qëndrimit në komisariat dhe kohën kur ai është shoqëruar te Trauma”- tha ai. Laer Kurti, 32 vjeç ndërroi jetë, mbrëmjen e së mërkurës (19 tetor) pasi u shoqërua në komisariatin nr.3 në kryeqytet. Përmes një njoftimi, Agjencia e Mbikqyrjes Policore tha se mbrëmjen e 19 tetorit, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës, efektivët kanë konstatuar Laert Kurtin duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi. Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, Kurti është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar. Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta. I riu u shoqërua në komisariat dhe hetimi paraprak del në përfundimin se ai humbi jetën për shkak se ka gëlltitur një qese me drogë, për t’iu shmangur kapjes nga policia.

A gabuan institucionet në kryerjen e autopsisë së Lear Kurtit? Flet eksperti

Sabri Hoxha, ekspert mjeko-ligjor është shprehur se autopsia e Lear Hoxhës nuk është kryer në bazë të ligjit. Hoxha theksoi se në bazë të udhëzimeve të institucioneve autopsia duhet të kryhet në ndriçim natyral, dhe sipas tij autopsia nuk kishte pse të bëhej në orën 5 të mëngjesit. “Nuk ka pasur asgjë urgjente që të bëhej autopsia në mesnatë. Udhëzimi i fundit i Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë është se autopsia duhet të bëhet në ndriçim natyral, mes orës 8 deri në 16. Çfarë i ka detyruar institucionet që të zbatojnë ligjin. Mund të prisnin edhe 3 orë.”- tha ai.