Dr. Luljeta Kodra: Formimi shkencor i të rinjve është objektivi ynë primar

257

Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane i Universitetit “Mesdhetar i Shqipërisë” organizon Konferencën e parë Shkencore Studentore në Shkencat Juridike, Sociale dhe Humane.

Sigal

Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë organizoi në datë 10 Maj 2023 Konferencën e parë Shkencore Studentore. Nën kujdesin e Dr. Luljeta Kodra, studentët patën mundësinë të ndërveprojnë duke shkëmbyer ide dhe ballafaquar punën e tyre kërkimore me një komunitet akademik të specializuar.

Sipas zv dekanes për kërkimin shkencor të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane Dr. Luljeta Kodra, u iniciua organizimi i kësaj konference Shkencore Studentore me qëllim që të promovoheshin njohuritë dhe interesat shkencore të studentëve të fakultetit DSHH.

Me ndryshimet strukturore, që kanë ndodhur në vitin akademik 2022-2023 ky fakultet përbëhet nga katër departamente, konkretisht departamenti i të Drejtës, departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, departamenti i Psikologjisë dhe Sociologjisë, departamenti i Edukimit, Komunikimit dhe Formimit Bazë  dhe ofron disa programe studimi në nivel Bachelor, Master shkencor dhe Master Profesional si dhe Program i integruar 5-vjeçar në drejtësi. U mendua të lihej një objekt i lirë për konferencën shkencore studentore në mënyrë që t’iu krijohej mundësia e pjesëmarrjes të gjithë studentëve të interesuar sipas programeve dhe cikleve të tyre të veçanta të studimit.

Universiteti Mesdhetar është i njohur në Shqipëri për cilësinë në arsim, por edhe vëmendjen e veçantë që i kushton realitetit edukativ të studentëve.  Lidhur me këtë Dr. Kodra shprehet se: “Ka qenë për disa muaj një punë impenjative, por që na ka dhënë gjithashtu shumë kënaqësi, sepse puna për formimin profesional dhe shkencor të të rinjve është objektivi primar për ne si mësimdhënës. Është gjithashtu kënaqësi të shohësh nivelin e tyre të lartë të referimit të njohurive.

Flas në veçanti për studentët e programit 5-vjeçar në drejtësi që përfaqësuan vitin e I-rë, të II-të dhe të III-të konkretisht Elena Huna, Ekaterini Bashllari, Ambra Kallari, Marlind Mezini, Ambra Gjoka, Rajkard Dervishaliaj, Enea Kara, Mateo Gugashi, Abel Brahusha, Kristiana Samsuri, Xheni Gjergji, Joni Veshi, si dhe studentët e programeve Master shkencor në E drejtë Publike viti i I-rë dhe i II-të të përfaqësuar nga studentët Arben Kozeli, Emanuela Berberi, Zhensila Xhelilaj, Elisjana Shima, Amarildo Arapi, Rei Tepelija, Fatbardh Çekrezi, si dhe Master në E drejtë civile dhe Tregtare viti i I-rë dhe i II-të të përfaqësuar nga studentët Besjana Bega, Artjola Sulaj, Sonila Rreshka.

Përmend në mënyrë të veçantë këto studentë duke qenë se kam udhëhequr drejtpërdrejtë punimet e tyre të konferencës sepse jam prej shumë vitesh tashmë lektore në fushën e drejtësisë. Ndërsa në cilësinë e zv dekanes për kërkimin shkencor të fakultetit DSHH vlerësoj shumë angazhimin e të gjithë studentëve që përfaqësuan të gjitha programet e studimit që ofron fakulteti DSHH. Në mënyrë të veçantë dëshiroj të falënderoj dekanin e fakultetit profesorin e mirënjohur Ksenofon Krisafi dhe profesor Kriton Kuçi për angazhimin maksimal në organizimin e kësaj Konference, por njëkohësisht edhe përgjegjësit e departamenteve të fakultetit DSHH.

Shpresoj dhe besoj që kjo Konferencë e parë Shkencore Studentore do të shërbejë si bazë dhe nxitje për organizimin e aktiviteteve të tjera shkencore, jo vetëm në nivel fakulteti, por edhe në nivel Universiteti.