Dr. Holta SINA Kilica: në 60- vjetorin e Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve

221
Sigal

Dr. Holta SINA Kilica

Muzikologe, pedagoge në U.A.

 

In memoriam për personalitetet e artit muzikor shqiptar

Në datën 9 qershor 2022, në Sallën e Pedagogëve “Ibrahim Madhi” në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve, u zhvillua takimi In memoriam (organizuar nga Katedra e Muzikologjisë pranë Departamentit të kompozicionit, muzikologjisë, dirizhimit dhe pedagogjisë muzikore), kushtuar disa prej personaliteteve të këtij fakulteti që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në vite.

Aktiviteti u zhvillua në përmbyllje të festimeve të 60-vjetorit të krijimit të instituconit të lartë arsimor të muzikës, Konservatorit Shtetëror të Tiranës (sot Fakulteti i Muzikës), ku fjala e fundit i mbetet FJALËS!

Në këtë takim u nderua me vlerësimin e lartë “Doctor Honoris Causa” muzikologu, kompozitori dhe drejtori i parë i Konservatorit Shtetëror të Tiranës Albert Paparisto (pas vdekjes), vlerësim i dhënë nga Senati i Univeristetit të Arteve (bazuar në propozimin e bërë nga Departamenti në fjalë), të cilin i’a dorëzoi familjarëve të Prof. Albert Paparistos, dekani i Fakultetit të Muzikës Prof. Dr. Isak Shehu.

Kjo tryezë u drejtua nga Prof. Dr. Zana Shuteriqi (Prela), e cila në hyrje të këtij aktiviteti solli në kujtesë të gjithë personalitetet e nderuar të këtij Fakulteti që janë ndarë nga jeta. Pikërisht dhe ky aktivitet i dedikohej disa prej personaliteteve të ndritur që kanë shenjuar me talentin, pasionin dhe profesionalizmin e tyre rrugëtimin e kësaj shkolle për 60 vite të tillë si Albert Paparisto, Çesk Zadeja, Kristo, Kono, Mustafa Krantja, Feim Ibrahimi, Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Milto Vako, Ibrahim Madhi, Gjergj Antoniu, Xhovalin Shestani, Viktor Shiroka, Fatos Jaho dhe Andrea Canaj.

Në këtë aktivitet ligjëruan disa prej pedagogëve të Fakultetit të Muzikës si Prof. Dr. Fatmir Hysi, Prof. Dr. Ilirjana Dema, Prof. Dr. Zana Shuteriqi, Prof. Zef Çoba, Prof. Asoc. Roland Çene, Prof. Asoc. Dr. Sokol Saraçi, Prof. Asoc. Dr. Kastriot Tusha, Dr. Suzana Turku, Dr. Holta Sina dhe dirigjenti Thanas Çaçi (referati i këtij të fundit u mbajt nga pianistja dhe pedagogia Ardita Bufaj).

Kumtimi im ishte ai kushtuar kompozitorit, pedagogut, publicistit dhe mendimtarit të shquar shqiptar Çesk Zadeja – një kumtim që lidhej edhe me 95 – vjetorin e lindjes së tij më datën 8 qershor 1927.

Personaliteti i Çesk Zadejës në pedagogjinë dhe

publicistikën shqiptare

 

Për kompozitorin, pedagogun dhe akademikun Ç. Zadeja nuk është e lehtë të flasësh apo të shkruash, pasi fjalët janë të pakta përpara peshës që ai mbart për artin dhe kulturën shqiptare, së pari si krijues i veprave nga më fondamentalet e literaturës sonë kombëtare (me simfoninë, sonatën për violinë dhe koncertin për piano), por njëkohësisht edhe për dimensionin e mendimtarit dhe intelektualit të përkorë.

Pikërisht, në aspektin e krijimtarisë muzikore, vlerat e tij janë ato që me të drejtë janë cilësuar nga artistët dhe muzikologët shqiptarë si vlerat e një ‘babai’ të muzikës profesioniste shqiptare. Por kontributi i Prof. Zadejës lidhet pazgjidhshmërisht edhe me dy fusha të tjera shumë të rëndësishme, me atë të pedagogjisë dhe publiçistikës – të dyja fusha të cilat kanë dhënë dhe marrë nga njëra-tjetra tek ky personalitet.

Ai e ka nisur aktivitetin pedagogjik qysh me themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës dhe është pikërisht themeluesi i degës së teorisë dhe kompozicionit në këtë Konservator. Nën drejtimin e tij u formuan kompozitorët që do të bëheshin më pas dhe kolegët e tij, njëkohëshëm edhe personalitetet më të vlerësuar të muzikës shqiptare si T. Harapi, K. Lara, K. Laro, Sh. Kushta, Th. Gaqi, A. Peçi, etj.

Veprimtaria e tij pedagogjike ishte e pandarë nga ajo krijuese e publicistike, por sidomos e ndjeshme si një kontribut që Prof. Zadeja e dha “pa kufi” jo vetëm për studentët e tij principalë por, këshillat e tij të pakursyera i përfitonin dhe studentet e tjerë të degëve të teori – kopozicionit (e më gjerë). Konkretisht, cilësitë e tij pedagogjike në fushë të kompozimit, ai i dëshmoi më së miri gjatë punës individuale me studentët e kompozicionit, falë pëkushtimit dhe profesionalizmit të lartë, që konsistonte jo vetëm në thellësinë e njohjes së parimeve dhe teknikës kompozicionale por, mbi të gjitha, në aftësinë e tij të veçantë për zbulimin e karakteristikave individuale krijuese të gjithsecilit. Kjo e fundit është dëshmuar pikërisht edhe në vlerësimet tepër egzigjente të tij në lidhje me karakteristikat e stilit individual të çdonjërit prej kompozitorëve shqiptarë më të njohur sot. Në këtë kontekst, kjo aftësi e tij për evidentimin dhe zhvillimin e prirjeve krijuese dhe formimin e individualitetit artistik të studentëve të kompozicionit, shfaqej dukshëm gjatë proçesit të mësimdhënies, duke i krijuar atyre hapësira krijuese sipas preferencës por, të bazuara në koncepte thellësisht profesionale e shkencore; pa kondicione të tipit imponues apo ngurtësim të lirisë krijuese. Kjo ishte rrjedhojë mbi të gjitha e talentit dhe origjinalitetit të tij të pangatërrueshëm si kompozitor; e një njohësi të shkëlqyer të folk-traditës sonë apo gjurmuesi “në thellësitë e krijimtarisë popullore”; e të qenit sa bashkëkohor por aq autentik ne gjuhën muzikore kompozicionale. Dhe, këtu, më vjen në ndihmë një shprehje postulat e kompozitorit Limos Dizdari “Ai ishte origjinal jo se nuk kopjonte por se ai nuk kopjohej!”.

Nëse do të evidentohej plotësisht kapaciteti i tij intelektual në mësimdhënie, kjo do të lidhej domosdoshmërisht me trajtimin që i bën ai çështjeve të rëndësishme estetiko-teorike, analitike dhe praktike përmes traktatit mbi kompozicionin, botuar në fund të jetës së tij, të titulluar “Vetparja e procesit” – vepra që përmbylli jetën e tij humane si një epilog i jetës së një krijuesi dhe mendimtari potent. Në të, zbërthehen nga ana teorike, por me domethënien e zbatimit në praktikën kompozicionale, një varg çështjesh të tilla esenciale, si: “Roli i folklorit në krijimtarine profesionale”, Marrëdheniet e kompozitorit me muzikën popullore”, “Natyrshmëria funksionale e traditës së kulturës muzikore bashkëkohore”, “Kombëtarja dhe e përbotshmja në krijimtarinë muzikore” etj. Nëpërmjet trajtimit shumë profesional të këtyre problematikave, dalin në pah më së miri koncepte fondamentale të teorisë kompozicionale, por të “përkthyera” në kontekstin nacional të adoptimit dhe zbatimit. Ato janë ravijëzuar si rrjedhojë e talentit e intuitës së tij por, sidomos, e thellësisë së gjykimit përmes njohjes dhe studimit të fenomeneve muzikore (nacionale dhe botërore) si dhe e eksperiencës dhe profesionalizmit të përftuar maksimalisht në vite. Këtu do të veçohej një prej aspekteve më esenciale të optikës së tij teorike por me synim zbatimin në praktikën krijuese – atë të rolit që luan folk-tradita në krijimtarinë muzikore profesioniste, duke u ndalur veçanërisht në ndërtimin e marrëdhënieve të kompozitorit me arealin e vlerave të muzikës që buron nga ADN-ja e kombit të tij. Kjo marrëdhënie në gjykimin e Prof. Zadejës, qëndron si fondament i çdo tradite muzikore të kultivuar europiane e më gjerë, duke fituar dhe atributin e universales në koncept – të zbatueshme dhe lexueshme në proçesin individual të çdo krijuesi, pavarësisht nga vendndodhja e tij gjeografike. Vlera e folklorit, e elementeve të tij të asimiluar thellësisht dhe të përthithur natyrshëm në krijimtarinë muzikore të krijuesve të mirëfilltë, sipas logjikës dhe filozofisë zadejane, arrin peshën specifike që fiton kombëtarja si “pasaportë identifikimi” dhe është pikërisht ky identitet i krijuar që përcakton në kohë raportin e kombëtares dhe të përbotëshmes në krijimtarinë muzikore.

Personaliteti i tij prej një mendimtari dhe “filozofi” të muzikës, dëshmohet edhe me faktin se ai ka qënë (së bashku me muzikologun dhe pedagogun Albert Paparisto, një prej themeluesve të degës së teoritikut – kritikës muzikore (sot dega e muzikologjisë) nga e cila kanë dalë profesionistë të zotë, qe kanë dhënë kontributin e tyre profesional në institucione të ndryshme arsimore, artistike dhe shkencore të vendit. Duke pasur një bagazh të gjerë teorik e shkencor, si dhe syrin estetik dhe analitik, të prirur për të kapur dhe trajtuar çështje të ndryshme dhe të rëndësishme të muzikës shqiptare, ai ka orientuar dhe udhëhequr me profesionalizëm e nivel të lartë shkencor diploma muzikologjie (P. Misso, F. Daja, K. Kilica, I. Gaqi) dhe doktoratura (K. Shkreli, F. Hysi, S. Kalemi, I. Shehu) si dhe ka qënë oponent i shumë studimeve e botimeve shkencore në këtë fushë.

Edhe në drejtim të publiçistikës, Prof. Zadeja ishte një nga përfaqësusesit më elitar të kritikës së shkruar në shtypin periodik të kohës (përkatësisht në gazetat “Zëri i popullit”, “Zëri i rinisë”, “Drita”; po ashtu në revistat “Nëntori”, “Ylli”, “Skena dhe ekrani” etj.). Problemet dhe çështjet e trajtuara në këto artikuj (që janë të shumtë si në sasinë e tyre por, mbi të gjitha, në cilësi) rrokin një diapazon të gjerë tematikash, si ato që kanë të bëjnë me aspekte të përgjithëshme të vlerave dhe arritjeve të muzikës sonë kombëtare, ashtu edhe me nxjerrjen në pah të problematikave konkrete që lindin gjatë proçesit krijues dhe atij interpretues artistik. Për t’u listuar janë njësërë artikujsh që trajtojnë aspekte të zhvillimin të muzikës sonë instrumentale, simfonike, skenike e deri tek problemet që lidhen me këngën e muzikës së lehtë e shumë të tjera.

Në këto gjykime dhe konkluzione ai ishte sa i thellë aq dhe mendjehapur – meritë kjo e gjithë cilësive të tij intelektuale, të parashtruara më sipër. Diskutimet krijuese në tryeza të rrumbullakëta dhe referimet në forume dhe tribuna të ndryshme shkencore, e kanë evidentuar gjithmonë Akademikun Zadeja si mendimtarin dhe personalitetin shumdimensional të artit dhe kulturës shqiptare, ku fjala e tij ishte pikërisht fjala e ‘babait’ të muzikës shqiptare.

Kjo tryezë u drejtua nga Prof. Dr. Zana Shuteriqi (Prela), e cila në hyrje të këtij aktiviteti solli në kujtesë të gjithë personalitetet e nderuar të këtij Fakulteti që janë ndarë nga jeta. Pikërisht dhe ky aktivitet i dedikohej disa prej personaliteteve të ndritur që kanë shenjuar me talentin, pasionin dhe profesionalizmin e tyre rrugëtimin e kësaj shkolle për 60 vite, të tillë si: Albert Paparisto, Çesk Zadeja, Kristo, Kono, Mustafa Krantja, Feim Ibrahimi, Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Milto Vako, Ibrahim Madhi, Gjergj Antoniu, Xhovalin Shestani, Viktor Shiroka, Fatos Jaho dhe Andrea Canaj.