Dr. Enriko Ceko: Ekonomia e zezë e oligarkëve shqyen xhepat e qytetarëve

Flet Dr. Enriko Ceko:

-Në ekonominë shqiptare më shumë se 50% e saj është ekonomi gri dhe ekonomi e zezë, ku mbushen xhepat e vetëm disa individëve, por jo xhepat e qytetarëve shqiptarë

NOA

– Çmimet e mallrave të shportës janë shtuar shumë, por nga shporta janë hequr një serë produktesh të rëndësishme për qytetarët shqiptarë.

-Individët dhe familjet e kanë shumë të vështirë që të kenë një jetesë që të mund të afrohet me jetesën e qytetarëve të Evropës.

-Jetesa në Shqipëri nuk krahasohet as edhe me jetesën në vende të tilla si Mali i Zi, Serbia apo Maqedonia e Veriut.

-Në Shqipëri konsumi i bukës masive është shumë i lartë krahasuar me vendet e tjera;

-Vende të tilla si Kanadaja, Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë në shportë qindra produkte, shporta shqiptare është katandisur me sheqer, oriz, vaj, e të tjera produkte bazë.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Çdo shqiptar do të ‘fusë’ në portofolin e tij çdo ditë mesatarisht 33 euro, përgjatë 12 muajve të ardhshëm, me rritje prej gati 2 euro krahasuar me një ditë të 2025-ës. Ky është parashikimi i bërë nga Ministria e Financave në projektbuxhetin e 2026-ës, ku është planifikuar që të ardhurat për frymë të arrijnë në 991 euro në muaj.Në relacionin e buxhetit 2026 thuhet se të ardhurat për frymë do të kapin vlerën e 11 mijë e 899 euro nga 11 mijë e 260 euro këtë vit, me rritje prej 639 euro. Ky përmirësim sipas qeverisë do të vijë nga rritja ekonomike e parashikuar në 4%, ulja e nivelit të papunësisë në 7.6% nga 8.5% aktualisht, si dhe nga rritja e pagave. Mbi këto pritshmëri, qeveria pret edhe shtim të konsumit, si një nga kontribuesit kryesor të rritjes ekonomike të vendit.Me ambicien për të shtuar jo vetëm shifrat në sasi, por edhe ato në vlerë të turistëve, pra jo vetëm numrat e pushuesve, por edhe të ardhurat që vijnë prej tyre, qeveria beson se turizmi do të jetë kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike të pritshme në 4% në vitin që vjen. Rol të rëndësishëm do të ketë edhe sektori i ndërtimit, i cili po njeh hov jo vetëm në më shumë kantiere të reja, por edhe në çmime.Prodhimi i Brendshëm Bruto në 2026-ën planifikohet në rritje me 1.4 miliardë euro, nga 26.9 miliardë euro këtë vit në 28.3 miliardë euro në vitin që vjen. Shqiptarët do të jenë më të pasur se këtë vit, por do të kenë edhe më shumë borxhe për të paguar. Borxhi publik në 2026-ën do të jetë sa 53.6% e Prodhimit Kombëtar, ose 15.1 miliardë euro. Nëse këtë vlerë e përpjesëtojmë me 2.4 milionë banor që ka Shqipëria, rezulton se çdo qytetar ngarkohet me borxh afro 6,314 euro. Si është realiteti i të ardhurave dhe varfërisënëShqipëri?

Eurostat në shifrat e publikuara për vitin 2024 (për vitin 2025 s’kanëdalë ende) e jepte Shqipërinë të parën për nivelin e ulët të jetesës. Sipas të dhënave, në Shqipëri rreth 42,1 % e popullsisë jeton në varfëri, më e lartë, dhe në trend rritës, në krahasim me 34.1% në Mal të Zi, 32.6% në Maqedoninë e Veriut, 30% në Serbi, dhe 21.4% në vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht. Me këto të ardhura si do ta cilësoni jetën e një familjeje shqiptare?

  • Siç dihet në vijimësi varfëria në Shqipëri është prezent për vite me radhë. Çmimet rriten çdo ditë, ndërsa të ardhurat janë po ato. Të ardhurat në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Evropë. Individët dhe familjet e kanë shumë të vështirë që të kenë një jetesë që të mund të afrohet me jetesën e qytetarëve të Evropës, shtuar këtu edhe jetesën në vende të tilla Evropiane si Mali i Zi, Serbia, etj, pa u futur në grupin e vendeve me të ardhura edhe më të larta. Karakteristikë e vendeve të varfra dhe që kanë filluar rrugën e zhvillimit është se pjesa më e madhe e të ardhurave individuale dhe familjare shkon për ushqime, dhe kur vendet janë të varfra. Brenda shpenzimeve për ushqime, pjesa më e madhe shkon për drithra buke dhe produkte e nënproduke të ngjashme me to. Fakti që në Shqipëri konsumi i bukës masive është shumë i lartë krahasuar me vendet e tjera flet shumë për këtë. Nga ana tjetër struktura ushqimore në përgjithësi është shumë larg asaj evropiane. Është e vërtetë që çmimet e mallrave të shportës janë shtuar shumë, por nga shporta janë hequr një serë produktesh të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ndërkohë që vende të tilla si Kanadaja, Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë në shportë qindra produkte. Shporta shqiptare është katandisur me sheqer, oriz, vaj, e të tjera produkte bazë. Në lidhje me pagat, që janë shumë të ulëta, duhet theksuar se periudha e pandemisë dhe pas saj kanë qenë periudha shumë të vështira në lidhje me plotësimin e nevojave ditore ushqimore të shqiptarëve, pasi edhe paketat e ndihmave, të premtuara nga ana e qeverisë shqiptare nuk u lëvruan sipas premtimeve. Pra, edhe nëse pretendohet se inflacioni është ndër më të ulëtit në Evropë, kjo lidhet vetëm me nivelin e çmimeve, por nuk merret parasysh se sa para ka në qarkullim në tregun shqiptar, dhe sa nga këto para janë nga puna e ndershme dhe veprimtaria legale e biznesit dhe sa nga operacionet ilegale të ndryshme që gëlojnë në ekonominë shqiptare duke bërë që më shumë se 50% e saj të jetë ekonomi gri dhe ekonomi e zezë, me anë të së cilës mbushen xhepat e vetëm disa individëve, por jo xhepat e qytetarëve shqiptarë.

-Si tregohet fuqia blerëse e një vendi apo individuale?

Fuqia blerëse ka të bëjë me llogaritjen e asaj se sa mundësi kanë qytetarët në vende të ndryshme të botës të konsumojnë duke bërë disa llogaritje me anë të të cilave eliminojnë konceptin e kursit të këmbimit midis monedhave të vendeve, të cilat krahasohen. Pra, të mund të llogaritet se sa produkte dhe shërbime mund të blesh në një vend të caktuar me paranë e atij vendi, krahasuar me një vend tjetër dhe me paranë e vendit tjetër. Edhe në këtë tregues Shqipëria është mbrapa dhe kjo vjen nga mënyra se si është konfiguruar ekonomia shqiptare, që është një ekonomi me tipare parazite, ku vetëm me dy a tre sektorë të pazhvilluar, rritja ekonomike duket e pamundur, pavarësisht pretendimeve për rritjen e saj. Edhe disa sektorë që funksionojnë disi në ekonominë shqiptare (si industria fason, etj) jo vetëm që nuk kanë produktivitet të shtuar në ekonominë shqiptare, pasi prodhojnë për të huajt, duke ofruar vetëm shërbimin e krahut të punës, por pengojnë edhe sektorët e tjerë të ekonomisë të zhvillohen, pasi u marrin këtyre sektorëve krahun e punës, materialet, energjinë, burimet financiare, kohën, përkushtimin, etj.