Dr. Emilio Çika: “Ballkan i Hapur” dhe Diplomacia Ekonomike Rajonale e Shqipërisë

421
Sigal

Dr. Emilio Çika, Pedagog, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

 

Që prej takimit të Shkupit, në 29 Qershor, në kuadrin e Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal, ajo që u quajt “Iniciativa për Ballkanin e Hapur” ose shkurt Ballkani i Hapur, ka hyrë më së miri në përditshmërinë e debatit politik. Mbështetësit, por edhe kundërshtarët, brenda dhe jashtë vendit, janë përplasur fortë për atë që synon të jetë kjo iniciativë, si edhe për përfitimet apo jo që do të sjelli. Nisma për krijimin e një “Mini Schengen-i Ballkanit” e ka zanafillën në vonesën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Vonesa, të cilat kanë sjellë ndoshta edhe zhgënjim të theksuar të qeverive dhe popullatës, kryesisht të Shqipërisë dhe RMV, duke patur parasysh vetot e njëpasnjëshme të Bullgarisë.

Por çfarë është “Ballkani i Hapur” dhe ku ndryshon nga bashkëpunimet e tjera ballkanike?

Duhet theksuar se “Ballkani i Hapur”, është mbështetur në bashkëpunimet e mëparshme rajonale midis vendeve të Ballkanit, ashtu si “Tregu i Përbashkët Rajonal”, “Zona Ekonomike Rajonale për Ballkanin Perëndimor”, “Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qëndrore” (CEFTA) dhe “Strategjisë së Evropës Juglindore 2020” (SEE2020), të cilat bazohen në rregullat dhe parimet e BE-së. Por edhe pse objektivat e kësaj nisme janë të përafërta me atë të Tregut të Përbashkët Rajonal, synimi i saj është thellimi i procesit të integrimit ndër-rajonal në fushat ekonomike dhe sociale. Modelet e një bashkëpunimi të tillë janë të gjithë përdorura jo vetëm në Evropë, por edhe në rajone të ndryshme të botës, me synim shtysën drejt integrimit ekonomik rajonal. Shembull tipik mund të përmendim “Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë” (EFTA), e cila u krijua në vitin 1960 nga disa shtete, Austria, Danimarka, Norvegjia, Portugalia, Suedia, Zvicra dhe Britania e Madhe për të promovuar tregtinë e lirë dhe integrimin ekonomik. Objektivi parësor i saj ishte integrimi gradual i vendeve antare në Komunitetin Ekonomik Evropian, paraardhësin e Bashkimit Evropian.

Në thelb, “Ballkani i Hapur” u konceptua si një bashkëpunim për vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse deri tashmë vetëm tre shtete janë pjesë e tij, Serbia, Shqipëria dhe RMV.  Në qendër të tij është krijimi i një zone të përbashkët të lëvizjes së lirë të, kapitalit, mallrave dhe njerëzve. Rjedhimisht një prej objektivave fundore të tij është krijimi i lirisë për aksesin në tregun rajonal të punës. Kështu, tregu i punës do të ofrohet për të gjithë qytetarët e rajonit me të njëjtat kushte. Kjo synon rigjallërimin e tregut të punës duke lejuar shkëmbimin e eksperincës, rritjen e konkurrencës, si edhe përmbushjen e nevojave për specialitete të caktuara pune. Në të njëjtën kohë, për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve midis vendeve, kontrolli kufitar nuk do të ekzistoj më plotësisht, duke zeruar kohën e pritjes në pikat doganore.

Tre vendet iniciatore, kanë firmosur marrëveshjet e radhës për të vënë në jetë këtë nismë, edhe me takimin e fundit në Tiranë, ku u dakortësuan pesë marrëveshje në lidhje me aksesin në tregun e punës, skemat e identifikimit elektronik si edhe në fushën e bashkëpunimit për sigurinë e barnave veterinare dhe ushqimit. Por edhe pse, mbështetja kundrejt kësaj iniciative është e fortë nga treshja (Shqipëri, Serbi, RMV), ajo përballet me sfida të forta si në aspektin e brendshëm politik të vendeve ashtu edhe me mbështetjen ndërkombëtare. Për arsye të debateve të forta brenda vendit, rishtazi Qeveria Rama vendosi ta çojë për miratim publik nismën për Ballkanin e Hapur. Skepticizmi i qeverisë së Kosovës, që rrjedh nga e shkuara dhe problematikat e vazhdueshme të gjithënjohura me Serbinë, mund të sheshohej nëse nisma do të formatohej si një version i përmirësuar i CEFTA-s, ku të mund të ekzistonin edhe marrëveshjet bilaterale midis shteteve. Besimi i ndërsjelltë midis klasës politike të dy vendeve, do të çonte drejt përfitimeve bilaterale ekonomiko-sociale të shumë kërkuara edhe nga faktori ndërkombëtar por edhe nga vetë logjika e integrimit të vendeve drejt BE-së. Dy shtetet e tjera, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina e shohin integrimin rajonal brenda “Tregut të Përbashkët Rajonal” duke mos shprehur entuziazëm të theksuar për përfshirjen në “Ballkanin e Hapur”. Akoma më tej, Bosnjë-Hercegovina edhe për arsye të konflikteve të brendshme ndër etnike, të shprehura edhe në institucionet e saj, e sheh integrimin rajonal si problem për pavarësinë e saj.

Nga ana tjetër, nisma përballet edhe me problematikat e njohjes ndërkombëtare, me aktorët e rëndësishëm ndërkombëtar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, nga njëra anë të japin sinjale pozitive dhe nga ana tjetër të theksojnë nevojën e përfshirjes e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për suksesin e saj.

Diplomacia ekonomike rajonale e Shqipërisë.

Një kuptim i përbërë i diplomacisë ekonomike lind nga bashkimi i dy kuptimeve, diplomacisë dhe ekonomisë. Diplomacia ekonomike, përmban brenda saj interpretimin e këtyre dy fushave. Negocimi për promovimin e interesave ekonomike shtetërore në nivel dypalësh, rajonal dhe ndërkombëtar mund të ishte një intepretim i thjeshtëzuar i diplomacisë ekonomike. Por mënyrat për të përkufizuar diplomacinë ekonomike janë të shumtë dhe kjo në varësi të formulimit që i bëhet termit për të përshkruar fushën e veprimit dhe studimit. Shpesh herë, për t’i dhënë kuptimin ose për të dhënë përshkrimin e një termi, mënyra më e mirë është ta bësh këtë gjë nëpërmjet ngritjes së pyetjeve thelbësore. Në rastin konkret, një nga pyetjet mund të ishte: Cili është roli respektiv i diplomacisë dhe ekonomisë brenda diplomacisë ekonomike? Brenda këtij kuadri do mund të themi se flasim për tre interpretime të aspektit ekonomik. Së pari, mund të flasim për qëllime ekonomike, siç është rritja e mirëqenies ekononomike, së dyti, për mjetet ekonomike dhe së treti, për motivime ekonomike.

Nëse do i jepnim diplomacisë ekonomike një përkufizim tjetër, atëherë do thonim se është ushtrimi i politikës së jashtme me përdorimin e mjeteve ekonomike për arritjen e objektivave politike ose e thënë më ndryshe, përbën një politikë, e cila i jep përparësi objektivave të politikës së jashtme. Në mënyrë më të specifikuar do të mund ta përshkruanim si përdorimin e mjeteve diplomatike për arritjen e objektivave ekonomike, të cilët mund të përfshihen edhe në mënyrë të tërthortë në planifikimin e gjerë të politikës së jashtme të një shteti.[1]

Sipas Pavol Baranay[2] një nga modele të organizmit të diplomacisë ekonomike është “Modeli i  Bashkuar” i cili përfaqëson një ndërthurrje të zhvillimit të tregtisë nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo ministri është koordinatori kryesor i interesave ekonomike të shtetit në nivelin ndërkombëtar. Ajo përcakton strategjinë dhe prioritet në bashkëpunim me të gjitha organizatat shtetërore dhe ato të organeve rajonale të pushtetit ekzekutiv në shtetin pritës. Ky është edhe modeli që ndjek Shqipëria për organizimin e diplomacisë së saj ekonomike, ku Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, i është dhënë drejtimi i diplomacisë ekonomike. Diplomacia ekonomike e Shqipërisë, ka fituar një rëndësi të qënësishme duke u zhvilluar në një instrument të rëndësishëm të politikës së jashtme. Pikërisht për këtë arsye edhe Shqipërisë i nevojitej institucionalizmi dhe strukturimi i diplomacisë ekonomike në mënyrë sa më efikase.

Për të promovuar zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet e frytshme ndërshtetërore, stabilitetin e rajonit, Shqipëria ka kontribuar në rritjen e bashkëpunimit dhe fuqizimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit. Në këtë kuadër, diplomacinë ekonomike rajonale Shqipëria e ka zhvilluar nëpërmjet mbështetjes së planit shumëvjeçar të veprimit për një “Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor” si edhe nëpërmjet “Agjendës Rajonale e Reformës së Investimeve”. Shqipëria ka përafruar legjislacionin e saj të brendshëm më atë të BE-së në përputhje me angazhimet e saj në këtë organizatë. Negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian kërkojnë harmonizimin e kuadrit ligjor dhe rregullator. Për këtë arsye, më shumë se 90% e produkteve shqiptare tashmë kalojnë në tregun Evropian pa detyrime doganore.

Një tjetër iniciativë është, “Draft Plani Shumëvjeçar i Veprimit për një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor” (MAP REA)[3] që është hartuar me qëllim përgatitjen e një “propozimi për një qasje të përbashkët për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik në Ballkanin Perëndimor” në kontekstin e procesit të Berlinit dhe Samitin e Triestes. MAP, parashtron një agjendë të strukturuar për integrimin ekonomik rajonal, përkatësisht: nxitjen e integrimit të mëtejshëm të tregtisë, prezantimin e një hapësire rajonale dinamike për investime, lehtësimin e lëvizshmërisë rajonale dhe krijimin e një agjende dixhitale të integrimit. Zbatimi i masave të renditura këtu synon të finalizohet në një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor 6, bazuar në rregullat e CEFTA-s dhe në përputhje me BE-në.

Vendet e vogla, si edhe Shqipëria, të cilat përbëjnë edhe shumicën e vendeve të botës, që të munden të ushtrojnë një diplomaci ekonomike të suksesshme[4] do të duhet të kryejnë një përqasje të kujdesshme në mënyrë që të përballen me tensionet që krijohen prej:

  1. Përshtatjes së objektivave politike me ato ekonomike;
  2. Përshtatjes së metodave politike me ato ekonomike;
  3. Mënyrës se si qeveritë formatojnë brenda shtetit një pozicion të përbashkët;
  4. Mënyrës se si qeveritë i qasen kërkesës për ligjshmërinë demokratike, kontrollin dhe transparencën nga votuesit në mënyrë që të arrijnë mënyrën më të mirë ndërmjet rezultateve dhe llogaridhënies për pozicionet, që mbështesin dhe të veprimeve që ndërmarrin;
  5. Mënyrës se si qeveritë veprojnë me tregun dhe biznesin;
  6. Mënyrës se si qeveritë reagojnë kundrejt kërkesave të organizatave jo qeveritare dhe të grupeve të ndryshme të presionit nga shoqëria në përgjithësi.

Për sa më sipër, Shqipëria, duke parë rëndësinë e shtuar të diplomacisë ekonomike për promovimin e vendit në marrëdhëniet dy palëshe, rajonale apo shumëpalëshe do duhet që edhe në shëmbullin e vendeve të tjera të rajonit, të krijojë pozicionin e Zv. Ministrit me kompetenca të zgjeruara për ndërtimin e strategjisë, bashkërendimin dhe bashkëpunimin e politikave, planifikimin, koordinimin dhe zbatimin e diplomacisë ekonomike në shërbim të promovimit të interesave ekonomike dhe politike të vendit.

 

[1] R.J Jones (ed) (2001), “Routledge Encyclopedia of International Political Economy”, London, botimet: Routledge, fq 349.

[2] Pavol Baranay (2009), “Modern Economic Diplomacy”, Publications of Diplomatic Economic Club, fq 8, tek: https://ëëë.dec.lv/mi/Baranay_Pavol_engl.pdf, aksesuar 23/05/2021, ora 18:56.

[3] http://punetejashtme.g ov.al/ëp-content/uploads/2018/08/map-rea.pdf.

[4]Helen Kavvadia, Marie Christine Adam, Kimberly Clemons, Vivien Denvyi, Enrico Girotto, Yulyia Lisova, Fei Mo, Zarja Vojta,” The Economic Diplomacy of Small States. A Case Study of the Grand Duchy of Luxembourg”, Trade and Services, Official Development Assistance (ODA), Foreign Direct Investment (FDI)”, tek:file:///C:/Users/GERMAN/Doënloads/TheEconomicDiplomacyofSmallStates.ACaseStudyoftheGrandDuchyofLuxembourgTradeandServicesOfficialDevelopmentAssistanceForeignDirectInvestment%20(1).pdf, fq 2.