Dr. Apostol Kotani/ Me mashtrime dhe premtime nuk e merrni dot pallatin e kulturës “Naim Frashëri” Përmet, prandaj hiqni dore sa

490
Sigal

Është për të ardhur keq se në rrugën e mashtrimeve, për t’i marrë Përmetit Pallatin e Kulturës, nuk janë futur vetëm priftërinj të thjeshtë të Përmetit dhe Gjirokastrës, apo pseudo priftërinj, me orientim shovenist grek, por është për të ardhur keq se në këtë rrugë është futur dhe uzurpatori i Kishës Ortodokse Shqiptare Anasatas Janullatosi që mburret me titullin e profesorit, ashtu sikurse edhe At JaniTrebicka, njerëzit e “Agimit të Artë” dhe komunitete të tjera ortodokse të fryrë nga mashtrimet dhe presionet.

Kështu Anastas Janullatos në një video që ka shpërndarë, botuar edhe në shtyp, thotë se kisha është ndërtuar në shekullin e XVII-të. Këtë e ka shkruajtur edhe Jani Trebicka në gazetën “Ngjallja”, se ajo i përket vitit 1600. Më poshtë Janullatosi vazhdon se ajo është sekuestruar në vitin 1967 kur u bë sekuestrimi i gjithë kishave, vendin ku është ndërtuar e quan “vend të shenjë, ku për shekuj të tërë është kryer mesha hyjnore” dhe më poshtë. Është diçka e pakonceptueshme e pakuptueshme që këta do të vazhdojnë ta ndotin dhe ta përdhosin. Vunë në lëvizje shumë njerëz, madje edhe intelektualë të njohur që të thonë gënjeshtra “E doni kishën se do ta ktheni vend kumari”.

Kurse zëdhënësi i Janullatosit Thoma Dhima arin të shprehet me kërcënime se ata që prekin kishën do të ndëshkohen nga zoti. Kurse njerëzit e “Agimit të Artë” Organizate pro naziste shkon edhe më tej duke u shprehur se “Shteti i kaçakëve po terrorizon grekët dhe po pushton kishat ortodokse përmes paramilitareve dhe policisë private”.

             Pyesim, ku e gjejnë këtë kurajo që tu kundërvihen ligjeve dhe drejtësisë së shtetit shqiptar, që nuk zbatojnë vendimet që sjellin forca të huaja për të bërë presion mbi qytetarët e Përmetit, apo të bëjnë meshë rrugëve duke patur kishën e Shën-Premtes jo më shumë se 100 metro nga Pallati i Kulturës!? Lind pyetja, ku e gjejnë këtë kurajo që guxojnë t’i kundërvihen dhe të sfidojnë Gjykatën Kushtetuese? Nuk ka dyshim se prapa ngjarjeve të Përmetit qëndron Kryepiskopi Anastas Janullatosi, i cili ka edhe mbështetjen e politikanëve të korruptuar shqiptarë. Me të drejtë Profesor Dr.Kristo Frashëri në shkrimin e tij të botuar në gazetën “Shqiptare” të datës 26 gusht shprehet se: “Në Shqipëri nuk vlen vendimi i Gjykatës Kushtetuese… por më tepër vlen vullneti i një kryepiskopi, i cili vazhdon të pretendojë se për çështjen e “shenjta”, nuk vlejnë ligjet e shtetit madje edhe Kushtetuta.

Problemin e ndërtimit të asaj kishe, të dhurimit të saj dhe të ndërtimit të Pallatit të Kulturës e kam sqaruar fort mirë, si Doktori i Shkencave Historike, në dy shkrime të botuara në gazetën “Telegraf” dhe “Shekulli” të datës 22 gusht, si përmetar dhe si dëshmitar okular, ku sjell fakte bindëse se kisha u ndërtua nga tregtarët e qytetit, për ta patur afër tregut, në truallin publik me 1937, nga një grup  dibranësh, të cilët pasi e ndërtuan si karabina, u larguan dhe ajo ngeli e pa shtruar poshtë dhe me mure të pa suvatuara dhe kishte 5 kandilë, 5 ikona dhe një kambanë. E tillë qëndroj deri në vitin 1962.

Në vitin 1962 nga mitropolia e Përmetit dhe me aprovim të asaj të Gjirokastrës, ju dhurua pushtetit vendor të Përmetit. Në vitin 1963 aty u ndërtua Pallati i Kulturës, i cili zuri vetëm 4.28 metro katrore nga trualli i kishës. Lexojini ato dhe, po patët pesë para mend, do të bindeni se jeni në gabim dhe duhet t’i kërkoni falje popullit të Përmetit, i cili është një popull i kulturuar, human, mikpritës dhe tolerant, i cili priti jo pak, por dhjetë vjet për zbatimin e vendimeve të tre shkallëve të gjykatave deri tek Kolegji Civil i Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë herë nuk tentoj ta marrë atë me forcë siç akuzoni juve dhe si vepruan priftërinjtë e Përmetit dhe ata të ardhur nga Gjirokastra etj., që pas zbatimit të vendimeve nga përmbaruesit e rimorën ndërtesën përsëri me forcë, duke ushtruar dhunë mbi përmbaruesit dhe qytetarët.

Populli i kulturuar i Përmetit gjatë dhjetë vjetëve ndoqi vetëm rrugën ligjore, ju drejtua Presidentit Alfred Moisiu, Kryeparlamentares Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha, u bënë mocione nga 46 akademikë, profesorë dhe intelektualë të fushave të ndryshme të Tiranës dhe një tjetër po me shumë firma nga përmetarët, të tërë personalitete të nderuara që Janullatosi i quan “të nxitur, të paguar”, një kërkesë tjetër për zbatimin e vendimeve është bërë nga një tubim i 44 shoqatave atdhetare kulturore nga i gjithë vendi, janë shkruajtur me dhjetëra artikuj në shtyp.

 Asnjë kishë nuk është sekuestruar sikurse mashtroni ju në vitet e pushtetit popullor me 1967, ato u ndaluan të ushtronin aktivitet fetare, kurse baza e tyre materiale dhe ndërtesat u ruajtën dhe mbi bazën e tyre u ndërtua Muzeumi i Ikonave në Korçë, ndërsa për ndërtesat u dha porosia që ato të përdoreshin për vatra kulture apo për magazina, ndërsa një pjesë e tyre u shpallën si objekte muzeale siç është kisha e Shën Premtes në Përmet, Kisha e Kosinës, e Leuses dhe disa të tjera. Prandaj mos i zmadhoni gjërat, mos i përgjithësoni, për të ngjallur tensione të panevojshme, jo vetëm në Përmet, por edhe më gjerë. Harmoninë dhe bashkëjetesën fetare shqiptare e ka zili edhe bota. Populli i Përmetit nuk është joshur dhe nuk do të joshet me premtimet e Janullatosit për t’i dhënë para në këmbim të ndërtesës, as me ofrimin e shtëpisë së oficerëve, megjithëse këtë nuk e ka ai në dorë dhe as me premtimet e Konsullit grek të Gjirokastrës në vizitën e fundit në Përmet në bisedimet me kryetarin e bashkisë Gilberto Jaçe, që i propozon atij të ndjek rrugën e bisedimeve, por ai ja bëri të qartë se ajo ndërtesë u takon qytetarëve të Përmetit.

 E vetmja zgjidhje për uljen e tensioneve dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira miqësore është heqja dore nga kërkesa e Pallatit të Kulturës Ortodoksëve përmetarë u mjaftojnë tre kishat brenda qytetit, veç atyre në periferi. Pra më tepër se sa ka Tirana. Pra puna nuk është për një ndërtesë, por për qëllime të largëta ogurzeza.

Ju zotërinj, kur jeni kaq të dhënë për ruajtjen e institucioneve fetare përse nuk ndërtoni kishën e Kendrefit në krahun e djathtë të urës së Dardhësit, me një terren shumë të gjerë, ku të premten pas pashkës së madhe bëhej një panair i madh, ku vinin jo vetëm nga Përmeti, por edhe nga Gjirokastra, Korça dhe deri nga Janina, një panair i vërtetë jo vetëm me vlera fetare, por edhe kulturore artistike dhe argëtuese. Përse nuk u shkon mendja për këtë, por vetëm për Pallatin e Kulturës. Mos doni të ndërtoni aty ndonjë ndërtesë të madhe për t’i zënë pamjen qytetit, siç bëtë në Tiranë që kini zënë gjysmën e oborrit të Ministrisë së Mbrojtjes që e morët gjoja për kompensim të kishës që u prish tek Hotel Tirana, të cilën ua kompensojë pushteti popullor me një kishë shumë më të mirë në rrugën e Kavajës, që ju e akuzoni, kurse ju arritët ta merrnit lulishten midis selisë së PS dhe Ministrisë së Mbrojtjes, së cilës i zutë gjysmën e oborrit dhe gati ngjitur me Ministrinë e Ndërtimit, duke shkelur edhe ligjet e ndërtimeve lidhur me distancën midis ndërtesave.

 Prandaj u bëjmë thirrje “Hiqni dorë nga këto mashtrime dhe veprime arbitrare dhe këmbëngulëse se do t’u ndëshkojë jo vetëm historia, por edhe zoti”.

Kisha Ortodokse e Përmetit s’heq dorë nga pronësia

Prej më shumë se një jave, Kisha Ortodokse është përfshirë në një konflikt me Bashkinë e Përmetit lidhur me pronësinë e Pallatit të Kulturës, i cili deri pak kohë më parë ka shërbyer si Kisha e Shën Marisë së Pazarit. Por, me një urdhër të Bashkisë së Përmetit, të zbatuar nga përmbarimi privat, kisha u nxor jashtë dhe ambientet tashmë i kanë kaluar në administrim bashkisë. Incidentet e ndodhura në Përmet përfshinë edhe Athinën zyrtare, e cila me anë të dy deklaratave për shtyp dënoi ashpër atë që kishte ndodhur. Ndërkaq, pas situatës së krijuar, Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Përmetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje. Por nga ngjarjet duket se Kisha Ortodokse e Përmetit nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pronësia e Pallatit të Kulturës.

 Deklarata e komuniteteve të krishtera

Me anë të një deklaratë komunitetet e krishtera në Shqipëri shprehin shqetësimin për atë që ndodhi me kishën e Shën Mërisë në Përmet. Në deklaratën e tyre thuhet se “…duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit dhe motrat tanë ortodoksë të qytetit të Përmetit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe urojmë që çështja e kësaj kishe të zgjidhet sa më shpejt dhe objekti i kultit dhe vendi i shenjtë t’i kthehet besimtarëve dhe klerikëve për të kryer shërbesat e shenjta. Me këtë rast do të dëshironim t’i bëjmë thirrje edhe një herë shtetit shqiptar që të angazhohet në zgjidhjen përfundimtare të kthimit të pronave Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilët edhe pas 23 vitesh demokraci nuk kanë gjetur të drejtën e tyre të ligjshme dhe demokratike”.