Rama takohet me ministrin e Jashtëm francez

456
Sigal

Kryeministri i ri: “Qeveria e re mbështet ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Siri”

Dje, jo më kot, Kryeministri i ri, Edi Rama deklaroi mbështetjen që qeveria e tij do t’i japë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Siri. Pak orë pas kësaj deklarate, Kryeministri Rama u gjend në Paris, ku u takua me ministrin e Jashtëm francez, Laurent Fabius, për t’i dhënë nga afër çdo zotim të qeverisë shqiptare në ndihmesë të Paktit të Atlantikut ndaj diktatorit të Sirisë. “Me Ministrin e Jashtëm francez Laurent Fabius – takim plot shpresa e angazhime konkrete për të ardhmen”. Kështu ka shkruar vetë kryeministri i ri Edi Rama, takimin që zhvilloi dje, në Paris me ministrin e Jashtëm francez, Laurent Fabius. Natyrisht, sipas burimeve të “Telegraf”, pranë selisë të PS-së,  kryetema e bisedës të Kryeministrit Rama me zotin Fabius, ishte ngjarjet në Siri. Kryeministri shqiptar i ka ofruar ministrit të Jashtëm francez, çdo ndihmesë të qeverisë së re, por edhe të Kuvendit të ri, për aleancën Atlantike, në çdo nismë që do të ndërmerret kundër regjimit diktatorial të Sirisë. Kryeministri Rama e ka njohur ministrin e Jashtëm francez edhe me projektin e politikës së Jashtme që do të zbatojë qeveria e re e kryesuar nga ai.  Por, siç bëjnë me dije të njëjtat burime, Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, kanë biseduar edhe çështjet që kanë të bëjnë me dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, e cila do të diskutohet në këtë vjeshtë ne BE. Kryeministri Rama, është munduar që të marrë ndihmesën e Francës.  Qeveria e re mbështet ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Siri. Kryeministri i Zgjedhur Edi Rama në një konferencë për shtyp, se me marrjen e detyrës në Kuvend, do të mbështesë çdo operacion për të ndalur marrëzinë vrastare ndaj siriane dhe aspiratën për liri të çdo populli. “Si një komb që njeh mirë parimet e lirisë dhe dhunën nga regjimet shtypëse, ne qëndrojmë pranë popullit sirian në këtë moment tragjik për të. Si një popull që e ka lidhur fatin dhe të ardhmen e tij me fatin dhe të ardhmen e lirisë e të demokracisë, ne do të jemi pa asnjë diskutim e hezitim në krah të Shteteve të Bashkuara në çdo front beteje ushtarake që arsye të vetën, ka lirinë e njerëzve dhe çlirimin e popujve nga regjimet barbare të cilat shkojnë deri tek armët kimike për mbijetesën e tyre. Si qeveria e re e Shqipërisë, ne do të jemi kurdoherë dhe me çdo çmim, në lartësinë e borxhit të pashlyeshëm historik ndaj aleatëve që mbështetën aspiratën e shqiptarëve për liri dhe sot ne jemi njësh me ta, në shprehjen e revoltës ndaj regjimit të Damaskut e të përgjegjësisë për t’ju kundërpërgjigjur ushtarakisht politikës shfarosëse të armëve kimike. Jemi plotësisht gati që me të marrë detyrën në Kuvendin e Shqipërisë, të marrim edhe detyrën që na takon për të mbështetur me të gjitha kapacitetet e kërkuara operacionale përpjekjen e Aleancës Euroatlantike për të ndalur marrëzinë vrastare ndaj popullit sirian. Jam i bindur se në këtë drejtim Kuvendi i Shqipërisë do të jetë unanim përballë çdo kërkese që do të vij nga NATO dhe ne do të jemi të pakursyer për të qëndruar pranë popullit sirian në këtë moment të vështirë për të”.

Rama: “Tre ditë intensive, për të hapur një kapitull të ri zhvillimi”

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka bërë dje  të ditur detaje të tjera nga takimet me ekspertët e ndryshëm, të cilët morën pjesë edhe në konferencës ‘Shqipëria e gjeneratës tjetër”. Teksa ka publikuar foto nga këto takime, Rama shkruan se ishin tre ditë intensive me debate e biseda të detajuara. “Në tre ditë tejet intensive u zhvilluan përveç sesioneve publike edhe debate e biseda të detajuara, për çdo sektor të ekonomisë dhe për strategjinë e betejës shumëplanëshe që do rikthejë kontrollin e territorit duke hapur një kapitull të ri zhvillimi”, shkruan Rama.