Dora d’Istria dhe Zhorzh Sand – Lajmëtare të Epokës Moderne

828
Sigal

Rajna Kovaçi

Të mbrosh të drejtat e gruas dhe interesat e saj nuk do të thotë t’i bësh padrejtësi burrave. Përkundrazi të luftosh e të fitosh për gruan, do të thotë të luftosh e të fitosh edhe për burrin…

Konfuci thoshte: “Është mallkim të jetosh në kohë të vështira…”. Por kohët janë gjithmonë të vështira, pavarësisht nga shkaqet dhe arsyet. Për çudinë tonë ka përherë njerëz që thyejn stereotipin e kohëve. Gjithmonë do të ketë njerëz që zotërojnë aftësitë për të ndryshuar pikëpamjet për jetën. Dora d’Istria dhe Zhorzh Sand ishin të tilla, për fatin e tyre të mirë e të keq, ishin bashkëkohëse të njëjtës epokë. Hynë në historinë e njerëzimit për konceptet e reja që futën në mënyrën e të menduarit e të jetuarit. Ishin avangard, ekcentrike, inovatore, joshëse, inteligjente, të talentuara, të bukura-plot hijeshi, elegante – Zhorzh Sand emblema e vërtetë e gruas që guxoi në ato kohë, të kërkojë barazinë me burrat, bëhet fjalë për 1800. Këto zonja aristokrate qenë gratë që kërkuan dhe imponuan me vepra dhe teori barazinë gjinore:

Dora d’Istria, Zhorzh Sand. Morën përsipër dhe kontribuan në thyerjen e mitit konceptual të mbizotërimit të burrave në jetën shoqërore. Dora d’istria u konsiderua nga ajka e inteligjencës së asaj kohe “si një nga mendjet më të ndritura e të mencura të Europës…” Shkrimtarja Zhorzh Sand i skandalizoi bashkëkohësit. Po të hedhësh vështrimin në historinë e jetës së saj, atë e përshkuan histori me pasione tronditëse.., përherë në kërkim të dashurisë së trazuar e tronditëse. Është e vërtetë që të dyja kishin një autoritet absolut mbi burrat. Sand luftoi për të drejtat e grave, të ishin të pavarura, të dashuronin të lira ashtu si burrat – të gëzonin të drejtën të zgjidhinin vetë partnerët e tyre e më pas të ndaheshin, nëse do të ishte e nevojshme pa kaluar në tragjedi dhe trishtime. E më pas të gjenin një dashuri tjetër. Kuptohet për kohën ishte e pamendueshme dhe skandaloze, u mallkua nga bashkëkohësit e saj dhe u quajt e “mjerë”, madje edhe sot ka njerëz që e quajnë “burrëngrënëse”. U konsiderua e tillë dhe u akuzua rëndë, vetëm sepse ishte grua. Sipas Sand:”Ka vetëm një lumturi në jetë – të dashurosh e të jesh e dashuruar”, por ideja e saj për dashurinë ndryshonte rrënjësisht me atë të bashkëkohëseve. Në rastin Znj-s Sand takojmë një grua që nuk ëndëronte e pretendonte për një burrë pasanik, fëmijë dhe një shtëpi të këndshme. Dashuria dhe lumturia për të ishin gjithshka. Dhuntia e saj brilante për PR (relacionet publike ose pi-ar), bëri që shkrimtarja, jo thjesht u integrua në qarqet intelektualo, kulturoro- aristokratike që deri atëherë ishin të pushtuara e të sunduara prej krijuesve meshkuj, por përmes skandalit dhe provokimit të vërtetë ajo arriti të përqëndronte me këmbëngulje vëmëndjen e të gjithëve drejt talentit dhe aftësisë që zotëronte.

Nëse hedh vështrim mbi figurën e Dora d’Istrias, kontributi i saj ishte i madh në drejtim të emancipimit e gruas, në integrimit të saj në shoqërinë e atëhershme, mbrojtjes së të drejtave të njeriut në mbarë botën dhe sidomos të popujve të vegjël. Ajo kontribuoi në pavarësinë e Shqipërisë. Qëndrimi i saj ndaj rolit të grave dhe ndikimit në përparimin e shoqërisë, në lëmin e kulturës, arsimit, politikës, evidentoi vizionet e saj për të ardhmen dhe vendin e rëndësishëm që duhet të zinte gruaja në shoqëri. Në veprën e saj “Gratë, të para nga një grua” ndër të tjera hedh poshtë tezat e gabuara mbi inferioritetin intelektual e moral të gruas, jo për sentimentalizëm ndaj seksit të saj, por e bindur se mbronte çështje të drejta shoqërore. “Të mbrosh të drejtat e gruas dhe interesat e saj nuk do të thotë t’i bësh padrejtësi burrave. Përkundrazi të luftosh e të fitosh për gruan, do të thotë të luftosh e të fitosh edhe për burrin…”

Zhorzh sand dhe Dora d’Istria kurrë nuk u ankuan për mungesë dashurie. Të dyja ishin të rrethuara nga amiratorë dhe njerëz që i mitizonin. Në historinë e jetës së Sand e vetmja gjë negative ishte, se dashuria shpesh kalonte dorë për dore në tragjedi dhe vuajtje. Jeta e shkrimtares ishte një varg me ‘love-story’ të mrekullueshme, pasuar nga humbje ose ndarje. Sepse ashtu i pëlqente. Ajo ishte një vajzë si të gjithë të tjerat.

U lind, më 1 korrik 1804, e quajtën Amandinë Oror(Aurora) Luciel Dupne, në një familje të pasur, me prejardhje mbretërore. Në moshën 16-vjeçare Oror-Aurora siç e quajtën të gjithë, e dërguan në një manastir dhe atje kreu shkollën dhe në moshën 18-vjeçare u martua me Baronin Dyudevan. Gjëja që e shpëtoi atë në jetën e përditshme gri, si në kohën kur ishte në manastir, po ashtu edhe në jetën martesore, ishin librat e saj. Vajza e re lexonte çdo libër që i binte në dorë- që nga Zhan Zhak Ruso deri tek Shekspiri. Ajo besonte se leximi do të ishte bashkudhëtari e shoqëruesi i saj në jetën e vet të paracaktuar. Derisa zbuloi dashurinë e vërtetë.

Po ashtu ndodhi edhe me Dorën, u lind në Bukuresht, më 22 Janar të 1828. Ishte bija e princit Mihal Gjika, me origjinë shqiptare, guvernator i principatës së Vlahisë, një arkeolog shumë i shquar dhe krijues i Muzeut të parë Kombëtar të Rumanisë, i pasur dhe me prejardhje aristokrati. Arsimimi dhe kulturimi i saj iu besuan një mësuesi të famshëm, Gregor Xhorxh Papadopulos. Elena adoleshencën e kaloi duke vizituar e studjuar në krah të babait të saj në vende të ndryshme të Europës si në oborrin mbretëror të Vjenës, Venecies, Drezdenit, Berlinit. Zotëronte 9 gjuhë të huaja. Në moshën 18-vjeçare u martua me princin Koltzoff-Massalski, pasardhës i një prej familjeve më të vjetra e të mëdha ruse nga fisi i Pjetrit të Madh. Shpejt ndahet dhe largohet nga Rusia për arsye të shumta një prej të cilave ishte edhe mungesa e lirisë dhe e klimës së rëndë politike joliberale që egzistonte në Rusi. Që kur u largua nga Rusia filloi një periudhë pelegrinazhi, udhëtimesh, studimesh duke marrë një gamë shumë të gjerë interesash: Që nga historia, filozofia, rifleksione për çeshtjet fetare, politike, ekonomike, letrare, duke u thelluar në folkloret dhe traditat e shteteve të ndryshme edhe në atë shqiptare. Duke pasur një personalitet shumë emocional u lidh me pikturën dhe muzikën. Në vitin 1854 disa nga pikturat e saj u vlerësuan me çmime në ekspozita në Shën Peterburg. Një pjesë tjetër e veprimtarisë së saj ishte letërkëmbimi me Jeronim De Radën. Qëndrimi i tyre i përbashkët për të njëjtin qëllim atdhetar është i mbështetur në këto letra. Këto letra i janë dërguar De Radës gjatë viteve 1859-1887 nga Zvicra, Livorno, Venecia, Firence etj. Idetë e saj iluministe dalin qartë në këtë letërkëmbim.

Po të kthejmë sytë nga Zhorzh Sand vlen të përmendim se thoshte shpesh: “Gratë dashurojnë përherë…” Deri në fund të jetës luftoi për të drejtat e grave , për të patur edhe ato të drejtën për tu bërë shkrimtare-autore, të gëzonin lirinë për të shkruar e të pavarura nga ana financiare. Në këtë periudhë tek Sand lindi një fenomen i çuditshëm-ajo filloi të vishej me kostum burrash, pinte puro dhe cigare – dhe bëri një veprim që deri atëherë ishte i padëgjuar, kërkoi divorcin. Në një nga shkrimet e saj të famshme shkruante “.kur toka u rëshqet grave, ato shkojnë dhe fshihen në Parajsë.”. Një rëndësi të veëantë në veprën e saj Dora i kushtoi familjes, e shihte në tre dimensione: Martesa, Divorci dhe Pozita e fëmijëve. Sipas saj: “Martesa duhet të bazohet në zgjedhjen e lirë dhe dashurinë, duhet të realizohet në bazë të drejtave të barabarta e të respektit reciprok, ku gruaja nuk duhet të jetë në pozita inferiore, të skllaves”. Martesa sipas Dorës nuk është një lidhje që nuk mund të zgjidhet, ajo e quante një fitore të gruas të drejtën për divorc. Gjithashtu ajo theksonte se kjo gjë duhet jetë e drejtë edhe gratë e thjeshta e shtresës së mesme. Gjithmonë mbrojtëse e flaktë e të drejtave të grave, luftëtare e paepur për një legjislacion që t’i trajtonte në mënyrë të barabartë të dyja gjinitë. Ashtu si Sand edhe Dora u bënë udhëtare të gjithë botës. Dora ishte një eksploratore e vërtetë. Në vitin 1900 si një nga udhëtaret më të famshme të shekullit të 19-të, i dedikuan një libër për të gjitha udhëtimet e saj. Në ndryshim nga Sand ajo u admirua nga të gjithë popujt, nga shqiptarët, arbëreshët. Përherë për të u fol me dashuri dhe admirim. Edhe ajo u bë objekt i një pjese shumë të bukur muzikore, u shkruan shumë poezi, piktura, skulptura, dedikime pafund. Ishte gruaja e parë që u ngjit në Alpet e Zvicrës.

Po ashtu dhe Sand u ngjit në alpet Pirenei, dhe udhëtoi e eksploroj në shumë vende të botës. Në një udhëtim nëpër Pirenej takoi Oreljë dë Sez, shkëmbyen letra të zjarrta dashurie, por lidhja e tyre mbeti platonike. Oreljë endej mes emocioneve të dashurisë dhe depresionit. Më pas takoi Zhyl Sandon, i cili e inkurajoi të shkruante ditarin e vet personal dhe letra të ndryshme, por që nuk guxoi t’i botojë. Në vitin 1831 del në dritë romani “Roz dhe Blansh”, të cilin e shkruan së bashku me pseudonimin J. Sand. Megjithëse edhe kjo lidhje dashurie zgjati për pak kohë ajo u bë rilindja e vërtetë e saj, i dha jo vetëm emrin me të cilin ajo hyri në histori, por edhe sigurinë, që u bë shkrimtare. Në vitin 1833 takohet dhe dashurohet marrëzisht me poetin e talentuar francez Alfred dë Myse, historia e tyre e dashurisë ishte aq e fortë saqë vazhdoi t’i trazonte të dy edhe shumë kohë pasi u ndanë. Ajo kishte një personalitet që të emociononte, për të u shkruan shumë rrjeshta të zjarrta, u bë objekt i shumë romaneve, u bënë shumë filma, poezi, pjesë muzikore. Ajo shkruante: “Jeta i ngjan një romani shumë më tepër, se romanet i ngjajnë jetës.” Në të vërtetë jeta e saj ishte plot emocione trazimtare me kthesa të papritura e njëpas njëshme. Myse ishte i njohur për aventuarat e tij. Shpesh e quanin si njeri të paaftë për të dashuruar, por vetëm shkatërronte. Interesant është fakti se të njëjtën gjë thoshin edhe për Sand. Mos vallë ata zbuluan tek njëri tjetri dashurinë e vërtetë apo thjesht vetë shkëtërronin njëri tjetrin?! Mendoj se mbetet pa ndonjë përgjigje kategorike. Marrëdhënia e tyre ishte seri pasionesh, skandalesh, frymëzimesh, trishtimesh, sakrificash dhe egoizmi. “Dua te jap aq shumë, sa mund t’u ofroj vdekjen time”- shkruante Myse. Dashuria i frymëzonte për të krijuar. Tek dhimbja që i shkaktonin njëri tjetrit nga dashuria, gjendej patosi i domosdoshëm për veprat e tyre. Myse u sëmur rëndë dhe kjo gjë e shkatërroi Sand, ajo u hodh e marrosur në krahët e mjekut që kuronte Mysenë, të afërmit e tij që ishin të pranishëm u skandalizuan e paragjykuan sjelljen e saj, e akuzuan se gjoja nuk e ka dashur kurrë Alfred dë Mysenë. Sipas biografëve të saj, shkrimtarja mund të ekzistonte personalisht vetëm brenda dashurisë, lidhja e saj me doktorin e Mysesë ishte për të mënyra e vetme për të mos kryer vetëvrasje, për të mos vdekur nga pikëllimi mbi të dashurin e zemrës, i cili dha shpirt para syve të saj. Veprim i palogjikshëm dhe i çmendur ashtu si ishte edhe dashuria e tyre. Alfredi shkruante: “Mos e vrit dashurinë, para se ajo të shuhet vetë. Sepse ajo do të hakmerret!” Mbas vdekjes së tij ajo jetoi me avokatin Mishel dë Burzh, i cili e prezantoi me Frederik Shopen. Bashkëjetuan me muzikantin plot 14 vjet, me një dashuri shumë e ndërlikuar që i frymëzonte të dy në krijimtarinë e tyre. Sand shkruante: “Thirrja e artistit është të përçojë dritë në zemrën e njeriut”. Të dy me Frederikun kishin gjetur shpirtin binjak, e dashuronin marrëzisht njëri tjetrin. Por edhe kjo lidhje nuk ishte pa tërmete dhe ndryshime. Kur Shopeni u sëmur rëndë, ajo nuk u largua por i qëndroi pranë. E vështronte me dashuri, sillej me të si me një fëmijë. Një nga biografet e saj e përcaktonte dashurinë për pianistin më tepër si dashuria e nënës për fëmijën, se sa gruaja për burrin. Lidhja e tyre shkoi drejt rënies. Ata disa herë u ndanë e u bashkuan. Arsyeja kryesore ishte, Shopenit nuk i pëlqente krijimtaria e Sandit dhe shpesh e kritikonte. Është vërtetuar se ai nuk i lexoi kurrë veprat e saj. Po përse shkrmtarja përdorte atë si prototip të heronjve të dashuruar dhe atyre egoist ë? Mos vallë ajo tallej hapur me partnerin e saj, apo thjesht kompozitori i zmadhonte, nuk është e qartë. Por është fakt se lidhja e tyre u prish. Sand shkruante: “Nuk mund të këpus as edhe një faqe nga jeta ime, por mund të hedh në zjarr të gjithë librin”, kështu ajo e kishte deklaruar se nuk mund të qëndronte as edhe një minutë pa Shopenin, në fund të fundit vendosi të jetonte pa të. Vetëm 2 vjet pas ndarjes ai vdiq, me emrin e saj në gojë…

Për Dora d’Istrian dua të theksoj se pati veprimtari shumëdimensionale, krijoi një stil të ri mode që u quajt në Paris “Moda alla Dora d’istria” një nga stilet më elegante të modës pariziene. Frymëzoi shkrimtarin e madh amerikan, Longfellow, falë dëshirës së saj ai shkruajti poemën e famshme për Gjergj Kastriotin Skënderbeu. Gjatë gjithë jetës ajo u rrethua nga njerëz të rëndësishëm, mbretër, presidentë shtetesh, intelektualë, shkrimtarë dhe artistë. Ajka e shoqërisë italiane dhe europiane i dhanë titullin “Mbretëreshë e Grave”. Më 1862 u bë “Qytetare Nderi e Athinës”, personaliteti i dytë pas Bajronit që e fitoi një nderim të tillë të madh. Më pas në Stamboll etj. Mikeshë dhe mbështetëse e Garibaldit. Ai e quajti “Motra ime trime”. Vdiq në vilën e saj në Firence në vitin 1888, e rrethuar nga qindra miq, admirues dhe personalitete të kohës. Gjithashtu e rrethuar edhe nga lulet e pemët e rralla që gjendeshin vetëm në kopshtin e saj të mrekullueshëm.

Megjithëse, jetuan në atë kohë, e vërtetuan fuqinë e shpirtit të tyre krijues dhe mendimin moderatoro-përparimtar. Zhorzh Sand e filloi që në veshjen transvestismit skandaloz “famëkeq” kishte për qëllim t’i tregonte botës, se gratë e kanë të domosdoshme të trajtohen ashtu si duhet, të ketë edhe për to të njëjtën drejtësi që ka për burrat, edhe ato mund të vishen si burra dhe nuk ishte aspak mëkat. Zhorzh Sand ishte gruaja e parë që veshi smoking dhe cilindër dhe puron nuk e hiqte nga goja. Qëndronte dhe pozonte si mashkull por në të vërtetë ishte shumë femër.

Si u largua nga kjo botë Zhorzh Sand? Në 1876 në Noan, Francë, Amandin Oror lindur në Paris vdiq. Atë ditë, pranë varrit të saj,Viktor Hygo tha: “Unë mbaj zi për vdekjen e saj, dhe përshëndes pavdekësinë e saj. Ajo u largua fizikisht nga bota, por pena e saj mbetet e pavdekshme. Çdo vepër e firmosur me emrin e saj mashkullor do të jetojë në përjetësi..”A mund ta përfytyroni këtë zonjë të veshur me kostum burrash duke ecur, në mesin e turmës të kësaj shoqërie hipokrite ku ajo jetoi dhe punoi. Në ndryshim nga Dora d’Istria që e mbajti pseudonimin femëror. Shkrimtarja me shumë histori dashurie e rrethuar nga dashamirës të shumtë, ka lënë pas romane të paharrueshme, histori, novela, drama dhe tekste gazetareske. Është e vërtetë që këto gra nuk mund të harrohen, jo vetëm për shkak të shumë veprave që kanë lënë pas, por edhe për shkak të revolucionit që ato ngjizën, ku ishin vetë ato pjesëmarrëse dhe krijuese, në kohët kur bota u përkiste më shumë burrave se grave. Në ditët e sotme është e lehtë të pranosh të ndryshmen. Pas revolucionit seksual asgjë nuk na çudit dhe asgjë nuk është e huaj për ne. Qoftë për shkak të motiveve të sinqerta ose tolerancës së dukshme, sot jemi mësuar me sjelljen e çuditshme dhe kontroverse lidhur me epshin, por mbi të gjitha, sidomos për rëndësinë e energjisë krijuese.