Një sherr mes ish-dhëndrit Eduart Çotaj dhe ish-vjehrrit të tij Kanto Narkaj që mund të kishte përfunduar me vrasje, është parandaluar sot në Lezhë.
Policia ka arrestuar 67 vjeçarin Kanto Narkaj pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-dhëndrit, duke e kërcënuar se do e vriste.
Lidhur me sherrin e tyre policia është lajmëruar përmes një telefonate. Pas marrjes së njoftimit, policia ka shkuar në adresën e dhënë, duke bërë të mundur parandalimin dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti që dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e ish-vjehrrit është gjetur dhe sekuestruar 1 mitraloz, 2 kallashnikovë, një granatë dore me ndezës të montuar, 4 krehra dhe 3979 fishekë.
Njoftimi i policisë:
Policia e Lezhës parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Finalizohet operacioni policor “Parandalimi”. Ushtroi dhunë ndaj ish-dhëndrit, për motive të dobëta, dhe e kërcënoi së do ta vriste me armë zjarri, reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Sekuestrohen arsenal armësh (mitraloz, kallashnikovë) dhe municione luftarake. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë marrë njoftim për një konflikt midis shtetasit K. N. dhe ish-dhëndrit të tij, shtetasit E. Ç., në fshatin Balldre, Lezhë. Sipas informacioneve, shtetasi K. N. kishte dhe armë zjarri në banesë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, kanë arritur të neutralizojnë dhe të vënë në pranga shtetasin K. N., duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. N., ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 mitraloz, 2 kallashnikovë, një granatë dore me ndezës të montuar, 4 krehra dhe 3979 fishekë. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestua në flagrancë shtetasi K. N., 67 vjeç, banues në Balldre, Lezhë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje”.