Ramiz Alia, duke parë që
pushteti nuk kishte më fuqi, pranoi pa kushte Pluralizmin Politik në Republikën
e Shqipërisë
Si dhe pse filloi lëvizja studentore në vitin 1990?
Si sot plot, 26 vite më
parë, në kryeqytetin e Shqipërisë, e pikërisht në Qytetin “Studenti”,
studentët e Universitetit të Tiranës ngritën krye për herë të parë në historinë
46-vjeçare të komunizmit, kundra këtij regjimi famëkeq. Ata në datën 8 Dhjetor
1990 vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundra regjimit,
fillimisht për ndërprerjen e energjise elektrike, kushtet e vështira ekonomike
që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin
studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën
ndodhi edhe një incident: policia e ushtria përdorën dhunë për të shpërndarë
studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e
pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve
dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të
jetesës ata kërkuan lejimin e pluralizmit si dhe dënimin e dhunuesve të
studenteve. Lëvizja studentore nisi si një uragan dhe
asaj iu bashkuan edhe pedagogët, si dhe qindra e mijëra qytetarë të Tiranës.
Ngjarjet e atyre ditëve rodhën me një shpejtësi marramendëse.
E gjithë Tirana ishte në “Qytetin
Studenti”, ndërsa e gjithë Shqipëria i kishte kthyer sytë nga bijtë e saj.
Lëvizjes Studentore i ishte bashkangjitur i gjithë populli i Tiranës. Thirrjet
e studentëve “Poshtë komunizmi”, “Liri-Demokraci”,
“Enver-Hitler”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”
buçisnin në rrugët e Tiranës. Tashmë, studentët kërkonin hapur lirinë e fjalës,
pluralizmin politik, ekonominë e tregut dhe vendosjen e shtetit ligjor. Ngjarjet rodhën shumë
shpejt dhe pas shumë protestave ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam
Shqipërinë si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem
Hajdari, iu drejtua me 11 Dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave ku priteshin në
takim nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërise, Ramiz Alia,
njëkohësisht edhe President i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i lëvizjes
studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkangjitur
tashmë dhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria, dhe
pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa
kushte Pluralizmin Politik në Republikën e Shqipërisë. Më 12 dhjetor të vitit ’90, studentët, intelektualët,
punëtorët dhe qindra mijëra vetë që i ishin bashkuar Lëvizjes Studentore
krijuan të parën parti opozitare, partinë e idealeve të mëdha të lirisë dhe
demokracisë, krijuan Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Ora 10:00.
Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për
vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina
27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që
Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup
studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B. iu
drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, “unë nuk mund të
lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”
Ora 20:30.
Kabina elektrike në qytetin
“Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat
kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe
thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë
kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri./ O djem rrëmbeni pushkët/
Ja vdekje ja liri”! Si dhe u hodhën parrullat, “Poshtë
komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.
Ora 21:00
Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u
mbledhur të gjithë. Brenda 10 – 15 minutave u mblodhën rreth 200 – 300
studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina
17 u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar
me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse
sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën
rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.
Ora 21:00
Në përpjekje për të pasur sa më shumë
solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e
tyre. Ndërkohë dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to.
Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua
që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri si
i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim, Azem Hajdari. Pastaj itinerari për
solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve
mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit”
me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.
Ora 22.00
Në hyrje të lagjes afër çerdhes, policia
kishte vënë postobllok. Aty foli Piro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës
zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Piron, se sekretari i cilës
parti ishte?
Ora 24.00
Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili
filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u
acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për
takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do
të ishin të arrestuar.
Ora 01.10, 9 dhjetor
Nisi dita e re. Delegacioni u kthye nga Alia
me premtimin, se policia nuk do të përdorte forcën me studentët dhe të nesërmen
ose do të priste 300 studentë në Qytetin “Studenti” ose 3000 në
Pallatin e Sportit “Partizani”. Ata komunikuan kompromisin, i cili
nuk u pranua dhe u vërshëllye nga studentët demonstrues, numri i të cilëve
ishte 2000-2500 vetë. Studentët kërkuan të ecin drejt sheshit. 5-6 vajza që
ishin dolën përpara demonstruesve. Acarimi arriti kulmin.
Ora 01.20
Hekuran Isai improvizoi një humbje të
pistoletës të një oficeri dhe dha tre herë urdhër: “Bjeruni, bjeruni,
pastroni sheshin”. Njëri nga studentët e kapi nga dy duart Hekuran Isain
dhe u kujtoi premtimin e Alisë se s’do të përdorej dhuna. Isai nuk reagoi,
atëherë studenti e shtyu dhe e hodhi ministrin e Brendshëm të PPSH në
grumbullin e ferrave anash rrugës.
Ora 01.35
Pas demonstrimit të përleshjes, të plagosur,
të irrituar, të baltosur, dhe me urrejtje të madhe kundër komunistëve, duke
thirrur parrulla të ashpra, studentët u kthyen në Sheshin
“Demokracia”. U debatua pak, nëse do të vazhdohej natën apo të
nesërmen, u la për në orën 7.30 të mëngjesit.
Ora 8.00
Vetëm në atë orë u mblodhën grupet e para. Në
godina ishte nxjerrë një njoftim dore për bojkotim mësimi. Megjithëse e dielë
ishte mësim, pasi zëvendësohej një ditë pas festave të nëntorit. Disa studentë
i kishin prerë rrugën atyre që shkonin në fakultete dhe u bënin thirrje për
solidaritet. Më të pabindurit ishin FSHN dhe Juridiku.
Ora 9.00
Në qytetin “Studenti” shkon A.H.
djemtë e Inxhinierisë, që i rrinin pranë dhe në një farë mënyre ishin
organizatorët e ditës. Ndërkohë sheshi i mbushur plot mori itinerarin
Kinostudio-Filologjik-Ambasada Amerikane-Sheshi “Skënderbej”.Të gjithë
protestonin ndaj R.Alisë që s’mbajti premtimin dhe të gjithë besonin se ishin
arrestuar studentë mbrëmjen e parë. Tashmë ishin 5-6 mijë demonstrues. Afër
ambasadës amerikane policia i ndau në dysh. Grupi i parë vazhdoi deri afër
Liceut. Aty policia e frymëzuar nga Lenini dhe Stalini që vigjëlonin në muze
anash, bllokoi rrugën dhe filloi të merrte masa që studentët të mbeten të
izoluar nga qytetarët e Tiranës.
Ora 9.30:12.30
Në qytetin “Studenti” shkuan dhe
ikën të deleguarit e Alisë. Nuk u arrit asnjë kompromis. Studentët tashmë
kishin avancuar në kërkesat politike, thirrjet dhe organizim.
Ora 13.10
Pas një vese të hollë shiu, doli dielli.
Policia mori urdhër për veprim, katër herë dështuan. Herën e pestë, pas një
sprapje ata u vërsulën fuqishëm mbi studentët. Ishte një masakër e vërtetë.
Rreth 20 të arrestuar, 60 të plagosur dhe qindra të tjerë të vrarë në shpirt e
në zemër. Për t’i shpëtuar shkopinjve të gomës, u strehuan tek familjarët e
lagjes. Gjithçka vazhdoi e tillë në ankthe e pritje, derisa në orën 14.00 shkoi
tek studentët Prof. Dr. Sali Berisha, dhe u premtoi atyre se do të bënte të
pamundurën se do të lironte studentët e arrestuar. Por atë pasdite do të
zgjidhej një komision përgjegjës, i cili kishte mandat për përfaqësimin e
mendimeve të studentëve. Policë e ushtarakë u larguan nga Qyteti
“Studenti” dhe brenda ditës dhjetëra kujdestarë e punonjës u
zëvendësuan me efektiva të 326 ose të Sigurimit të Shtetit.
10 dhjetor ora 9.00:10.00
Studentët u grumbulluan në Sheshin
“Demokracia”. U deklarua bojkotimi i mësimit dhe në mënyrë të
përgjithshme u përvijuan kërkesat e peticionit që iu dërguan R.Alisë. Në
Qytetin “Studenti” arritën banorët e rinj. Ata ishin studentët e
familjeve tiranase dhe punëtorë. Tashmë, sheshi ishte i mbushur për të mos u zbrazur
më. Ndërkohë në mikrofonë dhjetëra liderë të ardhshëm shprehnin solidaritetin
me studentët dhe i jepnin opsione të zgjidhjes. Pasdite filloi një shi i
tmerrshëm, megjithatë studentët nuk u larguan. Të detyruar nga kushtet,
komisioni i studentëve (deri atë natë u bënë dy komisione) i ftoi studentët në
mencën e studentëve 7-1 dhe u dha variantet e takimit me Presidentin Alia. Të
gjithë kërkuan dhe ranë dakord për takim me R. Alinë ose në Qytetin
“Studenti” ose me 3000 studentë në Pallatin e Sportit “Partizani”.
11 dhjetor ora 9.00
Filloi mitingu i ditës. Pjesëmarrje e
jashtëzakonshme, sepse tashmë Qyteti “Studenti ” ishte çliruar nga
komunizmi. U komunikua se R.Alia priste një përfaqësi prej 30 vetësh në takim
në mbrëmje. Çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet.
Ora 10:00- 16:00
Vazhdoi zgjedhja e delegatëve nëpër fakultete.
11 dhjetor ora 18.00
Arriti autobuzi dhe në mënyrë madhështore u bë
nisja e studentëve dhe pedagogëve për takim me Presidentin komunist Alia.
Ora 20.00
Nëpërmjet RTV u komunikua deklarimi i
pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH.
Ora 21.00
Delegacioni i kthyer në një pritje entuziaste
e madhështore. Delegacioni i cilësoi bisedimet të suksesshme dhe u tha se do të
formohej opozita e parë. Pati disa propozime për emrin e partisë së re dhe u la
për të nesërmen në mitingun e madh të pasdites.
12 dhjetor Ora 9.00
U mbajt mitingu i parë i punëtorëve në Qytetin
“Studenti”, ndërkohë që prej darkës së parë në godinën 15 vazhdonte
hartimi i dokumentave prezantuese të PD. U mblodhën 365 nënshkrime të
domosdoshme për themelimin e një partie, nga të cilët 194 ishin studentë.
Ora 16.00
Në një miting historik madhështor, u shpall
themelimi i PDSH, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u
komunikua programi minimal i PDSH.
Aktivitete me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë
Me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, Ministria
e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të organizojë aktivitete
që do të shoqërojnë hapjen e zyrës rajonale rinore në Tiranë, angazhim i dalë
nga Procesi i Berlinit mes kryeministrave të 6 vendeve të Ballkanit. Ministrat
e Rinisë së Rajonit do të jenë në Tiranë për ceremoninë e hapjes së zyrës
rinore ballkanike. Dje në orën 19.00 u zhvillua ceremonia e pritjes te Muzeu
Historik Kombëtar, ku do të organizohet edhe Panairi i organizatave
rinore. Fjalën e hapjes e mbajti
Ministri Klosi. Në 8 Dhjetor do të bëhet ceremonia e hapjes së zyrës në orën
09.30 minuta tek Pallati i Kongreseve. I pranishëm do të jetë kryeministri Edi
Rama. Pas inaugurimit të zyrës, do të hapet Konferenca Rajonale tek salla ovale
tek Pallati i Kongreseve. Me këtë rast
do të mbajë fjalën kryeministri Rama dhe ministrat e rinisë së rajonit. Punimet më pas do të zhvendosen në
“Sheraton”, ku pas të cilave do të
mbahet edhe konferenca për shtyp e ministrave.
PD e pret 8 Dhjetorin me protestë, jo me festë
Sot në Ditën e Rinisë, 8 dhjetorin, Forumi Rinor i Partisë
Demokratike do të zhvillojë disa protesta në të njëjtën kohë në kryeqytet.
Protesta pritet të nisë në orën 11:00, ku disa të rinj do të protestojnë tek
Ministria e Arsimit, disa të tjerë tek Bashkia e Tiranës dhe të tjerë të rinj
tek Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë. Ne orën 12 protestuesit
do të bashkohen para kryeministrisë në një protestë kundër qeverisë dhe
reformave të saj. Një vit më parë, protestues të thërritur nga PD prishën
rrethimin te Ministria e Brendshme dhe i vendosën flakën bunkerit që po
ndërtohej aty. Të pranishëm ishin edhe deputetë të PD, të cilën qëndruan si
spektatorë. Kjo ngjalli reagimin edhe të ambasadave në Tiranë, të cilat
kritikuan lidershipin e opozitës.