Dita e Pavarësisë, Kryemadhi: Sot, kemi nevojë për bashkimin, solidaritetin, vëllazërinë për njëri tjetrin

103

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka mbajtur homazhe në varrin e Ismail Qemalit, në kuadër të 108-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Kryemadhi nga Vlora iu bëri thirrje shqiptarëve për përbashkim për flamurin Kuq e Zi, dhe që të kthehen në Shqipëri.

Ajo ndër të tjera ka theksuar se sot më shumë se kurrë duhet të mblidhemi të gjithë bashkë që të përballojmë këtë evazion të shqiptarëve.

Mesazhi i Kryemadhit:

“28 Nëntori, dita e Pavarësisë, ku 108 vite më parë, burra dhe gra, por mbi të gjitha të gjitha mendjet e ndritura që bashkuan të gjithë shqiptarët, sfiduan të keqen e asaj kohe, që ishte lufta më e madhe përballë pushtimit, por mbi të gjitha ishte ajo që ne e quajmë fitore mbi të keqen dhe për të krijuar çdo lloj identiteti kombëtar, në mënyra nga më të ndryshmet kërkonin të zhduknin ekzistencën shqiptare.

Bashkimi i të gjithë shqiptarëve nuk do të thotë thjesht bashkim si individ, por do të thotë bashkim vlerash, bashkim idesh, bashkim dashurie, solidaritet me njëri tjetrin, aq më shumë në këtë vit të mbrapshtë, që është viti i kësaj situate që ka shkaktuar pandemia.

Aq më shumë, por jo më larg se dy ditë më parë u bë një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, ku shumë shqiptarë humbën jetën. Dhe sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për bashkimin, solidaritetin, vëllazërinë për njëri tjetrin, për t’iu dhënë njerëzve shpresë, për t’iu dhënë njerëzve mundësi më shumë për të jetuar dhe për ta kthyer Shqipërinë shtëpinë e të gjithë shqiptarëve.

Sot më shumë se kurrë kjo ditë ka simbolikën e saj jo vetëm për sa i përket identitetit tonë kombëtar, por sot më shumë se kurrë kjo ditë duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve për të ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë shpopullim të mbrapshtë që ka nisur në Shqipëri, ku me qindra e mijëra të rinj e të reja po largohen nga Shqipëria.

Detyra e të gjithë politikanëve pa dallim të flamujve të tyre politikë, vetëm në një flamur “Kuq e zi”, t’u bëjmë thirrje të gjithë vajzave dhe djemve tanë, kudo që janë në të gjithë botën, të kthehen në Shqipëri.”