Dine Merja/ Marinza midis floririt, në pikë të hallit

603
Sigal

Në lindje të qytetit të Fierit, vetëm disa kilometra larg tij, shtrihet një nga vend-burimet e rëndësishme të naftës në vendin tonë Marinza. Ajo nuk vlerësohet vetëm për pasurinë e saj nëntokësore të arit të zi, por edhe për kushtet e shkëlqyeshme klimatike-tokësore për zhvillimin e një prodhimi të madh bujqësor e blegtoral. Sikur të shfrytëzoheshin në baza shkencore e teknologjike këto dy pasuri mbitokësore e nëntokësore për Marinzën, ashtu siç ndodh në vendet e tjera me funksionim normal shtetëror, banorët e Marinzës, por jo vetëm ata, do të hanin “me lugë të florinjtë” siç thuhet rëndom në zhargonin popullor. Por realiteti i sotëm ekonomiko-social i Marinzës është thuajse në pikë të hallit, banorët e saj janë të kërcënuar para së gjithash nga pasiguria e jetës. Shumë prej tyre e shohin të zymtë perspektivën pranë shtëpive, pronave dhe tokave të tyre, kërkojnë largimin nga Marinza. Por a është kjo rruga e zgjidhjes shpëtimtare të rreth 420 familjeve apo 2500 banorëve të Marinzës? Në gjykimin tim shkencor dhe përvojën mbi 50 vjeçare,jo dhe jo. Në cilësinë e ekspertit shkencor konsulent i angazhuar për problemet e ndotjeve ekologjike nga shpërthimi eruptiv i pusit të naftës në Marinzë, munda të konstatoja disa nga faktorët thelbësorë për gjendjen shqetësuese të Marinzës, për nevojën e marrjes së masave emergjente dhe në perspektivë në rajonin naftëmbajtës të Marinzës, me synim mbi të gjitha, garantimin e sigurisë së jetës normale për banorët e saj. Gjithashtu për rehabilitimin urgjent të pastërtisë ekologjike në territorin e Marinzës, për ndalimin absolut të ndotjeve të mëtejshme ekologjike kimike,sizmike dhe akustike nga të gjitha subjektet e ndryshme e sidomos ato të kërkim-shfrytëzimit të naftës. Për penalizmin e kundërvajtësve në përputhje me dispozitat ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit.

Situata në Marinzë pas erupsionit të pusit të naftës

Banorët e Marinzës janë ankuar gjatë viteve të fundit shpesh herë për ndotje ekologjike kimike, sizmike dhe akustike, të cilat shkatërrojnë jo vetëm banesat, infrastrukturën dhe ekonominë familjare, por dëmtojnë para së gjithash vet shëndetin e tyre. Këto ankesa ranë në vesh të shurdhër. Por kur neglizhohet marrja e masave të nevojshme ndaj shkaqeve të këtyre ankesave dhe dukurive, thuhet se nga “shkëndija mund të shpërthejë flaka”. Dhe kjo ndodhi. Më datën 01.04.2015 e më pas, pusi i naftës nr. 5761 në Marinzë shpërtheu në gjendje fontane, me shkarkime të konsiderueshme gazrash, ujërash dhe baltë, me presione të larta, duke inonduar hapësira të mëdha ajrore dhe tokësore përreth. Këto shpërthime, shoqëroheshin me fontana anësore, nga puset individuale të ujit të banorëve dhe grifonet (minifontanat) e shumta, me gazra, ujë dhe baltë, me presione më të vogla, të përhapura në sipërfaqet e zonës përreth puseve të naftës, por edhe në distanca më të largëta prej tyre, duke përmbytur parcela dhe kopshte bujqësore, oborre dhe ambiente brenda dhe jashtë shtëpive, ambiente blegtorale, rrugë, puse uji familjare, kanale dhe infrastrukturën e fshatit Marinzë. Incidenti në Marinzë, shpërthimi(fontana) i gazeve dhe ujërave nëntokësore në pusin e naftës, sipas vlerësimeve të organeve të pushtetit lokal dhe të institucioneve shëndetësore, shkaktoi pasoja të rënda ekologjike-shëndetësore për popullatën e Marinzës dhe mjedisin. Dëmtime të konsiderueshme të banesave, ekonominë bujqësore, në objektet e rrjetit hidrosanitar dhe infrastrukturor të zonës, të puseve familjare, të shumë gropave septike private dhe të sistemit të ujësjellësit dhe të puseve të ujit të fshatit,me dhjetëra oborre dhe parcela tokash bujqësore, shkatërrime të rrjetit të tubacionit të ujërave të bardha e të zeza, rrugë, kanale dhe objekte të tjera të infrastrukturës së zonës. Në situatën e krijuar,institucionet shëndetësore rajonale dhe qendrore, organizuan analizat e nivelit toksik të mjedisit, veçanërisht të ajrit, të ujit të pijshëm të Marinzës si dhe të disa mostrave toke. Ndërsa analizat e prodhimeve bujqësore e blegtorale në zonën e prekur nuk u kryen për periudhën e parë të emergjencës,ndonëse duhej të ishin kryer. Ato filluan të kryheshin në një fazë më të vonshme nga momenti i shpërthimit dhe pas ankesave të banorëve. Nga analizat laboratorike të Drejtorisë Rajonale Shëndetësore (DRSH) Fier dhe të Institutit të Shëndetit Publik(ISHP), pas shpërthimit të pusit të naftës në Marinzë, ka rezultuar prania e elementëve toksikë në ajër,në ujë dhe në tokë mbi normat e lejuara maksimale. Kështu,prania e gazit sulfhidrik (H2S) me toksicitet shumë të lartë, në ajër të analizuar 10 ditë pas incidentit ka qenë deri 20 herë mbi normën e lejuar,ndërsa e gazit metan (CH4) rreth 3-5 herë mbi normën e lejuar me rreziqe ekspozimi flakërues. Nga rezultatet e analizave laboratorike të përsëritura nga institucionet shëndetësore të sipër përmendura, për ujërat e pijshëm të puseve tradicionalë në Marinzë, për aspektin mikrobiologjik, fiziko-kimik dhe toksikologjik, u evidentua ndotja e tyre në disa tregues mikrobiologjikë, fiziko-kimikë dhe toksikologjikë, të cilët ishin mbi normat e lejuara dhe me pasoja të dëmshme për shëndetin e njeriut. Këta tregues evidentonin praninë në ujin e pijshëm të baktereve patogjene (Koliforme dhe Streptokoku fekal) në rrjetin e ujësjellësit, si dhe e nivelit mbi normë të amoniakut, manganit dhe të hekurit, që janë shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Me këto ndotje toksike, uji i pijshëm i Marinzës, nga burimet e përmendura më sipër, u konsiderua i palejueshëm për përdorim publik (pirje, përgatitje ushqimesh dhe higjienë personale). Rezultatet e analizës së tokës për metalet e rëndë,evidentuan praninë mbi normën e lejuar të elementit të Nikelit. Në raste të tilla aksidentesh për zonat e banuara, zakonisht merren masa emergjente me monitorime ekspres të menjëhershme dhe të vazhdueshëm të nivelit toksik të ajrit, duke përdorur jo vetëm aparate matëse laboratorike por edhe monitorë portativë individualë si dhe maska respiratore specifike për banorët e zonës deri në evakuimin e menjëhershëm të tyre, gjë që në rastin konkret nuk ndodhi. Sado që toksiciteti i ajrit u analizua me shumë vonesë,ai rezultoi 20 herë mbi normën maksimale të lejuar,gjë që mund të kishte shkaktuar pasoja tragjike për banorët e Marinzës, përveç efekteve të shumta anësore patologjike tashmë të identifikuara tek ata nga ana e institucioneve shëndetësore rajonale dhe qendrore.

Ndihma mjekësore për banorët e Marinzës pas incidentit
Shpërthimi i pusit të naftës, pati pasoja në përkeqësimin shëndetësor të banorëve të Marinzës. Sipas të dhënave të Qendrës Shëndetësore të fshatit, vetëm në 10-ditorin e parë pas shpërthimit të puseve, u paraqitën në këtë qendër me ankesa dhe simptoma klinike nga efektet e gazeve toksike, rreth 10% e banorëve të zonës. Qendra Shëndetësore e Marinzës, me kushtet dhe personelin mjekësor tepër modest,monitoroi dhe ndihmoi sa mundi ankesat shëndetësore të banorëve nga efektet e ajrit të ngarkuar me gazrat e dëmshme të shpërthimit. Vetëm në datat 04.04.2015, në ambulancën e fshatit pati rreth 25 banorë me çrregullime shëndetësore dhe simptoma klinike: marrje mëndsh, dhimbje koke, dhimbje barku,ankth, nauze, tharje dhe djegie fyti, gjendje gjumi, konfuzione të lehta, djersitje, vështirësi në frymëmarrje, djegie dhe skuqje të syve, gjendje këputje deri në të fikët. Mjekja e fshatit nuk mund t’u jepte dot ndihmën e plotë dhe të menjëhershme mjekësore për mungesë mjekësh specialistë,të laboratorit mjekësor, pajisje emergjente (aparate oksimetër, bombolave me oksigjen),të autoambulancës etj. Në rastet e gjendjeve të rënda shëndetësore, u kërkua ndihma nga Fieri dhe u bënë shtrimet në Spitalin e këtij qyteti. Me rëndimin e situatës shëndetësore të banorëve dhe kërkesat e mjekes së fshatit,ambulanca e Marinzës u pajis me aparat oksimetër, me bombël oksigjeni, me medikamente për dhënien e ndihmës së shpejtë pranë ambulancës së fshatit. Në dispozicion të ambulancës së fshatit u vu një autoambulancë bashkë me një mjek shtesë, për rastet emergjente dhe nisjen e tyre drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Duhet theksuar se me gjithë evidentimin e nivelit të lartë toksik të ajrit(siç u përmend më sipër), banorët nuk u larguan nga banesat por vazhduan jetën e tyre në mjedis toksik, gjë që nuk duhej lejuar nga organet shtetërore përkatëse. Pati largime vetëm të disa familjeve, që kishin mundësi strehimi tek të afërm larg zonës së rrezikuar. Kjo neglizhencë nuk përjashton mundësinë e dëmtimeve shëndetësore anësore tek banorët e ekspozuar për kohë të gjatë në këtë mjedis toksik, veçanërisht në fëmijët, në gratë, në moshat e vjetra dhe në personat me probleme apo episode patologjike shëndetësore, të cilat u evidentuan edhe nga analizat dhe studimet mjekësore të ISHP për banorët e Marinzës.

Garantimi i pastërtisë ekologjike, rruga e zgjidhjes për banorët e Marinzës
Baza e shqetësimeve në Marinzë lidhet padyshim me ndotjet sistematike ekologjike dhe dëmtimin e ekosistemit në tërësi. Ankesat e banorëve të Marinzës janë bërë kronike gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas shpërthimit të pusit të naftës. Këto ankesa lidhen kryesisht me dëmtimin e shëndetit të banorëve, dëmtimin e banesave,të tokës,të infrastrukturës dhe të kulturave bujqësore,nga ndotjet ekologjike kimike, sizmike dhe akustike të mjedisit,për të cilat deri tani ata nuk kanë gjetur zgjidhjet e duhura. Por cilat janë rrugët e zgjidhjes? Rehabilitimi dhe frenimi i ndotjeve ekologjike. Ministria e Energjetikës dhe ajo e Mjedisit në funksion të normalizimit të pastërtisë ekologjike të vend-burimit të Marinzës, duhet të hartojnë dhe miratojnë një projekt për përmirësimin ekologjik të Marinzës. Ky projekt do të kishte për objekt pastrimin e territorit të Marinzës nga gropat,pellgjet dhe kanalet me ujera të ndenjura dhe të ndotura me mbeturina nafte dhe vajra të ndryshme hidrokarburesh dhe asfaltesh,të cilat janë burime permanente emetimi të ndotjeve ekologjike toksike të Marinzës dhe banorëve të saj. Pastrimi i zonës së Marinzës nga këto ndotje do ti jepte fund edhe ndotjeve të mëtejshme eventuale,në respektim të mbrojtjes ekologjike të zonës sipas dispozitave ligjore në fuqi. (Vijon në numrin e ardhshëm)