Dilaver Goxhaj/ A e meriton vërtetë një shtatore në Tiranë, Ibrahim Rugova?

772
Në datën 21 janar 2016, Partia Demokratike i kërkoi Parlamentit tonë të miratonte ngritjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës, në qendër të Tiranës. Nuk është hera e parë që PD-ja e shtron këtë kërkesë, pasi ajo, disa kohë më herët shkoi larg, se e krahasoi Rugovën edhe me Skënderbeun! Me sa duket, motivacioni që paraqiti PD-ja, nuk e ka bindur mazhorancën. Edhe unë si qytetar i thjeshtë dhe si pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës, në këtë rast përkrah vendin e maxhorancës sonë parlamentare. Dhe ja pse: Së pari, lufta në Kosovë, gjatë viteve 998-1999 mori karakter kombëtar, se dhe vetë UÇK-ja mori tiparet e një ushtrie kombëtare,si në asnjë rast tjetër historik, përveç ushtrisë së Skënderbeut dhe asaj të Lidhjes së Prizrenit. Por, krahas karakterit kombëtar që mori UÇK-ja, fatkeqësisht, populli shqiptar në Kosovë, në shumicën e tij u mashtrua nga politika pacifiste e Ibrahim Rugovës, duke u bindur se lirinë do t’ia dhuronin serbët nën presionin e Evropës dhe të tjerëve. A mund të presësh shërim nga ai që të shkakton plagën? Si rrjedhojë e kësaj propagande pacifiste, populli shqiptar në Kosovë përgjithësisht u bë i pavendosur dhe dyshues ndaj luftës me armë. Si rrjedhojë, një pjesë e madhe e tij zgjodhi rrugën e mesme, indiferentizmin. Mirëpo, indiferenti nuk ndjen detyrim moral para shoqërisë. Dhe këtë e ka shprehur artistikisht Bertolt Breht: “Ai që rri në shtëpi kur fillon lufta / dhe i lë të tjerët të luftojnë për çështjen e tij, / ai le të ketë mendjen: sepse / kush nuk e ndau luftën me shokët, / ai me armikun do të ndaj disfatën./ Ai që luftën kërkon ta mënjanojë, / s’e mënjanon dot’ kurrë: sepse / për çështjen e armikut do të luftojë / ai që s’luftoi për popullin e tij”. Këto vargje të Brehtit përkojnë me atë që pat thënë dikur Presidenti Uillson, për angazhimin e SHBA në Luftën I Botërore: “Lufta do të jetë më e rrezikshme për ne, në rast se mbyllim dyert e dritaret, se sa po të dalim në rrugë e të ndeshemi me armikun”. Që mazhoranca parlamentare e 21 janarit 2016 ka marrë vendim të drejtë, është edhe për faktin se Ibrahim Rugova dhe partia e tij, LDK-ja, ishin ata që e akuzonin UÇK-në si një ushtri e udhëhequr nga ideologji marksiste, komuniste, enveriste etj. Dhe çuditërisht, nuk e akuzuan për titiste!.
Çfarë ishin këto akuza? 
Jo vetëm mosmirënjohje ndaj atyre që derdhnin gjakun për lirinë edhe të pacifistëve, por treguan edhe mediokritetin e tyre, pasi historikisht asnjë luftë nuk është zhvilluar për interesa ideologjike, por thjeshtë për interesa jetike. “Për sa i përket ideologjisë, ajo i arsyeton interesat jetike të luftës, shpjegon Ukshin Hoti, por nuk mund të jetë zëvendësimi i atyre interesave”. Madje, lufta jonë në Kosovë pati edhe një veçori specifike: objektivi final i saj ishte deri në kufijtë e çlirimit të Kosovës nga pushtimi Serbisë dhe nuk u shtri në sferën e çlirimit shoqëror, si dhe ishte një luftë edhe pa një program ekonomik. Vetëm këto dy fakte e bindin cilindo skeptik që ajo luftë nuk mund të akuzohej kurrsesi për tipare ideologjike, e cila shprehej edhe në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: “Ne luftojmë për shtet dhe jo për pushtet”. Duke qenë se ky ishte objektivi ynë politik, prandaj nuk u angazhuam fare për objektivin për marrjen ose përmbysjen e pushtetit paralel ekzistues të LDK-së së Rugovës. Dhe këtë nuk e vumë aspak në program, ndryshe do t’i kishim dhënë asaj lufte edhe tipare të një lufte civile, e cila u provokua nga LDK-ja, përmes ngritjes të të ashtuquajturës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës” (FARK), duke angazhuar Tahir Zemën me gjashtëmbëdhjetë oficerë të tjerë. Madje pse Tahir Zema mori atë guxim për ta devijuar nga shtrati çlirimtar luftën që bënte UÇK-ja, prandaj Ibrahim Rugova e shpalli atë pas lufte “Legjendë e luftës”. Si mund të shpallej hero një komandant, i cili u largua nga lufta, duke marrë me vete mijëra ushtarë dhe me të mbërritur në Bjeshkët e Nëmuna u tha: “UÇK-ja mori fund, tashti ikni në Evropë dhe mendoni për veten tuaj”, ndërkohë që në Himnin tonë Kombëtar thuhet: “Nga lufta veç ai largohet, që ka lindur tradhtar”. Edhe vetë Rugova u largua nga lufta, edhe pse në Kushtetutën e Kaçanikut ai e kishte emëruar veten Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ajo çka e rëndon edhe më shumë Rugovën, me atë ikje nga lufta është edhe fakti se ai kishte rënë dakord dhe e kishte nënshkruar krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës për drejtimin e luftës, maje në prezencën e zonjës Ollbrajt. Mos harrojmë edhe faktin tjetër që, as Rugova dhe asnjë prej udhëheqësve të LDK-së nuk është përkulur para një varri të dëshmorëve të asaj lufte, si dhe faktin tjetër që Rugova, gjatë qëndrimit në Itali, në gusht 1999 deklaronte: “Unë do të kthehem në Kosovë, kur të jetë çarmatosur edhe ushtari i fundit i UÇK-së”. A ka fyerje më të madhe për atë ushtri çlirimtare? Dhe ne duam t’i ngremë shtatore! 
Kush e akuzon UÇK-në?
E veçanta qëndron se, po t’i marrësh si individë të gjithë intelektualët e Kosovës, që e akuzuan dhe e akuzojnë UÇK-në si enveriste apo marksiste, ishin dhe janë ndër titistët më të thekur! Ndërsa intelektualët kritizerë të shtetit amë, si ata që e heqin veten kozmopolitë, edhe ata që e heqin veten patriotë të mirëfilltë, ishin të parët që e kritikuan metodën e fitores së lirisë nëpërmjet luftës së armatosur, pasi lufta e armatosur, atyre iu duket jashtë mode. Kësaj lloj inteligjence i mungon vetëdija mbi realitetin, i mungon aftësia analizuese, ngaqë kanë dije të deformuara mbi realitetin e luftës sonë dhe të kombit tonë. Në këtë mënyrë ata u shndërruan në armiqtë për lirinë e Kosovës. Është fakt që ata luftuan më shumë kundër UÇK-së, se sa kundër propagandës dhe luftës së padrejtë të serbëve, të mbështetur nga të gjithë sllavët dhe fqinjët tanë. Do t’ua falnim atë qëndrim, nëse sot do të kishin ndryshuar qëndrim. Pse nuk kërkon PD-ja dhe partitë e tjera të ngrenë të paktën një obelisk, për UÇK-në dhe vullnetarët nga Shqipëria, që shkuan për të dhënë gjithçka, edhe jetën, për çlirimin e Kosovës, por propozojnë për ata që e anatemuan atë luftë e atë ushtri çlirimtare?! Intelektualët, PD-ja dhe gjithë forcat e tjera politike të Tiranës, që mbështesnin dhe mbështesin Rugovën e dinin mjaft mirë, se UÇK-ja luftonte kundër një shteti sllavo-komunist. Atëherë si mundet që UÇK-ja “komuniste” do të bënte luftë, duke u udhëhequr nga botëkuptimi komunist, kundër një armiku me bindje të njëjta komuniste, nëse do të pranojmë se lufta jonë ishte luftë ideologjike?!
Rugova tek Presidenti Bill Klinton
Dihet gjithashtu që Rugova shkoi deri tek Presidenti Bill Klinton, më 28 maj 1998, i shoqëruar prej Fehmi Aganit, Bujar Bukoshit dhe Veton Surroit, për t’i kundërvënë UÇK-së edhe Amerikën, duke i thënë: “Grupet e armatosura në Kosovë, përgjithësisht kanë pikëpamje të majta, pra janë nga ata që kanë pasur ide të majta, drejtohen nga njerëz që edhe sot e kësaj dite kanë nostalgji për ish – figura të njohura komuniste, si për shembull për Enver Hoxhën, i cili ka qenë diktator i madh komunist. Ka tani një lidhj,e sepse grupe të armatosura shpërthyen pikërisht me shumicë kur socialistët erdhën në pushtet në Shqipëri. Qeveria e Shqipërisë, pra kjo qeveri që është sot, është krejtësisht në krahun e grupeve të armatosura. Ajo edhe mund të jetë frymëzuese e tyre, ndoshta edhe organizatore…. Kur në pushtetin shqiptar ishin forcat e djathta, me të cilat ne kemi bashkëpunuar që nga fillimi, edhe në Kosovë kishte gjendje tjetër…Nga Shqipëria janë futur armë dhe mjete të tjera. Futen njerëz, futen gjithçka. Kjo e radikalizoi gjendjen dhe mund të shkoi edhe më tutje drejt eskalimit. Prandaj edhe marrëdhëniet tona me zotin Nano, marrëdhëniet e mia me të, janë ngrirë”.
Kjo ligjëratë e Rugovës, nuk ka kuptim tjetër veç asaj që Rugova dhe udhëheqja e LDK-së nuk kishin tendencë për ta çliruar Kosovën nga Serbia.
Mirëpo Presidenti Klinton e kundërshton haptas Rugovën, duke i thënë: “Pra, (qeveria socialiste e Tiranës, D.G.) është në krah të kundërt me qëndrimin serb dhe unë këtë e gjej të mirë… Përse e keni këtë mendim? Të dhënat tona dhe burimet e tjera nuk e tregojnë këtë”. (se luftën në Kosovë e nxiste qeveria socialiste e Tiranës, D.G.) Dhe më poshtë, Presidenti Klinton i përgjigjet Rugovës në favor të luftës që bënte UÇK-ja dhe kundër politikës nënshtruese të Rugovës, duke i thënë shprehimisht: “Ne kemi mendimin se në Shqipëri po punohet mirë për problemin e Kosovës… Ju duhet të takoheni me Nanon. Nëse qeveria e tanishme në Shqipëri ndihmon aktivisht luftën që zhvillohet në Kosovë, nuk bën mirë…., por mundësitë e saj janë të pakta për gjendjen që është atje… Ne do t’i përkrahim ata, sidomos për vizionin e qartë për problemin e Kosovës”. Ky dialog midis Presidentit Klinton dhe Rugovës tregon fare qartë që Klinton e njihte më mirë se Rugova situatën në Kosovë dhe ishte plotësisht i mendimit se vetëm me luftë të armatosur mund të fitohej liria dhe jo me pacifizmin e Rugovës. Si ua merr mendja këtyre që i ngrenë shtatore Rugovës, se ky i fundit nuk e dinte atë që dinte Presidenti i Amerikës? Edhe intelektuali i “pavarur” i Kosovës që e pati marrë me vete Rugova në takimin me z. Klinton, Veton Surroi edhe ai e mbështeti Rugovën në atë takim, duke i thënë z. Klintoni, se: “Veshja e jashtme e politikës së Nanos është moderne, thelbi është nacionalist”. 
Shpifjet e Rugovës dhe e mbështetësve të tij, kundër UÇK-së e bënë punën e tyre, ato u pëlqyen dhe u morën si të vërteta nga disa politikanë të NATO-s, (ndoshta u pëlqeu ashtu), ndaj dhe këta të fundit janë shprehur disa herë, se nuk e kanë pasur dhe ende nuk e kanë të qartë se, cili ka qenë programi politik i UÇK-së. Ky gjoja dyshim i tyre u konkretizua jo vetëm në mosdeklarimin zyrtar të UÇK-së, si aleate e tyre, kuptohet pas luftës, por edhe në mospranimin e saj, si palë fituese në bisedimet e Kumanovës, ndaj dhe vitin e kaluar ngritën Gjykatën Speciale, e veçantë kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe aspak kundër serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, që vranë shqiptarë dhe dogjën Kosovën. Dhe çuditërisht, për ngritjen e kësaj gjykate u shprehën dakord jo vetëm LDK-ja tërësisht, por edhe PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi! Përgjigjja e z. Klinton, nuk ishte gjë tjetër veçse kursi politik i SHBA, e përcaktuar nga Doktrina Monro, doktrinë, e cila është vënë në jetë në Amerikë, për herë të tretë nga zoti Klinton, ndaj dhe u quajt Doktrina Klinton, e cila pak a shumë përcaktohet kështu: Kudo që shpaloset flamuri i lirisë apo i pavarësisë, atje do të jetë zemra e Amerikës. Ndaj dhe ai deklaroi në fund të atij takimi, duke thënë: “Nuk do të lejojmë që Kosova të shndërrohej në një Bosnje të dytë”, që tregon se po ia bënte të qartë Rugovës: Ju filloni luftën, se ne nuk do ta lëmë Serbinë të përsërisë masakrat, si në Bosnje.
Sigal