Dibër/ Rrihen djemtë, futen në sherr edhe prindërit, dy persona përfundojnë në spital

Sherri mes dy djemve ka degjeneruar në përdorimin e dhunës, e më pas në konflikt janë përfshirë edhe prindërit e tyre.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Limjan të Dibrës, me pasojë dy persona të lënduar që u nisen në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Sigal

Policia bën me dije se ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

NJOFTIMI

Ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me pasoja të rënda.

Vihen në prangat e Policisë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim policor 1 tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas njoftimit të marrë se në fshatin Limjan po ndodhte një konflikt mes disa personave, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me pasoja të rënda.

Në fshatin Limjan, janë konfliktuar për motive të dobëta fillimisht shtetasit I. Gj., 29 vjeç e A. Rr., 20 vjeç dhe më pas janë përfshirë në konflikt edhe prindërit e tyre. Si pasojë e këtij konflikti kanë marrë dëmtime shtetasit D. Rr. dhe I. Gj., të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

M. Gj., 56 vjeç dhe D. Rr., 48 vjeç, banues në fshatin Limjan, Dibër, si dhe është shpallur në kërkim policor shtetasi A. Rr, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Plagosja e lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Dhunim i banesës”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për hetime të mëtejshme.