DETAJET/ Si u goditën dy bandat e Ergys Dashit në Slloveni, 11 të arrestuar për trafikun e kokainës nga Ekuadori

54
Sigal

Policia sllovene ka shkatërruar dy banda kriminale të lidhura me rrjetin ndërkombëtar të drogës që drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, i ekzekutuar në janar të vitit 2022 në Ekuador të Amerikës së Jugut.

Mediat sllovene bëjnë me dije se hetimet që çuan në goditjen e dy organizatave që  trafikonin sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut drejt vendeve evropiane, u kryen nga prokurorë sllovenë dhe italianë, si dhe prokurorë nga Rrjeti Gjyqësor Evropian.

Policia e Koperit ka arrestuar së fundmi njëmbëdhjetë të dyshuar dhe ka sekuestruar disa kilogramë kokainë dhe kanabis dhe mbi 60,000 euro.

“Hetuesit mblodhën prova për një rrjet droge i drejtuar nga një shtetas shqiptar në Evropë po kontrabandonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt vendeve evropiane. Kreu i grupit u vra në një restorant në Amerikën e Jugut në fillim të vitit 2022”, shkruajnë mediat sllovene, pa përmendur emrin e Ergys Dashit i cili mbeti i vrarë në Ekuador.

Sipas hetimeve, në Slloveni, kreu i grupit, pra Ergys Dashi ishte ndihmuar nga një tjetër shqiptar që ndodhet në burg dhe partnerja e tij nga zona e Izolës.

Ajo ishte përgjegjëse për mbështetjen logjistike dhe prokurimin e automjeteve me targa sllovene.

Automjetet modifikoheshin nga një organizatë kriminale në Holandë për të siguruar ndarje sekrete për të fshehur sasitë e drogës.