DETAJE/ Mbajti djalin peng në mal për 20 muaj, si u lokalizua babai i shpallur në kërkim

57

Një 44-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim prej më shumë se një viti për disa vepra penale dhe që mbante djalin e tij të mitur në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, u arrestua dje nga Policia në Mirditë.

Operacioni i koduar “Kurbneshi” u finalizua pasditen e djeshme pas rreth 72 orësh kërkime në fshat dhe në pyllin e Kurbneshit në Mirditë.

Burime zyrtare të Policisë bënë të ditur se u vu në pranga shtetasi Alban Buraku, banues në Kurbnesh.

Ky shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes L. B., kishte marrë dhe djalin e tyre të mitur, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës dhe ishte larguar, duke i shpëtuar ndalimit të Policisë për një kohë të gjatë.

Policia gjeti edhe fëmijën 8-vjeçar, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa po trajtohet me psikolog në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

QËNDRIMI NË MAL

Uniformat blu bëjnë të ditur se babai dhe fëmija kishin qëndruar në zonën malore të Kurbneshit që prej nëntorit të vitit 2018.

Prej asaj kohe, Policia e Qarkut Lezhë ka vazhduar punën në mënyrë të pandërprerë për lokalizimin, kapjen dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të 44- vjeçarit, por vetëm ditën e premte arriti të bjerë në gjurmët e Alban Burakut. Kjo, pasi zona ku ai fshihej së bashku me djalin e tij është terren i thyer malor.

Sipas Policisë, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë, me vendimin nr. 4, datë 05.01.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest më burg” 44-vjeçarit Alban Buraku, për veprat penale “Dhūna në familje”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Materialet shtesë në ngarkim të shtetasit A. B. do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Dhūna ndaj bashkëshortes

Në nëntor të vitit 2018, Alban Buraku mësohet se ka dhūnuar e tentuar të vrāsë bashkëshorten e tij, Lindita Buraku. Nga dhūna e ushtruar, gruaja mori lëndime në disa pjesë të trupit dhe mori mjekim në Spitalin e Rrëshenit, ndërsa rastin e dhūnës e denoncoi menjëherë në Polici.

Dhūnën e ushtruar nga bashkëshorti gruaja e ka bërë publike edhe në media, duke deklaruar se në vazhdimësi burri e dhunonte atë dhe fëmijët.

Pas denoncimit të gruas, blutë e shpallën menjëherë në kërkim, por burri agresor arriti të arratisej, duke marrë me vete dhe fëmijën e mitur, me të cilin ka qëndruar në zonën e Kurbneshit për 20 muaj.