Protestat dhe loja qeveritare me taksën e banesës

750
Ekzekutivi nuk ka ngritur kadastrën fiskale, ndërsa këshillat bashkiakë ende nuk kanë përcaktuar diferencimet mes zonave, ndonëse PS zotëron mbi 45 bashki 
Qeveria pranoi dështimin me taksën e banesës, ndërsa ende nuk është përgatitur kadastra fiskale dhe këshillat bashkiakë nuk kanë përcaktuar diferencimet në pagesa sipas zonave. Një dështim për të cilin qeveria duket e interesuar, duke ia kaluar përgjegjësinë autoriteteve vendore, që në mbi 45 bashki janë të Partisë Socialiste. Loja qeveritare me taksën e pronës duket se synon pikërisht gjetjen e një momenti më të përshtatshëm për zbatimin e mënyrës së re të pagesës, që do të godasë qytetet kryesore të vendit. Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, u shpreh dje në një intervistë televizive, se kadastra fiskale do të jetë gati në muajin korrik, ndërsa metodologjia e re e pagesës ka hyrë në fuqi prej 1 prillit 2018. “Është krijuar një bazë e rëndësishme të dhënash që ndodhet pranë OSHEE-së dhe mund të shërbejë si agjenti tatimor për mbledhjen e kësaj takse, pasi të mbarojë kadastra fiskale. Ka bashki, si Tirana dhe Korça që e kanë më të lehtë ta mbledhin këtë taksë nëpërmjet ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve”, u shpreh Braçe. Ndërkohë, ai pranoi se këshillat bashkiakë ende nuk kanë marrë vendimet përkatëse, ndonëse kemi të bëjmë me një taksë që mblidhet prej autoriteteve vendore. “Duhej të kishin përfunduar mbledhjet e këshillave bashkiakë, sepse po vonohen shumë në këtë proces, me qëllim që të marrin masa për ta diferencuar taksën nga periferia në qendër, nga zonat ku vlera e pronës është shumë më e ulët, në zonat ku vlera është shumë më e lartë”, u shpreh Braçe. Ai deklaroi se nuk do të ketë zbatim të mënyrës së re të taksës, pa u mbledhur këshillat bashkiakë. “Nuk besoj që pa u mbledhur këshillat bashkiakë të vijë fatura në fund të muajit. Pa asnjë lloj diskutimi duhet të mblidhen këshillat bashkiakë për të bërë diferencimin”, tha Braçe. Aktualisht qytetarët paguajnë çdo muaj 100 lekë në faturën e konsumit të ujit si taksë për pasurinë e paluajtshme, ndërsa me mënyrën e re do të paguajnë në bazë të vlerës së shtëpisë. Një masë që do të rëndojë kryesisht bashkitë më të mëdha të vendit, ku edhe vlera e banesave është më e lartë. Formula e re përcakton një detyrim prej 0.05 % të vlerës së apartamentit për qytetarët dhe 0.2 % të vlerës për bizneset. 

Në këtë mënyrë qeveria po e pason problemin e taksës së pronës te këshillat bashkiakë, ndonëse Partia Socialiste qeveris në pjesën dërrmuese të 61 bashkive. Vonesat për të zbatuar mënyrën e re të llogaritjes së taksës duket se lidhen me shqetësimet e krijuara nga dy masa të tjera të qeverisë që janë tarifa për Rrugën e Kombit dhe përfshirja e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Pikërisht për këtë arsye, qeveria socialiste nuk po nxiton në plotësimin e vendimeve të nevojshme për të vënë në zbatim taksën e re të pronës, duke preferuar një moment më të qetë. 
Kompetenca e këshillave bashkiakë

1 – Përcaktimi i çmimit vlerësues dhe i sipërfaqes së ndërtesës/njësisë pronësore
Përcaktimi i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore bazohet mbi prioritetet e vlerësimit, duke ndjekur një radhë të caktuar. Baza e vlerësimit mbështetet te vetëdeklarimi, si një detyrim për çdo taksapagues, për të vijuar më tej edhe me metodat alternative, nëse vetëdeklarimi nuk bëhet, nuk është i saktë apo nuk disponohen të dhëna të plota për një vlerësim të drejtë të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që duhet të taksohet. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, për efekt të përcaktimit të bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë, ndjekin këtë radhë vlerësimi: 

1. Vetëdeklarimi 
Çdo taksapagues duhet të vetëdeklarojë të dhënat për pasurinë e tij të paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që ka në pronësi apo në përdorim. Vetëdeklarimi bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore apo çdo institucioni të autorizuar nga qeveria apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të marrë dhe për të përpunuar informacionin e vetëdeklarimit të taksapaguesit, për qëllim të zbatimit të legjislacionit përkatës të taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Në rast se vlera e vetëdeklaruar nga taksapaguesi rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim e vlerësuar, të përcaktuar me këtë metodologji, si vlerë e bazës së taksës do të merret vlera më e lartë. Në fazën fillestare të zbatimit të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, mund të merren në konsideratë dhe të përdoren të dhënat e siguruara nga institucione të autorizuara nga qeveria apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat shërbejnë për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme dhe përcaktimin e bazës së taksës.

2. Përcaktimi i çmimit të vlerësuar dhe i sipërfaqes së ndërtesës, bazuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të mbajtur nga zyrat vendore (ZVRPP) 
Për përcaktimin e bazës së taksës për ndërtesën/njësinë pronësore, si referencë, në këtë rast, do të shërbejë vlera e përcaktuar nga rivlerësimi i pasurisë të regjistruar pranë ZVRPP-ve. Nëse në informacionin e marrë nga ZVRPP-ja konstatohet se për ndërtesën/njësinë pronësore është kryer një transaksion shitblerjeje gjatë 3 vjetëve të fundit, atëherë si bazë e taksueshme do të merret vlera më e lartë midis transaksionit dhe vlerës të regjistruar në ZVRPP.

3. Përcaktimi i çmimit të vlerësuar sipas çmimeve mesatare të shitblerjes së ndërtesave/njësive pronësore
Kur vlerësimi sipas pikave 1.1 dhe 1.2 më lart është i pamundur, çmimi i vlerësuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore do të korrespondojë me çmimin mesatar referues të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi sipas qyteteve. Për nënkategorizime të ndërtesave, që nuk shërbejnë për banim, sipas qëllimit të përdorimit, zbatohen çmimet mesatare për metër katror sipërfaqe ndërtimi të përcaktuara. Nëse çmimi për metër katror për banesë/njësi pronësore, i vënë në dispozicion nga ZVRPP-ja, dhe çmimet minimale fiskale janë të ndryshme, atëherë merret si çmim vlerësues ai çmim që ka vlerën më të lartë.

2 – Vlera e pasurisë së paluajtshme “ndërtesë”, referuar verifikimeve në terren 
Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me kompetencat e kuadrit ligjor në fuqi, kryejnë korrektime në regjistrin e bazës të të dhënave. Korrektimet kryhen bazuar në verifikimet periodike në terren për sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore. Verifikimi në terren shërben edhe për të regjistruar për herë të parë ndërtesa/njësi pronësore ose nënndarje të saj. Në këtë rast, njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkojnë informacion nga burime zyrtare, nëse ka, për sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore apo nënndarjen dhe e krahasojnë me verifikimin e kryer. Nëse nuk sigurojnë informacione lidhur me sipërfaqen e ndërtesave të identifikuara, njësitë e vetëqeverisjes vendore bëjnë vetë vlerësimin e ndërtesës/njësisë pronësore mbi sipërfaqen e verifikuar në terren. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas procedurave të përcaktuara në këtë metodologji, në çdo rast, pasi bëjnë vlerësimin e vlerës së pasurisë së paluajtshme, hedhin të dhënat në regjistrin e bazës të të dhënave, për efekt të përcaktimit të bazës së taksës dhe llogaritjes së shumës së taksës për t’u paguar nga taksapaguesi.

3 – Nënndarja zonale/nënzonale brenda territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore 
Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të miratojnë nënndarje zonale/nënzonale të territorit, brenda juridiksionit të tyre, për zbatimin e niveleve të shkallës së taksës brenda kufijve plus 30 për qind ose minus 30 për qind. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, jo më shpesh se një herë në vit, për banesat në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të qeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.115/2014, mund të reduktojë çmimin mesatar referues, deri në masën minus 35 (tridhjetë e pesë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është deri në 30 (tridhjetë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Nivelet e miratuara sipas zonave/nënzonave të territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore i bëhen të ditura zyrtarisht edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë.
Sigal