Një banesë në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat është përfshirë nga flakët.
Ka qenë fëmija e familjes,vetëm 10-vjeç, që duke luajtur me shkrepëse e çakmak i ka vënë flakën pa dashje lodrave të tij dhe janë larguar me vrap nga frika.
Zjarri ka përparuar me shpejtësi në të gjithë ballkonin në katin e dytë të pallatit,duke shkrumbuar tërësisht orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake që ndodheshin në ballkonin e përshtatur nga familja në dhomë gatimi.
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodhej vetëm djali 10-vjeçar me gjyshin,të cilët kanë dalë jashtë pa lëndime dhe të tmerruar,ndërkohë që flakët përhapeshin me shpejtësi. Burime të zjarrëfikësve në vendngjarje kanë deklaruar se shkak i zjarrit ishte pakujdesia e djalit që ishte duke luajtur me shkrepëse në ballkon. Zjarri i rënë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në ballkonin dhe një nga dhomat e banesës, ndërkohë që tymi dhe era e keqe është përhapur në të gjithë pallatin.