Dështimi i dytë i Ministrisë së Transporteve me koncesionin e Rrugës së Kombit

504
Ndërsa kosovarët dhe banorët e rajonit verilindor të vendit prisnin të fillonin pagesën sa herë të lëviznin në Autostradën e Kombit, Ministri Edmond Haxhinasto bëri të ditur një sqarim të shkurtër: Hapja e ofertave për dhënien me koncension të rrugës së Kombit është shtyrë për dy javë. Kërkesa për shtyrje ka ardhur në bazë të kërkesës që kanë patur vetë firmat që do të marrin pjesë në tender. Për të gjithë të interesuarit e këtij procesi ky lajmërim tingëlloi paksa i çuditshëm sepse pritej me interes prej kohësh përfundimi i procesit. Sepse ishte përpjekja e dytë e dhënies me koncension të mirëmbajtjes së Autostradës së Kombit. Dhe kur pritej përfundimi i procesit, befas lajmërohet shtyrja për dy javë. Nuk është ndonjë kohë kushedi se çfarë. Vetëm të të interesuarit mbetet dyshimi i dështimit për të dytën herë i dhënies me koncension të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. 
Shtyrja për herë të dytë
Ndaj lajmërimi i shtyrjes nga Ministri i Transporteve nuk la ndonjë shije të mirë te të interesuarit, të cilët ende nuk kanë harruar procesin e parë të dështuar të dhënies me koncension të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Në vitin 2011 u bë një përpjekje për dhënien me koncension të autostradës, por procesi u shty për një afat të papërcaktuar, deri sa më pas u braktis krejtësisht. Sepse firmat që kishin paraqitur interes u tërhoqën. U tërhoqën sepse mësuan se jo vetëm duhej të mirëmbanin autostradën, por edhe të ndërtonin segmente të saj, ende të papërfunduara. Kushti për fituesin edhe këtë rradhë është i njëjtë. Pra, jo gjithçka që do të fitohet nga koncensionari do të shkojë për mirëmbajtje. Do të shkojë edhe për ndërtim, gjë që i trembi kompanitë që konkuruan në rastin e parë. Kjo ka lindur dyshimin se mos katër kompanitë që kanë paraqitur interes sërish janë trembur. Ashtu si 4 vjet më parë edhe këtë rradhë, taksa që duhet të paguhet, llogaritet të jetë të paktën 5 euro për çdo kalim në autostradë të autoveturave, ndërsa për autobuzët e mjetet e tjera të tonazhit të rënda edhe më shumë.
Kushtet për kompanitë konkuruese
Kompanisë fituese të këtij koncensioni, edhe këtë rradhë i është bërë e ditur se përveç mirëmbajtjes së autostradës do të duhet të ndërtojë një urë e madhe mbi liqenin e Fierzës në hyrje të qytetit të Kukësit, po aty edhe ndërtimin e një tuneli të vogël që e ka nga fillimi edhe projekti i rrugës, përfundimin e ndërtimit të 7 urave në segmentin Morinë– Kukës, instalimin e sinjalistikës, vendosjen e ndriçimit që mungon krejtësisht në gjithë gjatësinë e autostradës si dhe ndërtimin e nën e mbikalimeve në fshatrat nga kalon autostrada. Vetëm në segmentin Kukës–Morinë kërkohet ndërtimi i të paktën 6 mbikalimeve mbi autostradë. Në këto kushte nuk e dimë nëse kompanitë pjesëmarrëse në tender e kanë pranuar apo do ta pranojnë vazhdimin e punës për ndërtimin e veprave të reja të autostradës me një kosto disa qindra milionë euro. Aq më tepër që kompanitë e huaja që vijnë në Shqipëri, janë mësuar të pajtojnë nënkontraktorë shqiptarë që në jo pak raste deri tani kanë kryer punë jo me cilësinë e duhur. Ndaj pritet me interes se çfarë çmimi ka dhënë kompania që do të rezultojë fituese. Dhe çfarë kushtesh ka paraqitur. Apo si në rasatin e parë sërish të 4 kompanitë po përgatiten të tërhiqen? Mos shtyrja për dy javë është paralajmërimi i dështimit për të dytën herë i dhënies së mirëmbajtjes së kësaj rruge me koncension?
Mister çfarë do përfitojë shteti nga koncensioni
Dhënia me koncension, ndërsa dihet çmimi i pagesës nga drejtuesit e mjeteve, nuk dihet ende asgjë se çfarë do të përfitojë shteti nga koncensionari. Sepse është e ditur tashmë nga të gjithë se që nga data 25 qershor 2009 kur u përurua autostrada e deri më sot, nga qeveria nuk është bërë e ditur kostoja e deritanishme për ndërtimin e kësaj auotstrade. Shumë fjalë janë dëgjuar, bile edhe për vjedhje qindramilionëshe (në euro dhe jo në lekë), por deri tani asgjë nuk është bërë e ditur për taksapaguesin shqiptar. Vetëm se deri tani bëhet fjalë se janë shpenzuar të paktën 1,2 miliard euro për ndërtimin e kësaj autostrade. Ndërsa shpenzimet e tjera për veprat ende të pandërtuara, apo vepra që ende vazhdojnë së ndërtuari nuk dihet sa do ta rrisin koston reale të kësaj vepre. Dhe e gjitha kjo vetëm për një segment të saj, për segmentin Morinë–Kukës-Rrëshen. Pasi në segmentin tjetër Rrëshen–Rubik–Milot, rruga është vetëm dykalimëshe dhe kërkohen investime të tjera për ta kthyer rrugën dykalimëshe në katër kalimëshe. 
Gjendje e tmershme e autodstardës
Në këtë gjendje që është sot autostrada, kur sa herë bie shi, rrëshqitjet e dherave e gurëve mbi trase janë të pranishme, janë vetë kompanitë pjesëmarrëse në garë që i bëjnë llogaritë. Në rradhq të parë shpenzimet që duhet të parballojnë për mbylljen e të gjitha veprave që ende nuk kanë nisur, po edhe mbi bazën e fluksit të mjeteve në 24 orë. Në autostradën e Kombit fluksi mesatar ditor i lëvizjes së mjeteve nuk i kalon më shumë se 4000 mjete në 24 orë. Në stinën e verës, në ditë të veçanta, veçanërisht në fund javë fluksi i lëvizjes mund të arrijë deri në 10 – 12 mijë automjete në 24 orë, por jo më shumë dhe vetëm fundjavave. Ndërsa në stinën e dimrit fluksi i lëvizjes së mjeteve nuk i kalon më shumë se 2000 mjete në 24 orë. Ky fluks a është i mjaftueshëm për të nxjerrë shpenzimet kompania fituese me çmimin e përcaktuar? Kompanitë pjesëmarrëse i bëjnë vetë llogaritë, ndërsa dyshohet se i tremb jo pak numri i veprave ende të papërfunduara që ato vetë duhet t’i ndërtojnë e përfundojnë. Ndaj edhe tremben, ashtu si në rastin e parë. 
Sigal