Maskarada e Panaireve që nxjerr zbuluar Damian Gjiknurin

527
Duhet të qëmtosh me vëmendje për të gjetur ndonjë vizitor. Biznesmenë apo njerëz të sipërmarrjeve jo e jo. Ndërsa stenda të mbushura me postera ngjyra – ngjyra te ministrive dhe institucioneve buxhetore, se kush garon me shume për të tërhequr vëmendjen, ka plot. Në pamjen e parë të duket sikur je në sfilatën e kabinetit qeveritar, por në të vërtetë emrin e ka Panairi “Energjia & Ndërtimi”, organizuar nga “Tirana Expo Centre” në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Indutrisë ne kapanonet e Ish-Praktikerit në Paskuqan. Si jo zakonisht, njoftim për çeljen e këtij panairi, që është aktivitet i biznesit privat (pasi ligji nuk parashikon organizimin e eventeve të tilla nga dikasteret apo institucionet buxhetore), e bëri zyra e këshilltarit të ministrit të Energjisë, Gjiknuri. 

“Ju njoftoj se në orën 19:00 bëhet hapja e panairit “Energjia & Ndërtimi”, organizuar nga “Tirana Expo Centre” në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Indutrisë. Panairi zhvillohet në datat 23-25 tetor 2015, në rrugën “Gjergj Balshaj”, Nr.6, (Ish-Praktiker). Në ceremoninë e hapjes do të jetë i pranishëm dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri”, citon njoftimi i tij. Ndonëse vetëm Ministri Gjiknuri nuk u pa në këtë panair. Pasi çuditërisht pa ndonjë lidhje të qënësishme me misionin që kishte panairi, morën pjesë dhe e vizituan, (madje edhe me promovim në media), Ministrja e Urbanizimit Eglantina Gjermeni, zevendësministri i Energjise dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame. Se çfarë lidhje kishte misioni i Energjisë në këtë Panair, me këto tre drejtime të dikastereve të lartëpërmendura, pak kush e kupton në parim…. Por duke parë pamjet dhe fotot (me ministritë dhe Keshillin e Ministrave) arrin të shohësh se Qeveria dhe biznesi “Tirana Expo Centre” janë bërë njësh me njëri tjetrin. 

Ky biznes privat, i gjallëruar kaq papritur vetëm në një vit jetë krijimi, reklamon partneritet me të gjithë ministritë e Qeverisë aktuale, pa kaluar në filtrin e konkurrimit përmes tenderit, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, ashtu sikundër bëjnë aktorët e tjerë të këtij tregu. Nga ana tjetër janë ministritë dhe institucionet buxhetore ato të cilat sipas nevojave për promocion duhet të përzgjedhin organizatorin mbi bazën e disa kritereve dhe standarteve. Të bën përshtypje rasti, pasi “Tirana Expo Centre”, e sapo krijuar një vit më parë, (pas falimentit të biznesit të Praktikerit), të gjitha aktivitetet i ka me qeverinë?!. Mjafton të shohësh ëebsiti dhe partnerët e saj janë Ministria e Eergjisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Arsimit etj. Me të drejtë të lind pyetja: Si i fitoi ky këto partneritete? Mbi ç’bazë të konkurrencës së lirë dhe e ndershme është kjo?

Çudia tjetër është mungesa e plotë e transparencës në lidhje me çmimet e holleve të ekspozimit. Pallati i Kongreseve, qëndra ku zhvillohen normalisht eventimentet e Panaireve, jep detaje publike në lidhje me qeratë për ekspozim, panaire etj. Tarifat i ka të publikuara e të miratuara nga institucionet përgjegjëse. Po ky pronar hollesh ekspozimi, kujt i jep llogari për tarifat e holleve që vë në dispozicion edhe të organizatorëve të tjerë përveç organizimeve të veta. Dukuria e territ informativ dhe kamuflimi i partnerëve të interesave ekonomike është flagrante.

Një tjetër problem mjaft i mprehtë i këtij zhvillimi anormal që po njeh tregu i Panaireve në Shqipëri, është mungesa e liçensimit te objekteve për organizme të tilla. Pasi është domosdoshmëri përmbushja e kritereve teknike dhe organizative. Panairet janë ngjarje të mëdha dhe evente që kanë lidhjet me imazhin e vendit, ato kanë rëndësi të madhe shumëdimensionale, pasqyrojnë standartet e nivelin të zhvillimit të vendit, përcjellin klimën ekonomike që mbizotëron, tërheqin investitorë, etj. Ndërsa përkujdesja ndaj vizitorëve, qoftë atij profesional qoftë atij të përgjithshëm është tipar kyç. Po kështu detaji i transportit në rastin konkret lë shumë për të dëshiruar. Kënaqësia e komunitetit katundar që shkojnë falas nëpër shtëpitë e tyre në Paskuqan, në periferi të Tiranës, pasi ato autobusa veçse për atë kategori vizitorësh është, nuk mund të afrohet me “aspiratat” për investitorë në sektorë strategjikë ku bën pjesë Energjia. 
Sigal