Dëshmitari i OLAF: Si abuzoi Ministria e Bujqësisë me paratë e IPARD, bakshish 40% për të marrë fonde

58
Sigal

Ja si sorrollaten fermerët me procedura burokratike, duke u penguar përfitimin e fondeve të akorduara nga BE në kuadër të programit IPARD II. Ja takimet me Krifcën dhe si i kërkoi 40% të vlerës së parave dhe shantazhet…

INFO

-400 mijë fermerë përfitojnë më pak naftë se makinat e agallarëve të Kuvendit në 1 vit

-Raporti i FAO-s: “Fermerët shqiptarë marrin vetëm 3 euro mbështetje për hektar nga shteti, ndërsa 42 euro shkojnë për institucionet.

-Pas fushatave elektorale, mbarojnë tollonat e naftës dhe nisin ankesat e fermerëve për rimbursimin.

Një ndër skandalet e radhës së qeverisë ishte çështja e fondeve IPARD II të menaxhuara nga AZHBR, nisur nga pezullimi i fondeve BE dhe hetimet nga OLAF dhe SPAK për këtë çështjeje.“Në shënjestër” ka intervistuar persona që kanë aplikuar, ekspertë si dhe ka analizuar të dhënat për kompanitë që kanë përfituar nga këto fonde.

Në verë lajmi se Brukseli pezulloi fondet për bujqësinë, për shkak të abuzimeve të shumta, ishte si një rrufe në qiell të hapur për qeverinë shqiptare.

Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj’, shkruhet në letrën e Komisionit Europian për qeverinë shqiptare .

Me shpejtësi të gjithë aktorët dhe faktorët u përpoqën me çdo kusht ta minimizonin efektin negativ. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila përgjatë viteve 2017-2021, drejtonte Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, u përpoq ta relativozonte sa më shumë skandalin që sapo kishte shpërthyer.

Frida Krifca mohoi çdo dyshim për korrupsion, por pavarësisht pretendimeve të saj, Zyra Evropiane kundër Mashtrimit, OLAF, i dorëzoi pak javë më parë Prokurorisë së Posaçme një raport të detajuar për abuzimet me fondet e BE-së. Raport që pritet të trondisë në themele Ministrinë e Bujqësisë dhe institucionet vartëse.

SPAK i ka nisur hetimet për abuzime dhe korrupsion me fondet, fonde përmes të cilave nuk u mbështetën fermerët, por njerëzit e fuqishëm të biznesit, politikanë vendore apo emra të krimit.

Romeo Nazarko, ishte një emigrant i kthyer në atdhe me dëshirën e mirë për të investuar, në vendin e tij. Ndoshta nga të paktët që vazhdojnë të kenë një mendim të tillë, por që pasi kthehen në Shqipëri, përplasen me terrenin e korruptuar nga i cili ishin larguar në krye të herës.

Por Nazarko, me profesion gjeodet dhe ekspert pronash, edhe pse e dinte që të merresh me bujqësi apo me kultivimin e pemëve në Shqipëri, është një industri pa fitim, ose sikurse i thonë një industri pa çati, ku edhe mund të humbasësh, pa marrë asgjë si kompensim, vendosi gjithsesi ta provojë.

“SPAK i ka nisur hetimet për abuzime dhe korrupsion me fondet, fonde përmes të cilave nuk u mbështetën fermerët, por njerëzit e fuqishëm të biznesit, politikanë vendor për qëllime elektorale apo emra të krimit.”

Kjo edhe për faktin që në mes ishin fondet e Bashkimit Evropian dhe diçka në këtë aspekt, në vendin e tij do lëvizte ndryshe. Por përballja e tij me realitetin rezultoi komplet e kundërt.

43 vjeçari aplikoi në vitin 2019, për të përfituar nga fondet e akorduara nga BE, në kuadër të programit IPARD II, që u vijnë në ndihmë fermerëve, me qëllim për të mbjellë një sipërfaqe të madhe hektarësh me arrorë, në vendlindjen e tij, në Kolonjë. Në tokën që i kishte lënë si trashëgimi gjyshi i tij, por edhe në një pjesë tjetër toke që e kishte marrë me qira për një periudhë kohore prej 5 vitesh, bashkë me një ortak, edhe pse ishte i vetëdijshëm që fitimi nuk do të ishte kush e di se çfarë.

Por ndërsa bëri aplikimin e parë pranë AZHBR për të përfituar nga fondet e BE, inxhinieri filloi të kuptojë se diçka nuk shkonte. Shpejt ai u përplas me burokracitë e para dhe me pengesa, të cilat sa vinin dhe shtoheshin, brenda këtij institucioni, edhe pse sipas tij, dokumentacioni i dorëzuar në AZHBR ishte në përputhje me ato të kërkuara në formularin për aplikim. Nga 12 pika, të cilat ishin renditur në fillim për t’u plotësuar, papritur këto pika u bënë 21 të tilla.

Sot pas 4 vitesh, Romeo Nazarko është i bindur se u skualifikua, sepse nuk zgjodhi rrugën e korrupsionit, por ndërkohë dëshmon se është një prej dëshmitarëve të OLAF, zyrës së BE-së që hetoi abuzimet me fondet. Por edhe pse pikat për t’u plotësuar u shtuan ‘si kërpudhat’, Romeo Nazarko, thotë se nuk hoqi dorë nga aplikimi. Pavarësisht se koha në dispozicion për të dorëzuar dokumentet e reja, pranë AZHBR, ishte shumë e shkurtër, ai tregon se u paraqit sërish pranë sporteleve të kësaj agjencie, me mendimin se këtë herë ai do të ishte një nga fituesit e grandit.

Edhe pse lart e poshtë, siç ndodh në kafenetë shqiptare, aty ku mëson më shumë për atë që ndodh brenda zyrave shtetërore, kishte dëgjuar se fondet shpërndaheshin kundrejt përqindjeve që çdo fermer apo agrikultor duhet të doroviste zyrtarët e kësaj agjencie që kishin në dorë fatin ose jo të subvencionit të tij.

Një akuzë kjo që tashmë po hetohet edhe nga prokuroria shqiptare.

Ai m’u duk një vërtetim qesharak, sepse unë pemtore do mbillja. Nuk besoj që nga pemët do të krijoja ndotje në mjedis. Dhe e lashë si pikë të fundit që dhe po të mos e plotësoja të ishte për t‘u riplotësuar ose për të nxjerrë një argument që ai është një dokument i panevojshëm.

Për këtë arsye, arrita t’i plotësoj, ditën e fundit, kisha kohë dhe një ditë për të marrë këtë vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, por që ndodhej në Berat.

U desh të ikja brenda ditës të merrja vërtetimin në Berat dhe të rikthehesha pranë AZHBR për të protokolluar dosjen…shkresën brenda afatit ligjor.

U plotësua dhe kjo. Më vjen një përgjigje e tretë, ku më thotë që ju nga 23 pika nuk keni plotësuar 2 pika. I bëj një kundërpërgjigje ku i them që pika 23 ndodhet në dosj. I vura në dispozicion një fotokopje të dokumentit, kurse pika e parë që ata kërkonin ishte një kontratë nënqeraje nga bashkëpronari im.

Këtë tokë prej 23 hektarësh unë e mora me qera me një tjetër koleg që është dhe ai inxhinier dhe duke qenë se nuk hapej dosja në AZHBR me dy emra, për këtë pyetëm paraprakisht…

Por Romeo Nazarko nuk kishte nga ta dinte, ose të paktën për momentin nuk kishte krijuar dyshimin e duhur se e gjithë kjo sorollatje, ishte një mënyrë që ai të mos e përfitonte grantin. Ose të kuptonte që gjërat brenda AZHBR-së, lëviznin duke lyer atë që rëndom në gjuhën popullore quhet ‘rrotën e qerres’. Problemi sipas tij, po bëhej një ngërç artificial i krijuar nga vetë zyrtarët e AZHBR, të cilët i kërkonin një kontratë nënqiraje. Edhe pse Romeo Nazarko, u përpoq të plotësonte të gjithë kushtet, sërish përgjigja e fundit e mbërritur nga AZHBR ishte refuzuese. Edhe pse e pakuptueshme nga ana e aplikuesit, që mendonte se ndodhej përballë një rasti të paprecedentë, por edhe të dyshimit në rritje, se brenda kësaj agjencie, grandet jepeshin në bazë të pëlqimeve apo mospëlqimeve, që kishin këta drejtues. Një situatë paradoksale për të, kur mendohej se vlera e investimit nuk shkonte më shumë se 20 mijë euro.

Më kthyen një përgjigje të katërt ku më thanë se refuzimi ngelet në fuqi pasi duhet të sjellësh kontratën e nënqerasë.

Duke parë këtë përgjigje refuzimi iu drejtova një studioje juridike ku mora dhe bazën ligjore mbi të cilën unë nuk duhej ta plotësoja kontratën e nënqerasë, e para ishte pasi kontrata e marrë me qera nga ana jonë pranë Bashkisë nuk na jepte të drejtën që ne të jepnim me nënqera këtë tokë. Kjo ishte referuar vetë udhëzimi i formatit të kontratës së qerasë ishte miratuar nga Ministria e Bujqësisë, nga institucioni, i cili na pengonte, që ne na pengonte të drejtën e dhënies me një nënqera. Aty kuptova që këta kërkonin të më fusnin në një ngërç që unë të bëja një shkelje që pastaj të më kapnin më vonë të më thoshin “dëgjo ke sjellë një kontratë nënqeraje për të cilën ti nuk duhet ta jepje pasi të pengon kontrata e qerasë së parë me Bashkinë”. Kjo ishte arsyeja që nuk këmbëngula pastaj i dhashë dhe një bazë tjetër ligjore që shteti jonë shqiptar njeh deklaratën noteriale si dokument zyrtar.

I gjendur në një situatë të tillë, Romeo Nazarko, kërkoi takim me drejtuesen atë kohë të AZHBR-së, Frida Krifca. E njëjta, e cila më pas do të emërohej nga kryeministri Edi Rama, në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Por sipas Nazarkos, zonja Krifca as nuk denjoi ta takojë apo të dëgjojë pretendimet e tij, por e përcolli në të njëjtën zyrë drejtorie brenda AZHBR-së, ku ai kishte marrë më herët përgjigje refuzuese në lidhje me aplikimin e tij. Gjithsesi Romeo Nazarko bëri edhe një tentativë të fundit, me qëllim për të kthjelluar zyrtarët e AZHBR-së, se kjo që po bënin nuk ishte aspak e ndershme. Aq më shumë që këto ishin fonde të qytetarëve të Bashkimit Evropian, të cilat duhet të menaxhoheshin në mënyrë korrekte. Gjë që mesa duket drejtuesit e AZHBR-së e kishin harruar dhe po i përdornin apo i shpërndanin sipas interesave dhe miqësisë të tyre. Apo edhe për qëllime elektorale. Kështu Romeo Nazarko, në një tentativë të fundit, u takua edhe me një nga drejtorët e Agjencisë, të cilit ia shprehu hapur dyshimin e tij, se grantet po shpërndaheshin kundrejt rryshfetit.

Patët mundësi të takonit ndonjë nga zyrtarët e institucioneve dhe çfarë ju thanë?

-Herën e tretë, u detyrova pasi nuk më priti herën e tretë, u detyrova të shkoj te drejtori i pranimit dhe më tha që…nuk duhet kontrata e nënqerasë. I vura në dispozicion bazën ligjore thashë “nuk duhet për mendimin tim, kështu që më lini të dyshoj atë që diskutohen jashtë nëpër kafene që ju doni pjesën e përqindjes, bakshishit që unë të shpallem fitues, sepse nuk ka asnjë dokument tjetër që i mingon dosjes.

Por teksa e kishte fjetur mendjen, që kjo punë ishte mbyllur këtu dhe nuk mund të shkohej përpara me kokëfortësi, duke bërë zapping në televizor, Romeo Nazarko, u ndesh me një nga emisionet që kishin lidhje pikërisht me suksesin, që sipas Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe Bujqësor, kishte arritur sipas tyre një nga përfituesit e shumtë të grantit. U shkëputa, një ditë të bukur, në emision, në një nga emisionet që zhvillohen në Shqipëri “Histori Suksesi”, më ngacmoi përsëri, pasi kisha 2-3 muaj që e kisha mbyllur këtë.

“Pas 2 orë e gjysëm drejtoresha ngriti pretendimin dhe kërkonte emra të personave që atë mundësi s’ia dhashë dhe s’kam për t’ia dhënë njeriu se kush ka thënë që unë dua 30-40% të… Dmth ashtu siç diskutohet dhe besoj që është e vërtetë që në projektet e AZHBR pa dhënë 30-40% të fondit ti nuk merr dot fondin.”

Ju menduat që nuk e fituat këtë…?

Ashtu sikurse edhe u caktua, takimi me drejtoreshën e AZHBR-së, Frida Krifca, u zhvillua të nesërmen sipas orarit, që kishin vendosur edhe më herët. Por edhe pse priste që në këtë takim të kishte një reflektim lidhur mbi shqetësimin e tij, për përjashtimin nga aplikimi, e kundërta ndodhi.

Sipas Romeo Nazarkos, drejtoresha e AZHBR-së, ngulmoi në të vetën. Madje nuk u mor fare me çështjen e tij, por ishte më shumë e interesuar të dinte se kush ishin personat që kishin folur për përqindjet që merreshin brenda AZHBR-së, në këmbim të grandeve të BE.

Të nesërmen e mesazhit më telefonon sekretarja ku më kërkon një takim ku drejtoresha kërkonte një takim. Jam paraqitur në datën dhe orën e takimit me dosjen gjithmonë me vete dhe nga 5 minuta që unë kërkoja takim kemi ndenjtur 2 orë e gjysëm në zyrë. Është debatuar, është diskutuar dhe me drejtorin juridik dhe me drejtorinë e projekteve ku ju është bërë e qartë që dokumenti që kërkoni është i panevojshëm. Pas 2 ore e gjysëm drejtoresha ngriti pretendimin dhe kërkonte emra të personave që atë mundësi s’ja dhashë dhe s’kam për t’ ja dhënë njeriu se kush ka thënë që unë dua 30-40% të… Dmth ashtu siç diskutohet dhe besoj që është e vërtetë që në projektet e AZHBR pa dhënë 30-40% të fondit ti nuk merr dot fondin.

Por Romeo Nazarko nuk e la me kaq. Ashtu sikurse ia pohoi edhe në zyrë, ai e mbajti deri në fund fjalën e tij.Fill pas kësaj bisede, që thjesht i përforcoi bindjen, që fondet e IPARD II për fermerët po keqmenaxhoheshin, ai ndërmori një tjetër nismë. Këtë herë duke i shkruar vetë zyrës së OLAF, ku e vinte në dijeni se në Shqipëri këto fonde kishte dyshime se nuk po shkonin te fermerët e vërtetë, por ishin produkt i një korrupsioni madhor.

Pra këta zyrtarë nuk është se u morrën me çështjen… nuk u sqarua në thelb problemi. Unë ju thashë nqs ju mendoni që nuk doni 30-40 % ja ku e keni dosjen mbi tavolinë, dosja ishte e qartë, me gjithë dokumentat që ju keni aty unë i kam këtu, më jepni ose bazën ligjore ose aprovojeni dhe unë të besoj që ju nuk doni 30-40 % të shumës ashtu siç përflitet jashtë.

 

Çfarë ndodhi pas këtij takimi?

Pas këtij takimi i bëra të qartë drejtoreshës, i lashë një afat 10 ditor për të rishikuar dhe njëherë me grupin e punës, të rishikonte dhe njëherë dosjen, të mbështetej në ligjet shqiptare dhe të rishikonte atë pikë që ishte e panevojshme se ndërkohë unë nuk kam për t’u tërhequr nga kjo nismë. Unë u dogja nga ky aplikim, por thashë u dogja unë le të përfitojnë të tjerët që do aplikojnë. Unë i drejtohem Brukselit nëpërmjet  këtij emaili. Dmth unë e kisha të qartë dhe adresën ku ishte burimi ose ku ishin të ardhurat, të cilat këta i shpërndanin. Ja bëra të qartë, ja thashë sy më sy. Filloi të shantazhonte me fjalë deri diku…Ka qenë një debat face to face po 2 orë e gjysëm çka mund të diskutohet dhe si përfundim jam larguar duke i lënë një afat 10 ditor. Prita atë afatin 10 ditor dhe ju drejtova Brukselit.

Jam Romeo Nazarko, kam bërë këtë aplikim, jam refuzuar me kushte të panevojshme. Për mendimin tim aty ka korrupsion, nqs ju nuk ndërhyni jeni të lidhur me një pjesë të këtij korrupsioni. Ky ka qenë emaili i dërguar pranë OLAF në anglisht.

Përgjigja nga zyra e OLAF, e hetimit të fondeve të BE, në Bruksel, nuk do të vononte.

Romeo Nazarko, thotë se ata e telefonuan dhe u interesuan lidhur mbi denoncimin e tij.Më 4 maj 2021, inxhinieri thotë se në aplikacionin Skype u lidh në Bruksel me dy hetues të OLAF, të cilë dëgjuan historinë e abuzimit me fondet e programit të ndihmës për bujqësinë, IPARD II dhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR.

Një muaj mbasi dërgova emailin, pastaj më vjen një telefonatë, nëpërmjet true caller, belgu…ku më kërkuan në lidhje me kallzimin, gjë që vazhdoi pastaj edhe npm telefonit, u bë dhe denoncimi pranë OLAF.

Thashë gjithmonë, unë e mora përgjigjen, skualifikimin. Unë nuk është se do prisja nga OLAF që të më aprovohej dosja. Thjesht tani erdhi… ai inati që këta hyne te xhepi im se hynë te xhepi im dhe hyrja te xhepi im është e kësaj natyre, unë s’kisha pse merrja tokën me qera në Kolonjë nëse nuk do aplikoja në AZHBR, sepse unë kam tokat e mia, zhvilloja tokat e mia atje s’kisha pse merrja tokë më shumë. Është gati 5 vjet qera toke që unë e paguaj në mënyrë të rregullt. Është projekti, projektet që janë bërë në lidhje me dosjen. I gjithë dokumentacioni, mbyllja e punës së aktivitetit tim dokumentat, naftë, lartë poshtë…

Domethënë mua më ka shkuar një kosto rreth 20.000 euro dhe paramendoni që 20.000 euro një fermer duhet të hedhë… që nuk e plotëson dot një dosje të kësaj natyre, të vijë të plotësojë dosjen dhe të fitojë në AZHBR. Dhe duke qenë se këta hynë në xhepin tim, domethënë ato ishin të ardhura që unë punoj dhe i kam për familjen time.

Ata hynë te xhepi i familjes sime dhe tani nuk ngeli gjë tjetër veçse t’i drejtohesha OLAF, jo për të kualifikuar dosjen, sepse OLAF nuk kualifikon, vetëm heton, kontrollon gjithë veprimtarinë e AZHBR, por për t’i dhënë mundësi gjithë fermerëve të tjerë që do aplikojnë në të ardhmen. Por denoncimi i Romeo Nazarkos, do të shërbente vetëm si fillesë e një hetimi që do të nxirrte zbuluar tashmë korrupsionin e zyrtarëve të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, me fondet e Bashkimit Evropian. Por edhe një listë të gjatë njerëzish pranë pushtetit, të cilët ishin ushqyer me taksat e qytetarëve evropianë. Midis tyre edhe personazhe të dënuar për vepra penale të ndryshme, të cilët ishin larguar nga postet e tyre zyrtare pikërisht. për shkak të lidhjeve të tyre me krimin.