“Deri më 28 Nëntor të gjithë në shërbim të Ditës së Flamurit”

600
Sigal

INTERVISTË/ Flet kryetari i Qarkut të Vlorës, Anesti Dhimojani: “Ja çfarë po bëjmë për 100- vjetorin e Pavarësisë”

Shpresoj që dita e madhe e 100 -vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, të përcjellë mesazhin e duhur për politikën, pasi në këtë ditë të shënuar të gjithë duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, kështu e ka nisur intervistën e dhënë për “Telegraf”, kryetari i Qarkut të Vlorës, Anesti Dhimojani, i cili ndër të tjera thekson edhe projektet që po merren në këtë ngjarje të madhe të Kombit.

Zoti Dhimojani, çfarë ka menduar Qarku i Vlorës, në prag të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare?

Qarku i Vlorës, bashkitë dhe komunat që janë në juridiksion të tij, e vlerësojnë, ashtu sikurse është në të vërtetë, si një ngjarje të rëndësishme “28 Nëntorin” e këtij viti, që shënon 100- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ngjarje e madhe për Kombin, ka ndodhur në Vlorë dhe Vlora duhet të marrë masa të gjithanshme për ta festuar ashtu sikurse e meriton kjo datë historike. Dua  t’ju them se  Këshilli i Qarkut ka hartuar një plan të gjerë, për të vënë në lëvizje administratën, bashkitë dhe komunat. Ky plan është bërë në bashkëpunim edhe me Shoqërinë Civile, shoqatat e fondacionet, në mënyrë që jo të ketë gjithë përfshirje,ku  çdokush të jap kontributet e veta.

Mund të flasim konkretisht z. kryetar?

Përveçse mbështetës, Qarku është edhe organizues i shumë veprimtarive, për më tepër vëmendja jonë po përqendrohet në investimet në infrastrukturë. Në këtë mbledhje të Këshillit të Qarkut do të diskutojmë gjatë dhe me përgjegjësi, që nga vlerësimi i figurave që kanë kontribuar dhe janë lënë në harresë, për një arsye apo një tjetër. Nga ana tjetër ju kemi kërkuar me përgjegjësi këshillave bashkiake dhe këshillave të komunave, propozimet që kanë në çdo aspekt.

Në kuadër të investimeve çfarë mendohet deri në ditën e ngjarjes së madhe?

Këshilli i Qarkut ka pasur një fond prej 340 milionë lekë, që i kemi ndarë deri në qindarkë, sipas kërkesave dhe prioritetet që kanë njësitë vendore.

Ka zëra se keni favorizuar njësitë vendore që drejtohen nga e djathta. Sa qëndron kjo?

Unë asnjëherë, në të gjitha funksionet që kam pasur nuk kam bërë diferencime. Kush dyshon le të shohë planet, shpërndarjen e fondeve në të 13 njësitë vendore, sipas nevojave e prioriteteve. Ka shifra, ka procedura për tenderimin e investimeve.

Mund të merrni një shembull?

Po e nisim me Himarën, që drejtohet nga Gjergji Goro që është i së majtës. E kemi vlerësuar si një qytet të rëndësishëm të Qarkut të Vlorës, i kemi dhënë 25 milionë lekë të vjetra për të bërë rikonstruksionin e fshatit Iljaz. Po kështu kemi në duar një projekt të Shpellës së Spilesë, në bashkëpunim me një Fondacion, që është në fazën e tenderimit dhe kap shumën 60 mijë dollarë. Do të përmend edhe investimin për ndërtimin e rrugës në varrezat publike, që i takonte bashkisë së qytetit. Për këtë investim harxhuam 110 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që jemi në pritje të pjesës së dytë të fondit nga Qeveria. Nëse ai nuk vjen, atëherë, në buxhetin e ardhshëm të Qarkut, do të planifikojmë fondin, që rruga të përfundojë plotësisht, jo vetëm asfaltimin, por edhe ndriçimin. Kështu mund të flasim edhe për njësi të tjera, që drejtohen nga të majtët.