Deputeti që do privatizojë kioskat në gjithë Shqipërinë

535
Një deputet i majtë nga Tirana është menaxheri dhe pazarxhiu, që pritet të mbushë rrugët, kryqëzimet dhe rrugicat e Elbasanit me kioska “bashkohore”. Madje, ai është edhe personazhi kryesor në pazaret dhe ofertat për blerjen e këshilltarëve të djathtë në disa njësi vendore. Blerja e këshilltarëve të djathtë, mbetet një fenomen negativ dhe shumë i përhapur në Këshillin Bashkiak të Elbasanit. Kjo ka ndodhur edhe në 8 vitet e shkuara. Furtuna mbi kioskat, prishja e tyre dhe nxitimi për të vendosur me vendim të Këshillit Bashkiak për “kioskat moderne” të deputetit, ka detyruar këtë të fundit të nisë blerjet e vjeshtës, për të mos pasur si gjithmonë kundërshtime qoftë edhe sporadike nga PD. Ditët e fundit, Inspektorati Ndërtimor rrafshoi brenda një nate dhjetëra kioska, që realisht ishin si kolibe, pavarësisht se ishin kryesisht për shitje gazetash. Të gjitha ato objekte metalike, realisht ishin me leje provizore dhe fare pak prej tyre ishin me vendim të Këshillit Bashkiak të viteve të shkuara. Por, duke nisur nga shtatori e tutje, çdo kioskë e deputetit nga Tirana, do të vendoset vetëm me vendim të Këshillit Bashkiak. Por për të realizuar këtë ambicie biznesi, deputetit i duhet të blejë e pakta 4 ose 5 anëtarë të Këshillit Bashkiak, gjë të cilën ai po e realizon me takime të shpeshta “pune” në kafenetë e qytetit. Procesi i konstituimit të Këshillave Bashkiak, ka nxjerrë edhe një herë në pah fenomenin e vjetër të blerjes dhe trafikimit të këshilltarëve, të infektuar nga interesat e ngushta lokale. Zakonisht këshilltarët e partive në opozitë, tentojnë të afrohen apo të rekrutohen nga partitë që janë në pushtet. Por pas zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015, duket se po ndodh e kundërta. Por në procesin e konstituimit ka ndodhur, që këshilltarë të Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj, të kenë devijuar, duke votuar në raste të veçanta për Partinë Demokratike dhe krahun e djathtë. Në zgjedhjet e 21 Qershorit 2015, Partia Demokratike, si asnjëherë më parë, ka humbur rreth 95 për qind të këshillave bashkiakë. Por, atë që nuk e mori me votë, PD duket se po synon ta marrë me metoda të tjera. Ndërkaq, procesi i votimit dhe devijimi i këshilltarëve, do të jenë pjesë e analizës nga drejtuesit e PS, ndaj ky fenomen nuk është i izoluar. Sipas burimeve, devijime dhe trafikime këshilltarësh, ka pasur pothuajse në çdo bashki të vendit. Të gjitha rastet po identifikohen dhe analizohet nga kryesitë e PS së degëve dhe deputetët socialistë, ku do të merren masa përjashtimore në çdo rast. Por rasti i blerjeve, që nga deputeti majtist pëlqehen të quhen si “blerjet e vjeshtës”, ka të bëjë me kioskat, vendosjen e tyre mbi ato metalike, që u ishin “kalbur” themelet dhe duke i zëvendësuar me moderne. Mësohet se “blerja e vjeshtës” ka qenë e suksesshme, pasi 4-5 anëtarë të Këshillit Bashkiak nga PD, tashmë e kanë dhënë fjalën dhe pritet mbledhja e radhës për të votuar unanimisht propozimin e të majtëve. Deputeti i kioskave, njihet edhe për pazare të tjera, që i kanë mbushur mirë xhepat atij në Elbasan, kryesisht në sektorin energjetik për lidhjet e tij me ministrin e linjës. Turrja drejt pazareve dhe loja me kafshatën e bukës së dhjetëra e qindra familjeve në Elbasan, tregon rritjen e shfrenuar të babëzisë për para të fituara qyl, fenomen që ka rritur ndjeshëm problemet sociale dhe kryesisht varfërinë në qytetin e 1001 halleve. Atyre që kishin deri dje kioskat metalike të dala boje dhe që kishin paguar madje edhe detyrimet tatimore deri në dhjetorin e 2015, u duhet tashmë të futen në borxhe dhe kredi për të blerë ndoshta edhe me këste, kioskën moderne të deputetit të majtë, mikut të ministrit, që nuk ka të fryrë me para qyl. 
Sigal