Flet Dr.Luljeta Kodra: Studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në UMSH gati për integrimin në tregun e punës, ja praktikat në institucione

Flet zv dekania e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Dr Luljeta Kodra

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është sot një nga Universitetet më elitare në Shqipëri, Ai përbëhet nga katër fakultete të cilat ofrojnë numër të lartë programesh studimi në fushat përkatëse.

Sigal

Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane, Fakulteti i Informatikës dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore  përbëhen dhe drejtohen nga një staf  shumë i kualifikuar, i përzgjedhur ndërmjet profesionistëve më të mirë e më me integritet të fushave ekonomike, sociale, teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë me një përvojë të gjatë në profesion dhe mësimdhënie si dhe nga lektorë të rinj shumë të talentuar të diplomuar brenda dhe jashtë vendit.

Pyetje. Ju jeni pjesë e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Ҫfarë programesh studimi ofrohen në këtë fakultet dhe cili ka qenë interesi i shprehur nga maturantët për të vazhduar studimet në një nga degët e këtij fakulteti.

-Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane përbëhet nga katër departamente, Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Departamenti i Sociologjisë dhe Psikologjisë si dhe Departamenti i Edukimit, Komunikimit dhe Formimit Bazë. Në këtë fakultet ofrohen disa programe studimi si Programi i integruar 5-vjeҫar në drejtësi, Bachelor në Marrëdhënie dhe Institucione Ndërkombëtare, në Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun, në Mësuesi për Arsim Fillor dhe Parashkollor, në Shkenca Politike me profile Politikat e Integrimit dhe Qeverisjes dhe Administratë Publike, në Studime Psikosociale. Ofrohen gjithashtu programe studimi Master shkencor si: Master i shkencave në E Drejtë Publike, në E Drejtë Civile dhe tregtare, në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Studime Politike dhe Strategjitë Ekonomike të Zhvillimit, në Psikologji me disa profile etj si dhe programe Master Profesional në disa fusha.

Interesi i maturantëve ka qenë i lartë veҫanërisht për Programin e Integruar 5-vjeҫar në Drejtësi ku janë shpallur një numër i konsiderueshëm fituesish të cilët po vijojnë rregjistrimin që në fazën e parë. Por interes të shtuar ka pasë edhe për degët e tjera si studime psikosociale, administratë publike, marrëdhënie ndërkombëtare, komunikim etj.

Pyetje. Cilat janë disa aspekte të punës që bëni me studentët në fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Humane?

Procesi kryesor është procesi mësimor sigurisht, paisja e studentëve me njohuritë bazë të drejtimeve të tyre të studimit. Ky proces zhvillohet në një monitorim efektiv si në bachelor dhe  në Master për të siguruar cilësinë e tij. Këtu përfshihen diskutimet periodike për përmirësimin e planeve dhe programeve mësimore, përfshirja në syllabuse e temave që trajtojnë zhvillimet aktuale të fushave brenda kufijve të lejuar të ndryshimit të tyre, planifikimi dhe organizimi perfekt i të gjithë procesit të përgatitjes dhe mbrojtjes së  temave të diplomave në Master shkencor dhe në Programin e Integruar 5-vjeҫar në Drejtësi nëpërmjet bashkëpunimit të drejtuesve të fakultetit me përgjegjësit e departamenteve për përcaktimin e temave orientuese për diplomim sipas profileve të studimit, organizimi dhe zhvillimi i seancave këshillimore për mbrojtjen e temave të diplomave master shkencor, orientimi i studentëve diplomantë nga pedagogët udhëheqës të temave të diplomave deri në prezantimin përfundimtar të temës pasi të ketë kaluar më parë edhe në sistemin e antiplagjaturës. Në të njëjtën mënyrë punohet edhe për përgatitjen e provimeve të mbrojtjes së diplomave nëpërmjet provimeve të formimit në programet e studimit Bachelor dhe në Masterat profesionalë.

Organizimi dhe kordinim i procesit të praktikave mësimore për nivelin Master është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm i punës në të cilin studentëve iu krijohet mundësia të zhvillojnë këto praktika në vendet e tyre të punës kur ato janë të punësuar në institucione që mund të ofrojnë praktika sipas fushës së studimit dhe për të gjithë studentët e tjerë krijohet mundësia e zhvillimit të praktikës në institucionet më të rëndësishme të vendit me të cilat Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e interesave  të përbashkëta ndër të cilat përfshihet edhe përgatitja konkrete profesionale e studentëve që janë në prag të diplomimit.

Pyetje. Duke qenë se ju aktualisht përveҫse lektore në Departamentin e Drejtësisë jeni edhe zv dekane e fakultetit për kërkimin shkencor a mund të na thoni se ku konsiston puna shkencore në fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Humane?

Kërkimi shkencor në fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Humane është një aspekt shumë i rëndësishëm i veprimtarisë tonë krahas procesit mësimor në të gjitha nivelet. Në funksion të këtij procesi, departamentet dhe fakulteti organizojnë aktivitete të ndryshme me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe me pjesëmarrjen e studentëve, një pjesë e të cilave kanë karakter të mirëfilltë shkencor. Në shumë raste aktivitetet zhvillohen të përbashkëta me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve të fakultetit për çështje të interesit të përbashkët.

Këto aktivitete konsistojnë në referime të personaliteteve të ftuar në fakultet që vijnë nga fusha të ndryshme të shkencës; referime shkencore të pedagogëve të fakultetit si referues kryesor dhe debate e diskutime shkencore nga ana e pedagogëve të tjerë pjesëmarrës dhe studentëve; konferencat ndërkombëtare shkencore me pjesëmarrjen e pedagogëve të fakultetit; punime të mirëfillta shkencore të studentëve dhe aktivitete lidhur me çështje praktike të fushës së tyre konkrete të studimit nga të cilat do të veҫoja punimet e studentëve në fushën e të drejtës publike, të drejtës kushtetuese, të së drejtës administrative, etj në formën e projekteve shkencore të udhëhequra nga pedagogët. Ajo që është më e rëndësishme, tradita tashmë e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në organizmin e konferencave shkencore studentore në ҫdo vit akademik me pjesëmarrjën e studentëve nga të gjitha vitet dhe programet e studimit të ofruara nga departamentet e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane. Konkretisht, konferenca e I-rë shkencore studentore me temë “Studentët shqiptar përballë sfidave të së ardhmes europiane”, organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane në maj 2023; konferenca e II-të shkencore studentore me temë “Studentët në epokën digjitale”, zhvilluar në prill 2024; konferenca e III-të shkencore studentore me temë “Inteligjenca artificiale dhe shoqëria” zhvilluar në maj 2025.

Pyetje. Në ҫfarë niveli është bashkëpunimi juaj me institucionet në funksion të një realizimi  praktik të aktivitetit mësimor dhe shkencor?

Në funksion të programeve të studimit për fushën e drejtësisë dhe fushat e tjera sociale që janë pjesë e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, fakulteti mban marrëdhënie nëpërmjet marrëveshjeve me institucionet. Marrëveshjet më të reja dhe shumë të rëndësishme janë përfunduar me institucione si Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Instituti i Statistikave, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut etj, institucione këto që kanë mbështetur realisht aktivitetin akademik që zhvillohet në fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Humane  nëpërmjet zhvillimit të leksioneve të hapura të drejtuesve dhe specialistëve të këtyre insitucioneve  me pedagogë dhe studentë, zhvillimin e trajnimeve në fushat që ata mbulojnë për studentët e fakultetit, mundësimin e pjesëmarrjes së studentëve në tryeza profesionale diskutimi, krijimin e mundësisë për zhvillimin e praktikave mësimore etj. Qëllimi i këtij bashkëpunimi nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta është që t’iu mundësohet studentëve të të gjitha programeve dhe niveleve të studimit njohja me institucionet, mënyrën dhe parimet e funksionimit të tyre, në mënyrë që të kuptojnë më mirë dhe në mënyrë më konkrete gjithë procesin teorik që zhvillohet gjatë mësimdhënies; të marrin njohuri shtesë teorike dhe praktike nga personalitete të fushave të veҫanta; të orientohen më qartë për vazhdimin e karrierës së tyre nëpërmjet njohurive që kanë mundësi të marrin nga këto kontakte që ju mundësojmë me përfaqësues dhe drejtues të institucioneve.

Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet do doja të cilësoja gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi me Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministrinë e Drejtësisë institucione që përfshijnë studentët e fakultetit tonë në aktivitetet që ata organizojnë. Ndërsa lidhur me përfshirjen e studentëve në aktivitete që i shërbejnë zgjerimit të horizontit të tyre në fusha të përgjithshme do të veҫoja pjesëmarrjen e vazhdueshme të studentëve në aktivitetet që zhvillohen nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, diskutimet  e hapura me përfaqësueset e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, bashkëpunimin me Qendrën e Botimeve Zyrtare, Komisionerin për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale etj. Një aktivitet shumë i rëndësishëm është gjithashtu takimi i studentëve të programeve Master me studentë të suksesshëm ALUMNI, për të treguar arritjet dhe përvojat e tyre profesionale pas diplomimit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, i cili organizohet ҫdo vit në fakultet  në kuadër të Zyrës Alumni të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.