Denoncimi i PD/ ‘Pajisjet anti-COVID u blenë 3 herë më shtrenjtë’

236
Sigal

Partia Demokratike ka vijuar denoncimin se qeveria ka dhënë tender për blerjen e pajisjeve anti-COVID me çmim 3-fish më të shtrenjtë se kompanitë që u skualifikuan.

Nëpërmjet ish- deputetes, Oriola Pampuri, PD-ja shprehet se gjatë kësaj periudhe, kjo qeveri vetëm ka vjedhur.

Deklarata e plotë e Oriola Pampurit
Shumë prej jush sot mund të kenë marrë lekë borxh për të blerë ilaçet kundër covidit. Shumë të tjerë prej jush janë gdhirë të papune, me mijëra të tjerë jetojnë me pasigurinë e situatës.

Por hallet e njerëzve të zakonshëm nuk janë hallet e qeverisë që na drejton edhe për pak muaj. Qeveria e Edi Ramës e sheh këtë si një kohë për të vjedhur me tendera të fryrë. Pandemia është shfrytëzuar nga qeveria si një periudhë e artë për të mbushur xhepat.

Ne publikuam një ditë më parë një nga rastet më të rënda të vjedhjes me tendera në kohë pandemie. Qeveria ka dhënë një tender me 3 fishin e çmimit për të blerë pajisje anticovid. Është një luftë mes klanesh në qeveri, që përplasen me njëri-tjetrin për te zhvatur paratë tuaja, të dashur qytetarë.

Kompania të cilës i është dhënë tender 3 milionë euro, me 3 fishin e çmimit, kishte ofertën më të lartë, por për qeverinë e Edi Ramës përfitimi nga tendera me çmime të rritura qëllimisht, është shqetësimi më i madh. Me 3 milionë euro, mund të blijeshin 3 herë më shumë pajisje mbrojtese për mjekët dhe personelin shëndetësor. Mund të ishin blerë 3 herë më shumë veshje speciale, çizme, syze, maska mbrojtëse.

Kjo nuk ndodhi as këtë herë, sepse qeveria ka vendosur të vjedhë edhe tek pajisjet qe mbrojnë mjekët. Shqipëria është një nga bendet me numrim më të lartë të mjekëve që kanë humbur jetën për shkak të covid 19.

Cila është përgjigja e qeverisë për këtë radt të rëndë të abuzimit me paratë e shqiptarëve?

Zero reagim!

Zero përgjegjshmëri!

Edi Rama dhe qeveria e tij heshti dje, vazhdon të heshtë edhe sot në përpjekje për të mbuluar skandalin e radhës me vjedhjen e qindra milionë lekëve në kohë pandemie.

Heshtja e tyre nuk e mbulon dot të vërtetën, të cilës ne do t’i shkojmë deri në fund për hir të mijëra e mijëra qytetarëve të braktisur më mëshirën e fatit dhe qindra mijëra të tjerëve që duan siguri për jetën, punën dhe shëndetin!