Avokati Fran Dashi, ka bërë denoncim të fortë gjatë një interviste televizive, ku akuzoi gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë se nuk janë korrektë me oraret dhe ditët e zhvillimit të seancave. Fran Dashi tregoi se gjyqtarët, dhe prokurorët shkelin ligjin duke mos punuar ditën e hënë dhe të premten, por vetëm të martën, të mërkurën dhe të enjten. Ai bëri thirrje që të kontrollohen gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë pasi nuk shkojnë në punë sipas kalendarit të punës, por abuzojnë.
“Shkoni dhe shikoni gjykatat dhe prokuroritë e juridiksionit të Përgjithshëm. Shkonin gjyqtarët dhe prokurorët në punë në orën 12:00 të drekës, shikoni në çdo gjykatë të shkallës së parë në të gjithë Shqipërinë dhe të juridiksionit të përgjithshëm, ditën e premte nuk zhvillon gjyq asnjë gjykatës ose prokuror. Ikin ditën e enjte kthehen tek shtëpia, kthehen me pushime, ditën e premte janë në shtëpi dhe ata marrin ditën e punës. Pse nuk janë në gjyq? Pse nuk caktojnë seanca gjyqësore? Hajdeni të verifikoni në gjykatat e shkallës së parë verifikoni nëse gjeni seanca gjyqësore ditën e hënë dhe të premten. Vetëm ditën e martë, të mërkurën dhe të enjten zhvillohen seanca gjyqësore. Pse ndodh kjo? Sepse të hënën shkojnë në punë në orën 12 dhe të enjten pasdite kthehen tek banesa, pastaj i bie pushim të premten, të shtunën dhe të dielën, pra tre ditë pushim. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë flenë gjumë, kur iu del gjumi është mbyllur java dhe kështu po ecën sistemi i drejtësisë, përjashtojmë gjykatën kundër korrupsionit dhe SPAK-un, sepse ka tjetër nivel, ka tjetër qasje. Gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë dhe të apelit, ata flenë gjumë, sepse nuk i kontrollon askush. Po ti ankohesh Këshillit të Lartë të Prokurorisë për një prokuror, duhen dy vite dhe nuk merr dot përgjigje” tha avokati Fran Dashi.




















