Delfinë amerikanë do të pastrojnë Adriatikun nga minat

605
Sigal

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë njoftim për stërvitjen ushtarake ndërkombëtare “Dolphin – 2012”

Në drejtim të Malit të Zi, nga baza e San Diego në Kaliforni, me një fluturim që zgjati 17 orë, u transportuan një grup delfinësh të stërvitur posaçërisht. “Delfinët marrin pjesë në stërvitjen ushtarake ndërkombëtare “Dolphin – 2012″, në të cilën, përveç një njësie speciale xheniere të marinës amerikane (Explosive Ordnance Disposal Mobile Unit-1), do të pasurojnë përvojën e tyre ushtarakë nga Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia”, njoftoi para arritjes se avionit Radio amerikane “Svoboda”, që e shoqëron lajmin me një video të transmetuar nga qeveria malazeze dhe të edituar nga ambasada amerikane në Malin e Zi.

Transporti dhe trajnimi

Dhjetë delfinë u transportuan në Adriatik, në aeroportin e qytetit të Tivatit, me avion transporti “Galaxy”, i pajisur me basene të posaçme, të shoqëruar nga një ekip civil trajnerësh dhe veterinerësh. Nga aeroporti i Tivatit kamionët me 10 delfinët shkuan në portin e jahteve. Gjatë stërvitjes në gjirin Bokat e Kotorrit delfinët u theksua se do të kërkojnë minat e pashpërthyera që nga koha e dy luftërave botërore dhe që ndodhen në thellësi të detit. Ata janë trajnuar të identifikojnë pozicionin e minave. Marina ushtarake amerikane administron një Program për Përdorimin e Gjitarëve (U.S. Navy Marine Mammal Program). Në fazën e dytë do të punojnë xhenierë amerikanë dhe palombarë lokalë si dhe zhytës nga shtete fqinje. Ka ekzistuar mendimi se deti Adriatik në pjesën malazeze, deri në thellësinë 70 metra, ishte pastruar nga minat, por rezultoi se nuk ishte e vërtetë. Kjo ishte arsyeja që qeveria amerikane elaboroi një program për të ndihmuar Malin e Zi – pas stërvitjes ushtarake, që do të zgjasë deri më 24 tetor – ambasada amerikane në Podgoricë do t’i japë qeverisë malazeze një listë të të gjitha objekteve të gjetura, që janë potencialisht të rrezikshme, njoftoi selia diplomatike e Uashingtonit në Podgoricë. Në stërvitje do të stimulohet një mision paqeruajtës i OKB-së.

Ministria e Mbrojtjes

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë njoftim për stërvitjen ndërkombëtare (amerikane-malazeze-shqiptare-kroate-sllovene) “Dolphin – 2012”, megjithëse në të marrin pjesë pjesëtarë të forcave detare shqiptare. Për më tepër që Shqipëria ka më tepër nevojë për Programin e Përdorimit të Gjitarëve (delfinëve), pasi minat detare kanë penguar dhe një projekt të BE-së për thellimin e kanalit të hyrjes në Portin e Durrësit para disa vjetësh. Bregdeti shqiptar i Adriatikut, sipas rilevimeve edhe të hidrografisë së marinës amerikane, është një “varrezë” e kaltër anijesh të mbytura gjatë dy luftërave botërore. Në Luftën I Botërore në gjiret e Durrësit dhe të Vlorës janë zhvilluar beteja detare mes Austro-Hungarisë, Italisë, Britanisë. Kurse bregdeti në Durrës nga Kepi i Rodonit në Kalanë e Turrës, gjatë Luftës II Botërore, është minuar nga gjermanët nga frika e zbarkimit të aleatëve për hapjen e Frontit të Dytë. Nuk është fort e qartë pse Uashingtoni, që ka pasur në plan të zhvillonte një stërvitje të tillë në Shqipëri, e ka zhvendosur në Malin e Zi, që nuk është as vend anëtar i NATO-s.

UKRAINË, NË GATISHMËRI LUFTARAKE PO VIHEN DELFINËT

Duke iu referuar shkrimit të gazetarit Grigori Milenin në portalin e radios shtetërore ruse “Gollos Rusia” edhe në Ukrainë po vihen në gatishmëri luftarake delfinët. Autori vëren se nëpërmjet këtyre stërvitjeve po marrin jetë armët e luftës së ftohtë. Këto ditë, vëren Milenin në Ukrainë ka filluar programi i trajnimit të delfinëve specialë-specialistë shpërthimesh dhe gjuajtës desantësh. Duke iu referuar ekspertit ushtarako detar rus Kostandin Sivkov vërehet se në vitet 1960 në Amerikë dhe Bashkimin Sovjetik shkencëtarët ndërmorën studimin dhe trajnimin e gjitarëve detarë – delfinëve dhe fokave – për përdorimin e tyre për qëllime ushtarake. Për shembull, të dy vendet përgatisnin delfinët për asgjësimin e anijeve të kundërshtarit. Trainimi i delfinëve është shpikje e pas Luftës së II-të Botërore.

HISTORIKU I DELFINËVE USHTARAKË DHE KALIMI I TRAJNIMIT NGA RUSIA NË UKRAINË

Gazetari Milenin shkruan se, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik baza unikale e trajnimit të delfinëve luftarakë në Sevastopol i kaloi në pronësi Ukrainës. Që atëherë gjendja e këtij kompleksi shkencor erdhi duke u përkeqësuar: fondet e financimit filluan të reduktohen, nisën të shiten pajisjet unikale shkencore, u larguan specialistët. Siç është përmendur në shtypin rus dhe të huaj, në fillim të viteve 2000 Ukraina ia shiti delfinët e mbetur të trajnuar Iranit, ku ata pretendohet se përdoreshin për patrullimin e ujërave të Ngushticës së Hormuzit. Konstantin Sivkov nuk përjashtoi, se rifillimi i trajnimit të gjitarëve detarë luftarakë nga specialistët e Ukrainës mund të jetë i lidhur me porositë e reja të ushtarakëve iranianë. Kjo është edhe një akuzë e tërthortë e ekspertëve rusë mbi lidhjet që mund të kenë konstatuar rreth ndihmave që Ukraina u jep iranianëve.