Departamenti Amerikan i Shtetit ka përfshirë sërish Shqipërinë në listën e vendeve me rrezik të lartë për pastrimin e parave, duke theksuar lidhjet e këtij fenomeni me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Pak ditë më parë, DASH publikoi volumin e dytë të raportit për Pastrimin e Parave, ku ndër vendet e përmendura figuron edhe Shqipëria. Sipas raportit, për shkak të niveleve të larta të krimit dhe korrupsionit, në vend vërehet një prezencë e shtuar e pastrimit të parave.
DASH thekson se kriminelët pastrojnë të ardhurat kryesisht nëpërmjet blerjeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
“Pjesa më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri është e lidhur me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore, mashtrimin me kontratat qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Ekonomia shqiptare e bazuar kryesisht në para në dorë, kontrollet e dobëta kufitare dhe kontrolli i dobët doganor, lehtësojnë një treg të zi për mallrat kontrabandë. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, kriptomonedhave dhe projekteve të tjera në fushën e biznesit”,- thuhet në raport.
Raporti përmend gjithashtu raste konkrete që lidhen me hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë shqiptarë, duke përfshirë edhe Sali Berishën.
“Në vitin 2023, SPAK ndërmori veprime që përfshinin arrestime dhe sekuestrim të pasurive të ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Në tetor SPAK njoftoi një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga ish-Sekretari i DASH Blinken, që sot është shpalluar “non grata” nw administratw nga Presidenti Trump, për korrupsion sipas parashikimeve të nenit 7031(c) të Aktit të Ndarjeve të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të përafërta 2021, pasi dhëndri i tij përfitoi nga zhvillimi i pronës së tij, afro 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës për korrupsion dhe pastrim parash dhe sekuestroi pasuritë e tij.”
Po ashtu, raporti sjell në vëmendje edhe çështjen e inceneratorëve, duke përmendur rastin e ish-ministrit Lefter Koka.