Përdorimi i gabuar i disa medikamenteve, trajtimi jo i përshtatshëm i infeksioneve të veshit, si dhe gjendjeve gripale, zhurmat e forta, konsumi i lartë i duhanit, apo edhe anemia, janë ndër faktorët e riskut që çojnë drejt uljes së dëgjimit.
Rënia, apo humbja e dëgjimit ka shkaktarë të shumtë, por në vijim do të përmenden faktorët më të shpeshtë, të cilët shkaktojnë përqindjen më të madhe të çrregullimeve të dëgjimit, për të cilët nëse merret kujdesi i duhur, mund të parandalohen efektet e tyre negative.
Natyrisht që ndër shkaktarët kryesorë mbeten zhurmat dhe përdorimi i duhanit. Në vijim të shkrimit gjeni te detajuara ndikimet që ka secili prej këtyre faktorëve në uljen e dëgjimit, si dhe këshillat se si duhet të veproni për të vonuar sa më shumë që të jetë e mundur shfaqjen e këtyre çrregullimeve të dëgjimit.
Zhurmat e forta
Zhurmat shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme të nervit të dëgjimit, të cilat kohët e fundit janë rritur së tepërmi. Zhurmat klasifikohen të kategorive të ndryshme, siç janë për shembull ato në vende të ndryshme të punës (uzina, fabrika), zhurma e makinave në rrugë, apo edhe zhurma e muzikës së lartë.
Niveli i nikotinës në gjak
Gjithashtu, studimet kanë treguar që edhe niveli i lartë i nikotinës në gjak, luan rol të rëndësishëm në dëmtimin e nervit të dëgjimit.
Mosha
Natyrisht që me rritjen e moshës dobësohet edhe nervi i dëgjimit, ashtu si i gjithë organizmi. Pra ne nuk jemi në gjendje të parandalojmë dëmtimin fiziologjik të humbjes së dëgjimit, por kemi mundësi ta vonojmë atë, duke marrë masat e duhura parandaluese. Zakonisht rënia fiziologjike e dëgjimit fillon pas moshës 70 vjeç.
Dylli i veshit
Por, organizmi ynë ka edhe masat e veta mbrojtëse për ruajtjen e organit të veshit. Trupi prodhon dyllin e veshit (cerumen) për të pastruar dhe mbrojtur veshët.
Dylli mbledh papastërtitë, pluhurat dhe lëndë të tjera dhe i nxjerr ato jashtë tij, duke ndihmuar kështu në parandalimin e infeksioneve të ndryshme. Për shumë njerëz dylli i veshit është një tregues i papastërtisë dhe kanë tendencë ta pastrojnë atë më çdo kusht. Ky keqinformim çon në zakone të pasigurta shëndetësore.
Aktivitetet e përditshme, siç janë: lëvizjet e nofullave gjatë përtypjes, apo të folurit, bëjnë që dylli i veshit të rrjedhë normalisht në drejtim të vrimës së jashtme të veshit, gjë e cila pastrohet lehtë gjatë larjes. Ky është një proces normal i vazhdueshëm, por nganjëherë, ky proces vetëpastrimi mund të dështojë. Si rezultat, dylli mund të bllokojë pjesërisht, ose plotësisht kanalin e veshit.
Jo rrallë pacientët mendojnë se kur kanë probleme me dëgjimin, u janë bllokuar veshët nga dylli dhe tentojnë t’i pastrojnë ato me kunja apo mjete të tjera të forta. Kjo përpjeke për të eliminuar dyllin e veshit krijon problem të mëtejshme duke e shtyrë më thellë dhe duke e bllokuar më tepër kanalin. Kështu, nuk janë të pakta rastet në të cilat përdorimi i mjeteve të forta, mund të çojë në dëmtimin e membranës së veshit. Përveç kësaj, mund të shkaktohen dëmtime përgjatë kanalit, të cilat shoqërohen me humbje të dëgjimit, apo marrje mendsh.
Ndaj është e rekomandueshme që gjatë larjes, veshët të pastrohen aq sa lejon futja e gishtit të vogël në to. Po ashtu duhet të thahen në të njëjtën mënyrë me peshqir. Asnjëherë nuk duhet të bëhet pastrimi i thellë i veshëve qoftë edhe me kunjat e pambukut që shiten kudo nëpër supermarkete, apo edhe në farmaci. Në rast se mendoni se dylli ka bllokuar veshët tua,j duhet të drejtoheni gjithmonë mjekut, i cili kryen procedurat përkatëse të pastrimit të veshëve dhe identifikon problemin tuaj real.
Anemia
Një faktor tjetër që ndikon në humbjen e dëgjimit mund të jetë anemia nga mangësia e hekurit, ose nga kombinimi i kësaj me pakësimin e numrit të qelizave të kuqe të gjakut. Studimet e fundit kanë treguar se njerëzit me anemi të tilla, janë dyfish më të rrezikuar nga ulja e dëgjimit, se sa njerëzit e tjerë që nuk vuajnë nga këto çrregullime të dëgjimit.
Veshi i brendshëm është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të furnizimit me gjak, kështu që në rastin e anemive, kemi pakësim të oksigjenimit në këtë zonë, ashtu si edhe në të gjithë organizmin.
Duhet të kujtojmë se rruazat e kuqe të gjakut janë ato që bëjnë shpërndarjen e oksigjenit në të gjithë trupin e njeriut, kështu që rrjedhimisht në rastin e anemive kemi mungesë oksigjenimi edhe në zonën e veshit, i cili në këto raste është i prirur për t’u dëmtuar nëse niveli i ulët i oksigjenit është i pranishëm.
Shumë qeliza në këtë zonë nëse nuk furnizohen me sasinë e duhur të gjakut, rrjedhimisht të oksigjenit vdesin dhe nuk mund të rikthehen për të rivendosur funksionin e tyre. Prandaj është e rëndësishme që të mos nënvlerësohen ekzaminimet rutinë siç është Check Up, për të parandaluar shumë problematika shëndetësore që në fillesën e tyre.
Kujdes nga përdorimi i gabuar i medikamenteve ototoksikë
Një faktor i shpeshtë që po shfaqet në rritje sa i takon efekteve negative të uljes së dëgjimit, është edhe përdorimi pa kriter i medikamenteve ototoksikë (preparatet që dëmtojnë nervin e dëgjimit).
Janë të njohur prej vitesh antibiotikët që përdoren për afate të gjata, të cilët dëmtojnë nervin e dëgjimit, si për shembull amikacina, gentamicina, streptomicina, apo preparate të tjerë që i përkasin këtij grupi antibiotikësh.
Këto preparate nuk duhet të kalojnë asnjëherë masën e përdorimit mbi dy javë, si edhe dozat duhet të rishikohen me shumë kujdes nga ana e mjekut dhe vetëkuptohet që nuk duhet të merren asnjëherë pa recetën e tij.
Sipas gjetjeve të dala nga studimet e shumta të kryera në këtë drejtim, flitet për një rritje të shkallës së rrezikut të humbjes së dëgjimit me përdorimin e barnave analgjezike (qetësues të dhimbjeve) të tilla, si: ibuprofeni apo acetominofeni.
Natyrisht që këto janë barna që futen në grupin e preparative, të cilat mund të merren edhe pa recetën e mjekut, por gjithmonë duhet të përdoren për një kohë mjaft të kufizuar dhe në raste të tilla, siç janë një temperaturë e lartë, gjendjet gripale, apo edhe dhimbje koke dhe kockash.
Natyrisht që kur vjen puna për përdorime të gjata në sëmundjet kronike, siç janë sëmundjet reumatizmale, vëmendja duhet të jetë mjaft e lartë. Prandaj edhe këta lloj qetësuesish nuk duhet të përdoren si karamele, por duhet të lexohen me kujdes efektet e tyre anësore.
Trajtimi i gabuar i infeksioneve të veshit
Në uljen e dëgjimit ndikon edhe trajtimi jo i duhur i infeksioneve të veshit, si shkak i neglizhencës, si dhe arsyeve të tjera.
Veshi është mjaft delikat dhe i ndjeshëm ndaj infeksioneve bakteriale dhe virale, sidomos në periudhat gripale, kur kemi prekje te rrugëve të sipërme respiratore infeksionet e veshit, përbëjnë ndërlikime kryesore që duhen trajtuar me përpikmëri, për të shmangur humbjen e dëgjimit, apo edhe më keq infeksionet e sistemit nervor.
Për të mbrojtur veshët në rastet e infeksioneve virale, është e rëndësishme që hunda të jetë e lirë, po ashtu të trajtohen në mënyrën e duhur edhe infeksionet e fytit.
Këto dy zona komunikojnë drejtpërdrejt me veshin. Veçanërisht në periudhat e dimrit duhet të tregohemi të kujdesshëm për t’u mbrojtur nga të ftohtit, duke përdorur kapuç dhe shall, që të mbulojnë veshët, hundën dhe gojën, pasi i ftohti ul rezistencën e organizmit dhe rrit mundësinë e përhapjes së mikrobeve.
Duhen përdorur sa më shumë lëngje të ngrohta (jo të nxehta sepse dëmtohet mukoza) për të balancuar temperaturën e organizmit dhe volumin e përgjithshëm qarkullues.
Parandalimi
Marrja e masave të duhura kundrejt monitorimit të faktorëve të riskut, vonon shfaqjen e çrregullimeve të dëgjimit. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat e shëndetit, pjesa dërrmuese e çrregullimeve të dëgjimit mund të parandalohen, nëse veprohet herët ndaj tyre.
Një ndër ndërhyrjet më të mira është edhe i detyrueshëm kundër fruthit, rubeolës, parotitit, për të zvogëluar infeksionet e lindura, imunizimet kundër gripit dhe sëmundjet pneumoniane për të reduktuar rastet me infeksion të veshit të mesëm.
Duhet të shmangni sa më shumë që të jetë e mundur edhe zhurmat e forta, si dhe të trajtoni në kohë infeksionet gripale dhe ato të veshit. Përdorimi i medikamenteve duhet të bëhet vetëm me rekomandim të mjekut specialist.
Testet që duhet të kryejnë fëmijët
Nga këto çrregullime të dëgjimit rrezikojnë edhe fëmijët e vegjël, si dhe të porsalindurit. Por, tek kjo kategori shfaqet problematike kapja në kohë e dëmtimeve të dëgjimit.
Mjekët thonë se identifikimi i një problemi të tillë vonohet pa dashur nga prindërit, pasi shumë prej tyre nuk e dinë që një fëmijë i vogël, qoftë edhe brenda vitit të parë të jetës mund t’i nënshtrohet testeve të dëgjimit.
Zbulimi sa më i hershëm i uljes së dëgjimit, madje sa më afër periudhës së lindjes së fëmijës bën të mundur që të aplikohen më pas edhe trajtime efektive që ulin në mënyrë të dukshme paaftësinë që shkakton ky problem.
Procedurat diagnostike speciale për testimin e dëgjimit janë: “Audiometria tonale, audiometria e të folurit, impedancometria, si dhe ABR dhe teknika e Emetimit Otoakustik (OAE).
Problemet me dëgjimin tek të vegjlit shkaktohen nga:
Lindje premature.
Situata që gjatë lindjes çojnë në mungesë të theksuar të oksigjenimit.
Kalimi i Rubeolës, Sifilizit, apo sëmundje të tjera infektive gjatë shtatëzanisë.
Përdorimi i ototoksikëve që mund të shkaktojnë dëmtim të veshit të brendshëm.
Hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një fëmijë të sapolindur





















