Covid-19 në Shqipëri që me 15 janar?! Radiografia nga urgjenca e QSUT-së që ngre dyshimet

902
Sigal

Prej disa ditësh qarkullojnë informacione dhe deklarata se koronavirusi ka hyrë në vendin tonë përpara zbulimit të të ashtuquajturit ‘pacienti zero’, ndërsa ka nga ata që kanë hedhur dyshime të forta dhe të arsyeshme se periudha kur është futur në Shqipëri mund të jetë mesi i janarit të këtij viti ose fillimi i shkurtit.

Nga burime konfidenciale nga një mjek infektiv, Faxweb.al ka siguruar një radiografi të një personi për të cilin thotë se është i infektuar nga COVID-19 dhe bën të ditur se ekzaminimi është bërë në datën 15 janar 2020.

Mjekët e Urgjencës dhe Sanatoriumit janë pyetur për këtë temë, por ata nuk e përcaktojnë saktë nëse është apo jo Covid, sepse duhen edhe disa analiza të tjera. Megjithatë burime nga Sanatariumi dhe Urgjenca shprehen se, të gjitha grafitë e Janarit dhe të shkurtit do të kalojnë në sitë për të provuar nëse ka pasur raste infeksionevesh përpara zbulimit të pacientit zero.

Radiografi datë 15 janar e mushkërive të një paciente femër në QSUT, e dyshuar me COVID 19

“Në grafi duket si infiltrate pulmonare bilaterale. Problemi do ishte më i qartë po të kishim edhe analiza gjaku. Ne do nxjerim skanerat e pacientëve në shkurt me pneumoni bilaterale dhe do mësojmë më shumë. Por që fillimi i Covid-it këtu ka filluar që fund të Janarit ose në mes të Shkurtit nuk besojmë  se ka më dyshim”, thonë burimet mbi radiografinë.

Në rastin në fjalë shume mjekë specialistë ngurrojnë të pohojnë nëse eshte COVID 19 apo jo, por pothuajse pohojnë njëzëri se rastet e para te infeksionit datojnë ne mesjanari ose maksimumi fillimshkurti, çka nënkupton se pikun mund ta kemi arritur pak më parë ‘shfaqjes’ se pacientit zero në Shqipëri.

Për këtë arsye për të dokumentuar se zanafillën dhe vijimin e këtij virusi specialistët do të shqyrtojnë të gjithë ekzaminimet radiografi apo skaner qe janë bërë gjatë kësaj periudhe e në vazhdim për të saktësuar se kur nisi epidemia në Shqipëri dhe sa raste të tjera shtesë ka pasur pëvec të testuarve ‘zyrtarë’. Gjithsesi na duhet të vëmë theksin dhe tek rastet e shtuara në shkurt me ‘virozë’ në vend dhe pohimet publike te zërave zyrtarë si Bino apo mjekë të tjerë se rastet COVID 19 mund të jenë shfaqur para datës 9 mars.

Shumë ‘gojë të liga’ thonë se autoritetet kanë qenë në dijeni të këtij fakti, por për shkak të Kongresit të PS apo mitingut të Presidentit Meta në fund të shkurtit e fillim marsi u mbajt si një e dhënë e rezervuar. Shpresojmë të jenë vetëm thashetheme dashakeqëse përndryshe në Shqipëri padyshim është kryer një krim i dyfishtë shtetëror: Vënia në rrezik e dhjetëra jetëve për qëllime personale politike dhe privimi prej të drejtave dhe lirive themelore. Do të ishte ironike apo jo: Kemi qenë duke lëvizur lirshëm në mes të shpërthimit dhe paralizuam gjithçka kur dallga sapo kishte kaluar…