Pas tentativës me bandat, Rama organizon zgjedhje me universitete të mbyllura

523
Sigal

Risia e Qeverisë në zgjedhjet universitare: aplikim i posaçëm në e-Albania “leje për të votuar”

Ndërsa të gjithë e kanë mendjen te pandemia globale, lëvizjet vazhdojnë të kufizuara me fasha orare, njerëzit vijojnë ngujimin nëpër shtëpi, qeveria vijon planet e saj për kapjen e institucioneve të fundit që kanë ngelur autonome.

Një ndër to, Universiteti i Tiranës dhe fakultetet e tij, janë kthyer në shënjestrën e radhës në këto momente pavëmendjeje.

Me një urdhër të Ministres së Arsimit dhe Sportit që mban numrin 99, datë 26.3.2020, por që është bërë publik vetëm tani, është përcaktuar si datë për nisjen e procesit zgjedhor nëpër institucionet publike të arsimit të lartë, data 11 maj 2020, ndërsa si datë e zhvillimit të zgjedhjeve, data 12 qershor 2020.

Ligji për arsimin e lartë i njeh të drejtën Ministres të caktojë datën e zgjedhjeve, por Rregullorja për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës, kërkon që të jetë Autoriteti më i lartë drejtues në Universitetin e Tiranës ai që duhet të shpallë ditën e fillimit të procesit zgjedhor dhe datën e përcaktuar nga ministri për zgjedhjen e autoriteteve dhe senatin akademik në UT.

Ndërsa as Rektori, as Senati Akademik, në këtë situatë të gjendjes së shpallur të fatkeqësisë natyrore, nuk kanë guxuar të shpallin me të drejtë datën e zgjedhjeve, mbështetësit e qeverisë nëpër fakultete, po nxitojnë të fillojnë organizimin e procesit për të finalizuar qëllimin e kahershëm, atë të marrjes së Rektoratit dhe vënies nën ndikim politik, në cenim të qartë të autonomisë e paanësisë universitare.

Ligjet për qeverinë dhe përkrahësit qokatarë të rilindjes nuk interpretohen njëlloj.

Ndërsa Kuvendi me vendimin nr. 18/2020 dha pëlqimin për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në datën 23 qershor 2020, sipas kërkesës antikushtetuese të qeverisë; ndërsa ligji për emergjencat civile, ligji për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive, ashtu si dhe masat kufizuese të urdhëruara deri më tani për qytetarët, ndalojnë grumbullimet, procesi i zgjedhjeve për Universitetin e Tiranës, jashtë çdo logjike ligjore, planifikohet të mbahet në datën 12 qershor!

Neni 38 i Rregullores për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës, përcakton si shkak për pavlefshmërinë e zgjedhjeve kur “ka ndodhur fatkeqësi natyrore në përmasa të atilla, që kanë penguar pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim”.

Jo vetëm që ky detyrim ligjor nuk i tremb, por nuk stepen as përballë faktit se gjendja e fatkeqësisë natyrore në rastin konkret është e shpallur dhe përfundon vetëm në datën 23 Qershor.

Vetë Ministrja e Arsimit harron që ka ditë që del dhe flet për planifikimin e fillimit të mësimit në fakultete vetëm për studentët në prag diplomimi, pra vetëm viti i tretë, cikli i parë i studimeve (bachelor) dhe viti i dytë, cikli i dytë i studimeve (master), duke kufizuar kështu hapur mundësinë e pjesëmarrjes së studentëve në zgjedhje.

Ky plan i mirëmenduar, synon të përsërisë skenarin e zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019, edhe me zgjedhjet në Universitetin e Tiranës.

Nuk e dimë nëse Kryeministri, për datën e vendosur të zgjedhjeve, do të hapë ndonjë rubrikë të veçantë në e-Albania, që studentët të kërkojnë “leje dalje për të votuar”. Edhe sikur ta bëjë, me aq të dhëna personale sa na janë vjedhur të gjithëve, kuptohet që miratimi do t`u vijë vetëm yllkave rilindase të fakulteteve.