Çfarë shpreh dhe “fsheh” vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut?

411
Sigal

Nga Tomasz Kamusella

Universiteti i  St Andrews,  Skoci

Për fat të keq, në historinë e Bashkimit Europian dhe mbarë Europës, 17 nëntori 2020 do shënojë një datë për tu mbajtur mend, në se gjendja nuk do ndreqet shpejt. Atë ditë, Bullgaria zbatoi ultimatumin e saj me 20 pika të vitit 2019 drejtuar Shkupit dhe vuri veton për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE.

Para këtij vendimi, qeveria bullgare dhe elita politike e atij vendi u ankua me të madhe që BE është e pazonja ta kuptojë historinë bullgare dhe pozitën e Sofjes ndaj Maqedonisë së Veriut,  çka “të befason”, sepse “shkenca historike bullgare” (българската историческа наука) “e provon” që Sofja ka të drejtë.

Delegacioni bullgar procedoi duke bllokuar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, me gjithë që intelektualë të rëndësishëm bullgarë kishin shkruar një Letër të Hapur me 5 tetor 2020 me të cilën kërkonin që të mos shkelej në këtë shteg të rrezikshëm.

Mbi të gjitha, sikurse njofton shtypi europian, Sofja do që Maqedonia e Veriut të pranojë që maqedonishtja nuk është gjuhë më vete, por një formë ose dialekt i bullgarishtes.

Bërja politikë me ultimatume ka qenë diçka e paparë në Europën e pasluftës- deri tani.

Të vendosësh për një gjuhë, njejtësi dhe histori shtetërore, që janë pjesë dhe tagër e sovranitetit, është diçka e praktikuar në Europë këto 350 vitet e fundit. Shtetet e tjera nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë, përndryshe ndizen konflikte. Nga ana tjetër, me kohë, një gjuhë e vetme mund të ndahet në më shumë gjuhë, sikurse është rasti i latinishtes, që u nda në frëngjisht dhe italisht.

Mund të ndodhë edhe e kundërta, kur folësit e dy gjuhëve vendosin të mbajnë vetëm njërën gjuhë, sikurse është rasti i bashkimit gjuhësor ndërmjet flandishtes belge dhe hollandishtes, që përfundoi në gjuhën nederlanishte.

Kështu, në shumicën e tyre, folësit e maqedonishtes nuk e quajnë gjuhën e vet (pjesë) bullgare, po ashtu nuk mëtojnë që bullgarishtja është formë e maqedonishtes. Përse atëhere Bullgaria nuk e respekton sovranitetin e fqinjit të vet?

Shumë vëzhgues ndërkombëtarë kritikojnë me të drejtë prirjet autokratike të sotme të Hungarisë dhe Polonisë.

Por pothuaj asnjë nuk mban shënim që në BE, sundimi i ligjit është shumë pak i zbatueshëm në Bullgari..Bullgaria, qw është vendi më i varfër në BE,  tani e përdor BE për të treguar rëndësinë e vet duke ndërhyrë në sovranitetin e Maqedonisë së Veriut. Është një rast i asaj, kur “bishti e tund qenin” dhe jo anasjellas.

Vetoja e Bullgarisë është një shkelje flagrante e artikullit 1 të Aktit Final të Helsinkit (1975)

Bullgaria po ndjek Rusinë që më 2014 dhunoi shumë premisa të këtij dokumenti, duke aneksuar Krimenë e Ukrainës. Duke e mbajtur njërin sy të mbyllur për atë që po bën Sofja nuk do ishte zgjidhje, sepse shpejt kjo mund ta ballafaqojë BE me një cikël tjetër konfliktesh. madje edhe luftë në Ballkan.

Më 2017, si përgjigje për mbështetjen e Sofjes për përpjekjet e Shqipërisë për të nisur negociatat me BE, Tirana pranoi ta quajë pakicën etnike sllavisht folëse  të maqedonasve si “bullgare”’. Përveç Maqedonisë së Veriut, Bullgaria është duke nxitur konflikt në Moldavinë jugore, ku Sofja mbështet prirjet separatiste në zonën e “pakicës bullgare” atje.

Njëkohësisht, brenda vendit të vet, autoritetet bullgare po bëjnë gjithçka për të shtypur dhe tjetërsuar pakicën turke në Bullgari dhe romët. Kjo nuk është diçka e mirë dhe duket sikur qeveria bullgare po imiton politikën neoimperiale të Kremlinit për “Botën Ruse”. (Русский мир). Ndërsa Moska don të rifitojë kontrollin në të gjithë vendet pas-sovjetike, Bullgaria në kërkesën e saj për “Botën bullgare”(Български свят) duket sikur po kërkon të ndërtojë një sferë ballkanike të vazhdueshme ndikimi të saj, që nga Shqipëria deri në Moldavi.

Nëntor 2020

Përktheu në shqip Bardhyl Selimi, 26 nëntor 2020