Çfarë ndodhi në Uzinën e Përpunimit të Armëve, a ishin agjentë rusë? Policia jep detaje nga ngjarja

148
Sigal

Policia e Gramshit ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur pasditen e së dielës pranë Uzinës së Përpunimit të Armëve, ku ka patur një përleshje fizike mes ushtarëve shqiptarë Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka me tre shtetas rusë, pasi këta të fundit kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në objekt.

Njoftimi:

Nga shërbimet e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh,  është njoftuar se ne afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.

Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim  kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar  edhe nga dy shtetas të tjerë  dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë  kontrolluar zonën.

Shërbimet e Policisë  bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe  dokumentimin ligjor të saj

Për këtë ngjarja janë angazhuar  Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit  dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të  Forcave të Armatosura.

Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.