Skandali/ Sikur të mos mjaftonin pensionet e ulta, çmimet e larta dhe varfëria që është ulur këmbkryq në familjet shqiptare, qytetarët duhet të përballojnë edhe çetën e hajdutëve të Postës Shqiptare, të cilët vodhën pensionet dhe ndihmën ekonomike të banorëve të Korçës dhe u arratisën në Itali. Eprorët e postës u japin direktiva punonjësve të mos denoncojnë grabitjet në polici, pasi do i zgjidhin brenda për brenda, edhe pse qytetarët kanë muaj të tëra pa marrë paratë. Ja skema korruptive !

Varfëria në vend është ulur këmbëkryq në familjet tona nga rritja e çmimeve, sidomos në këto 3 vitet e fundit, ndërkohë që pensionet janë qesharake. Të moshuarit sikur të mos t’u mjaftonin halllet e varfërisë përballen dhe me çetat që u grabisin paratë me papërgjegjshmërinë më të madhe.
U denoncua një tjetër skandal me vjedhjen e pensioneve, kësaj herë në Dishnicë të Korçës. Në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një informacion se punonjësi po mbrohej nga eprorët e tij në Filialin e Postës së Korçës. Fillimisht, grupi i Fiks Fare shkoi në fshatin Dishnicë të Korçës, pas disa informacioneve se në këtë fshat, por edhe në disa të tjerë afër tij, dhjetëra pensionistë apo personave që trajtoheshin me ndihmë ekonomike, u kanë marrë pensionet. Sipas informacioneve, një punonjës i postës i quajtur Igli Shkëmbi është larguar në Itali. Gazetarët biseduan me dhjetëra pensionistë, të cilët treguan problemet me pensionet. Sipas tyre, postieri i quajtur Egli Shkëmbi është larguar për në Itali dhe u ka marrë lekët e pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Punonjësi është i afërmi i një punonjësi të Njësisë Administrative. Banorët thonë se janë me dhjetëra raste në Dishnicë dhe në fshatra të tjerë. Madje, një pensionist, që ka qenë në emigrim, ka pa marrë 1 vit. Të tjera nga 1, 2, apo 3 muaj. Më pas, gazetarët shkuan dhe takuan postierin që i shpërndan aktualisht pensionet, i cili qëndron në Bulgarec dhe jo në Dishnicë. Ai thotë se nuk mund të mbajë përgjegjësinë e të tjerëve. Më pas, pyesim në Filialin e Postës në Korçë, ku në korridoret e kësaj drejtorie qëndronin të tjerë pensionistë nga Dishnica, me të njëjtin problem. Ata thonë se kanë probleme me pensionet dhe se kanë ardhur për të bërë ankesë. Punonjësit i thonë një pensionisti të bëjë një ankesë me shkrim. “Më thatë të shkoja te prindërit e Eglit. Shkova dhe s’ma zgjidhën. Erdha sërish këtu te Posta e Korçës”,- thotë një pensionist.
Ndërkohë, gazetarët bisedojnë me një punonjëse, e cila u tregon se kanë marrë direktiva nga eprorët të mos e denoncojnë rastin në polici, pasi do e zgjidhin brenda për brenda. Pensionisti shkon dhe takon përgjegjësen, e cila i thotë se “të bëjë ankesë me shkrim, pasi prindërit e Eglit kanë hequr dorë “.
Ndërkohë, krahas pensionistit, gazetarët pyesin përgjegjësen, e cila u thotë se Posta e Korçës është në dijeni të problemit. “Është ngritur një grup pune dhe ka filluar verifikimi i rasteve” thotë ajo. Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë kallëzim penal, pavarësisht se shumë pensionistë kanë treguar se s’kanë marrë lekët. Përgjegjësja i thotë gazetarëve të Fiks Fare se disa raste po i zgjidh babai i postierit të larguar, por tani ka hequr dorë se janë shumë. Sipas tij, të gjithë duhet të bëjnë ankesë dhe më pas rastet do verifikohen.
Pas ankesave të pensionistëve, por edhe pretendimeve të personelit, Fiksi pyeti në Drejtorinë e Filialit të Postës në Korçë. Asnjë prej punonjësve nuk pranoi të japë intervistë, ndërsa deklaruan se duhet t’u bënim një kërkesë për informacion.
Në pamundësi për t’u takuar me drejtorin e Filialit të Postës Korçë, Hani Kodra, Fiks Fare i dërgoi një kërkesë për informacion. Kjo drejtori na ktheu përgjigje se “punonjësi Egli Shkëmbi ka qënë punonjës, me detyrë Kryetar i Zyrës Postare Dishnicë nga data 15 janar 2021 deri në datë 21 shtator 2022. Sipas Postës së Korçës, në datën 16 shtator 2022 janë paraqitur 2 persona, z. Pëllumb Bame, i cili ka pretenduar se nuk ka tërhequr pensionin për periudhën korrik 2021 -gusht 2022 dhe Z. Ramadan Bregu pagesën e invaliditetit për muajin gusht 2022. Më pas, është ngritur grupi i punës dhe po në datën 16 shtator është bërë lirimi nga detyra i z.Egli Shkëmbi, detyrë, e cila duhet të dorëzohej deri në datë 21 shtator 2022.
Pra, verifikimi për pensionistin është bërë në datën 5 tetor, 1 ditë pas interesimit të Fiks Fare në Filialin e Postës në Korçë. Në të njëjtën përgjigje, kjo drejtori thotë se është ngritur një tjetër komision për verifikimin e çdo ankese për Postën e Dishnicës.
“Pas verifikimit të kryer brenda ditës në të cilën na u vendos në dispozicion dokumentacioni nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Filiali i Posta sh.a. Korçë ka paraqitur në Prokurorinë e Korçës kallëzimin penal për ish-punonjësin Egli Shkëmbi, me shkresën nr. 540, datë 05 tetor 2022, pasi ekziston dyshimi se ky person ka konsumuar veprën penale ‘vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikimi i dokumenteve” thotë Posta e Korçës. Sërish, kallëzimi është bërë 1 ditë pas interesimit tee medias . Pra, u desh investigimi i Fiksit që Posta Korçë të vihej në lëvizje dhe t’i kërkonte Sigurimeve verifikimin e mandat pagesave. Madje, të bënte edhe kallëzimin penal në prokurori, kallëzim, të cilin e vonoi disa javë, duke i dhënë mundësi ish-punonjësit të largohej nga Shqipëria.
Skemat korruptive për vjedhjen e pensioneve në vesh të shurdhër
Mesa duket ky shqetësim për vjedhjen e pensioneve të qytetarëve bie në vesh të shurdhër, pasi nuk rresht përsëritja e rasteve skandaloze, ku zyrtarët bëjnë sikur nuk dinë gjë kur qytetarët denoncojnë. Telegraf pati denoncuar situatën e një 72-vjeçare për mosmarrjen e pensionit për një periudhë prej 8-vitesh. Gjithashtu skandali kur u vodhën më 2016-ën, 100 milionë lekët e pensioneve në Dibër, ndërsa ngjarja është mbajtur e fshehtë nga Policia dhe autoritetet lokale. Më herët edhe profesori i njohur Kristaq Bërxholi denoncoi në faqen e tij në Facebook një rast abuzimi, ku pensioni i tij ishte vjedhur nga Posta Shqiptare. Kujtesa zyrtarëve për problematikat qytetare u vjen vetëm gjatë fushatave elektorale kur qeveria nis premtimet, të cilat nuk i pinë më ujë, sepse shqiptarët u mësuan me gënjeshtrat dhe parimet e Rilindjes: “Kalova lumin, të bëfsha kalin”. Dhe lumi janë zgjedhjet dhe “Kali” në mënyrë figurative është vota e qytetarëve.




















