Ç’është ky dembelizëm në Shqipëri?

537
Enver CAKAJ
Nuk e di nga u stis kjo qibër tek këta njerëz, që prejardhja e tyre i ka rrënjët tek varfëria. Puna nuk të bën kurrë qibar, ajo të pasuron po të dish ta bësh siç duhet. Kam marrë shkas nga një i ri, i cili në prezantimin e tij në facebook, shkruante: “Për mua punojnë të tjerët!” Kapadaillëk, eksiq në ndërgjegje apo qylaxhi, që i është bërë rrëzall familjes? Po të ishte vetëm ndonjë, nuk do të merreshim me të, por kjo është një sëmundje, që ka kapur dhe brezat e moshuar. Në të vërtetë sistemi i kaluar i mësoi keq, që u paguante të gjitha detyrimet që sot janë taksa, ua jepte falas arsimin e shëndetësinë, por nuk i lejonte as të rrinin pa punë, sepse kishte nxjerrë ligjin mbi parazitët. A mos duhet rivënë ai ligj? Më duket se nuk është ligji ai që të detyron të punosh, po nevoja për të jetuar. Më thoshte një ditë një nxënës i klasës së tetë, kur bëra një takim për muajin e letërsisë: “O xhaxhi, pse themi ne që jemi të lirë? Tani që unë dua të luaj me shokët nuk jam i lirë, se jam në shkollë, kur të mbaroj shkollën do të jem i zënë me punën, atëherë ku është liria?!” A mund ta ndërtojmë vendin tonë me këtë mendësi? Sistemi që zgjodhëm futi tek brezi i ri një ndjenjë të keqe për ta ndërtuar jetën mbi bazën e vjedhjeve, vrasjeve e krimeve të tjera. Dhe rastet nuk kanë qenë të pakta, për dyqind lekë kanë eliminuar njerëzit e ndershëm për të jetuar me djersën e tyre. Jemi në një sistem ku për për gjithçka vepron konkurrenca. Merre shkollën për t’iu përgjigjur punës, jo për të marrë diplomën. Mësoje zanatin siç e kërkon puna, jo sa për të thënë se jam zanatçi. Mësoje mësimin për të marrë notën maksimale, jo për të kaluar klasën. Më tregonte një ditë i ndjeri Abedin Çiçi: “Kur vazhdonim shkollën e Fulsit në Tiranë, drejtori më caktoi mua dhe katër nxënës të tjerë për të marrë fekalet nga gropa e plehrave dhe të plehëronim pemët që kishim para shkollës. Na pajisi dhe me mbrojtëse dhe po na ndiqte që nga dritarja e zyrës. Ne morëm nga një kovë dhe na zuri qibra. Ai doli nga zyra, erdhi te ne, po nuk na foli, mori një kovë dhe po punonte vetë. Atëherë ne na erdhi turp dhe vazhduam plehërimin.” Shkolla atëherë kishte element edukimi,po sot nuk shikon një mësues që t’u flasë nxënësve për vlerat që sjell puna. Këto ditët e bllokimit të fshatrave me dëborë,kam dëgjuar disa ankesa,se në fshatra të caktuar janë bllokuar rrugët e fshatit. Po këta ankues çfarë bëjnë atje? Dimrin nuk mund ta ndalojë askush, sepse dëborë mund të bjerë edhe në maj siç ka rënë. Mbaj mend që në sistemin e kaluar shteti i furnizonte me ushqime fshatrat e thellë, sepse kishte magazina apostafat për këtë punë dhe banorët përballonin vetë çdo gjë tjetër. Tani ato magazina janë prishur dhe banorët duhet të marrin masa vetë për t‘u furnizuar duke e llogaritur dimrin për gjashtë muaj dhe mos gënjehemi me ndryshimet që ndodhin me motin. Ato magazina ka të ngjarë të mos ndërtohen më. Në vitet 1955 fshatrat që izoloheshin nga dëbora e bluanin drithin që në vjeshtë,siguronin dhe drutë e zjarrit,largonin bagëtitë në Myzeqe dhe fshatrat mbeteshin të izoluar gjashtë muaj. Se kush vdiste e kush lindte, merrej vesh vetëm në fund të muajit prill. Atëherë nuk kishte celularë që të komunikonin. Ne kemi një shtet të rraskapitur,sepse sa herë ndryshojnë qeveritë,jemi hedhur në sulm vetëm për të prishur. Por le të kthehemi tek dembelizmi i njerëzve. Shteti bën ato që i takon të bëjë, pavarësisht se si i bën. Shumë gjëra duhet t’i bëjmë vetë. Shikojini rrugët brenda fshatit si janë katandisur. Të çajnë sytë ferrat e të mbyt balta me pluhurin. Ka qenë një traditë e hershme,që rrugët brenda fshatit shtroheshin me kalldrëm për të evituar baltën dhe pluhurin. Në disa fshatra ka ende gjurmë të tyre. Le ato që nuk i kanë ruajtur,po pranojnë të shkojnë në shtëpi të përbaltur e të lahen kokë e këmbë dhe nuk begenisin të ulin kurrizin e të marrin një gur për të shtruar secili rrugën e tij. Gurët janë sheshit dhe pa shpenzime. Nuk themi që ta bënë këtë punë Brenda ditës,po çdo ditë nga pak,rrugët do të ndryshojnë krejt. Njerëzit e shikojnë jetën sikur do të ikin nesër nga ai vend. Atyre burrave të vjetër duhet t’u kujtohet kur erdhën italianët në Shqipëri. Edhe një natë të gdhiheshin në mes të rrugës,merrnin drurë dhe i ngrinin shtretërit brenda ditës e flinin rehat. Kur isha për mjekime në Budapest pashë që në spital erdhi një makinë e ngarkuar me patate. Sa e panë punonjësit e spitalit tok me profesorin u gjendën atje dhe e shkarkuan, kur detyra e tyre s’kishte të bënte me ta. Është e çuditshme, se nëpër fshatra tokat janë kthyer në lëndina dhe pronarët e tyre zbresin i blejnë perimet në qytet. Po ka dhe çudira të tilla. Një banor nga Kalanjasi i Skraparit në vend që të mbjellë ndonjë pemë pranë shtëpisë ose në tokat djerrë, çdo vit vete të blejë kumbulla tek një mësues pensionist në Çerenisht, i cili e ka qëndisur atë vend ku banon me turli pemësh e perimesh! Po më e keqja është se këta fermerë dembelë marrin asistencë nga shteti! Në logjikën njerëzore të varfrit nuk kanë pasur kurrë qibër për punën. Kurse tani nuk i punojnë tokat se u ka hipur qibra. Në qytet shikon djem të rinj si diva, që shëtisin gjithë ditën me makina dhe nuk pranojnë të punojnë, edhe pse në qendër të qytetit dalin vazhdimisht lajmërime për të kërkuat punëtorë. Prindërit e shkretë po heqin ukubetin e zi dhe janë bërë pishman që kanë lindur fëmijë të tillë. Alamet djemsh u tundin këmbët prindërve për t’u marrë lekë e të bredhin rrugëve të qytetit me një pretekst të çuditshëm: “Përse na bëtë, tani na mbani!” Janë kail të shkojnë hyzmeqarë në emigracion për të ruajtur bagëtitë se të krijojnë vetë tufa e të jetojnë si njerëz. Mirëpo njerzillëku humbi qëkur u la e lirë vjedhja. Fatkeqësisht këtë dembelizëm po ua favorizon shteti, që nuk i taton ata njerëz që lënë tokat djerrë, duke u dhënë asistencë.
Sigal