Cërrik/Shtohen listat nëpër dyqane

572
Sigal

Qyteti i vogël i Cërrikut njihet si qyteti më i varfër  dhe me numër  më të madh të papunësh në të gjithë Qarkun e Elbasanit. Por papunësia e madhe dhe varfëria kanë bërë që shumë qytetarë t’i drejtohen dyqaneve me lista, pasi është e vetmja mënyrë për të mbijetuar . A.Duzha,  shitës i një dyqani, shprehet për  gazetën “Telegraf ” se “shumë qytetarë më vinë dhe marrin me listë dhe unë u jap, pasi më vjen keq për ta, se më ankohen duke më thënë se nuk kemi ç’t’u çojmë fëmijëve në shtëpi. Shumica prej tyre  marrin ushqime si vaj, oriz,  etj., por ka dhe nga ato  familje që marrin vetëm bukën dhe e hanë thatë në shtëpi”. I pyetur për  mënyrën se si këta qytetarë, do t’i lajnë këto lekë, Duzha shprehet se  “ca mi sjellin kur marrin asistencën , ca të  tjerë  i sjellin kur i bie ndonjë lekë në dorë dhe ca s’i sjellin fare. Unë  kam nga ato familje që kanë dy vjet që kanë marrë këtu te dyqani im me listë dhe ende nuk m’i kanë sjellë lekët, dhe se Zoti e di se kur do t’i marr ato lekë, nëse do i marr ndonjë ditë. Kurse një tjetër shitës dyqani, shprehet për gazetën se “Unë kam vendosur dhe nuk jap më as dhe një pako kripë me lista, pasi kam mbi 2 milion lekë që u kam dhënë nëpër  familje ushqime, por dhe thasë me miell apo bukë me listë, dhe se kam më shumë se dy vjet dhe as nuk kam për t’i marrë më ndoshta këta lekë. Keq më vjen për të gjitha familjet që më vinë dhe më kërkojnë me listë, pasi dhe ata të shkretët nga halli vijnë, se  nuk kanë ç’t’u japin fëmijëve, por dhe unë nuk kam ç’të bëj më. Për këto familje, për mendimin tim,  duhet të marrë masa shteti,- thotë shitësi,- duke u rritur  ndihmën ekonomike, ose duke hapur ndonjë vend pune”. Ndërsa një kryefamiljar që ne takuam rastësisht duke blerë në një  dyqan shprehet për gazetën: I mora ushqimet me listë,  s’kam ç’të bëj, nuk kam, as punë dhe asgjë, mbahem vetëm me një ndihmë e ekonomike që marr në Bashki,  prej 40 mijë lekësh,  dhe jam vetë i 5-të në shtëpi,  kështu që jam i detyruar që t’i marr me listë, se nuk kam ç’bëj tjetër, por faleminderit këtyre të dyqaneve, që na ndihmojnë dhe na i japin.