Çelen aplikimet për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor

229
Sigal

Çelen aplikimet për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Data 12 dhjetor 2021, konsiderohet si data e përfundimit të mandatit respektiv për 5 anëtarët e KLGJ-së – 3 të zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve dhe 2 anëtarë nga radhët e pedagogëve.

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, me anë të një njoftimi publik këtë të Enjte, shpall thirrjen për paraqitjen e kandidaturave për anëtarë të KLGJ që duhet të plotësohen nga radhët e gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Afati i fundit i paraqitjes së kandidaturave do të jetë data 3 shtator 2021. Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese mund të bëhen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Gjykatës së Lartë: Rruga Ibrahim Rugova, Nr.20, 1001, Tiranë.

Procedura

Administrata e Gjykatës së Lartë, brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe shpall kandidaturat në faqen zyrtare. Vendimi për përjashtimin e kandidaturave bëhet nga Komisioni i Kualifikimit pranë Gjykatës së Lartë, i cili përbëhet nga Kryetari dhe 2 gjyqtarë të caktuar me short. Kandidatët e përjashtuar nga Komisioni i Kualifikimit kanë të drejtë të ankohen brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.

Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret Mbledhjen e Përgjithshme të gjyqtarëve të të gjithë niveleve, për zgjedhjen e kandidatëve, jo më vonë se 2 muaj para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve të KLGJ. Brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit në faqen zyrtare të institucioneve, mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve për rrëzimin e kërkesës ose për përsëritjen e zgjedhjeve.

LEXO EDHE  Dy muaj pas dorëheqjes, Sahit Dollapi fiton tenderin 200 mijë euro nga Erion Veliaj

Kriteret e aplikimit

Kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, bashkë me shprehjen e interesit, duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme:

  • a) jetëshkrimin e përditësuar;
  • b) deklaratat individuale të gjyqtarëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht, sipas këtij formati: http://gjykataelarte.gov.al/web/deklarate_klgj_5880.pdf
  • c) formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sipas këtij formati: /web/Formular_Vetedeklarimi_3556_1.php
  • ç) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
  • d) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991, sipas këtij formati: http://gjykataelarte.gov.al/web/formulari_ish_sigurimi_shtetit_5878.pdf
  • dh) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;
  • e) informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton dhe vë në dispozicion të të interesuarve një formular tip për dhënien e këtij informacioni, sipas këtij formati: http://klgj.al/wp-content/uploads/2021/07/VENDIM-Nr.-277-dat%C3%AB-01.07.2021-P%C3%8BR-MIRATIMIN-E-FORMULARIT-N%C3%8B-ZBATIM-T%C3%8B-NENIT-10-T%C3%8B-LIGJIT.pdf
  • ë) listën e personave të lidhur, të përcaktuar në ligjin për “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.