“Ç’bëhet andej nga Skrapari?”

708
Enver CAKAJ

Reportazh
Skrapari me male të rrethuar nga njerëzit, apo njerëz që kanë rrethuar malet? Të jetosh në këto vise duhet të jesh më mal se malet. Skraparasit e gjetën gjuhën me ta dhe bënë kontratë, që t’i jepnin njëri-tjetrit. Por kontrata mes tyre kishte një pikë të vështirë. Njerëzit donin bukë nga malet, por ata nuk e lëshonin bukën, që e kishin fshehur nën shkurre e gurë. Në këtë pikë skraparasit u acaruan me malet sepse i lëshuan të gjitha forcat për t’i rrëmbyer bukën, që e kishin kërkuar pazareve të botës. Kur malet morën tjetër pamje dhe njerëzit u hallosën, miqësia mes tyre u rikthye më e fortë. Po skraparasit donin dhe dritë që të mos mbyteshin nga tymi i kandilit e copave të pishave. Malet duheshin ngjeshur me ngarkesë të plotë, se skraparasve u erdhi oreksi për një jetesë tjetër. Tri fije teli e qarkuan të gjithë Skraparin. Po çfarë përcillnin ato fije teli? Nëpër shtëpitë e tyre hyri radio, televizori makineritë larëse, hekuri, hyri kultura e jetesës. Nga fshatrat niseshin telegrame ngutësie: “Ejani merrni drithin, se drithi po zë drithin!” Malet gjëmonin nga mjetet e mekanikës bujqësore, skraparasit gëzonin si fëmijë! Shumë prej brezit të hershëm fërkonin sytë. U dukej se ishin në ëndërr. Tokat plot, malet plot e njerëzit plot. Shërbimi shëndetësor, shërbimi tregtar e arsimor u fut në çdo fshat. U prenë udhët e gjata deri prapa diellit për të gjetur një kininë. Drejt organeve qendrore të shtetit nuk dërgoheshin më raporte, që e quanin Skraparin një Myzeqe për malarjen që bënte kërdinë. 
Çorovoda në vitin 1940
Në qytetin e Çorovodës vazhdonin të qëndronin dy drurë, me të cilët kalohej lumi. Po kur binin shirat ata i merrte lumi dhe ndërpritej komunikimi me pjesën tjetër. Dy partizanë që sollën një letër nga Berati, nuk mundën të kalonin lumin. U desh të dilnin dy të tjerë nga ana tjetër, që të prisnin letrën e mbështjellë me një gur, që të hidhej përtej. Njerëzit u gëzonin atyre dy drurëve, që u kishin shërbyer nëpër vite, por kohët po ndryshonin dhe ata drurë stononin. Skraparasve u erdhi keq, kur i hoqën dhe mbi lum u vendos një urë vetëm për njerëzit, se automjete nuk kishte. Mirëpo nevoja solli në Skrapar makinën e parë, që u pasua me të tjera. Por ato donin urën dhe rrugën e tyre. Po edhe njerëzit donin jetën e tyre. Skraparasit u gëzuan kur panë që ai shesh i vogël u rrethua me pemë inproduktive. Sa herë vinte festa e çlirimit të rrethit zbrisnin të organizuar dhe ja shtronin nën hijen e tyre, ku kërciste kënga dhe dollia. Por edhe atyre pemëve u erdhi koha të stononin. Çorovoda ishte shpallur qytet, po qytetit nuk i shkonin më ato pemë, donte dhe një lulishte. Nuk u erdhi mirë skraparasve, po kur u bë lulishtja me pemë të tjera, qëndronin para saj të përkulur në shenjë mirënjohje. Vit pas viti skraparasit e larguar nga halli, kanë pyetur dhe vazhdojnë të pyesin: “Ç’bëhet andej nga Skrapari?” Kur e shikonin që në faqen e fundit të gazetave nuk shikonin një lajmërim për ditën e festimit të çlirimit, ku nuk mungonin kurrë, zbarkonin telegramet me të tillë pyetje. Në vitin 1971 kishte kaluar data e festës dhe në gazetë nuk kishin gjetur lajmërimin, sepse ajo ishte shtyrë për dhjetë ditë, se do të merrte pjesë Enver Hoxha. Telegramet e atyre dhjetë ditëve nuk kishin numër. Por të vjen keq që ajo traditë aq e organizuar erdhi e u shua. Më shumë se gjysma e skraparasve janë larguar nga rrethi. Në lumin e gazetave nuk gjejnë më asnjë lajm se çfarë bëhet nëpër rrethe. Nuk e gjejnë më as atë lajmërimin me katër rreshta për festat. Dhe ata vazhdojnë të pyesin në format që mundin për të ditur ndryshimet në Skrapar. Dhe na luten e përshëndetin ne që zhgarravitin ndonjë gjë. Në të vërtetë në Skrapar po punohet për të rindërtuar ato që u prishën në sistemin e quajtur demokratik. Është e çuditshme, por në vitin 1942, kur u çlirua Çorovoda, gjëja e parë që bënë skraparasit, dogjën të gjithë arkivin e pushtetit fashist në qytet. Nuk menduan se me ato dokumente do të nxirrnin krimet e tyre. Me ndryshimin e sistemit u përsërit e njëjta gjë, të ashtuquajturit skraparas dogjën bibliotekën, shkatërruan dhe ç’gjenin përpara! Por Çorovoda pati fat, se në krye të bashkisë zgjodhi një zot të vërtetë për ta rindërtuar katrahurën. Ai njeri që mori përsipër rindërtimin e rrethit e ka emrin Nesim Spahiu. Dhe ai e mbajti fjalën. U rivendos biblioteka me libra të lypura, u rindërtua kinemaja e qytetit. U bënë rrugë të reja, u sistemuan ato ekzistuese. U prish sheshi nga themeli për të bërë një qendër të qytetëruar. U prenë dhe ca rrape, që dukeshin si një njeri me dhëmbë të rëna. Nisën dhe ankesat e shumta, se me atë pamje ishin mësuar. Po kur ai shesh mori pamjen e plotë, të ardhur dhe vendës, ulen një copë herë në cep të tij dhe nuk orientohen dot se ku ndodhen! Është një kombinim i bukur mes gjelbërimit dhe ngjyrave të ballinave të pallateve. 
Çorovoda nuk ka më vetëm një qytet, janë krijuar disa qyteza. TAPI na hapi punë, por dhe po bën punë. Shigjetat u janë drejtuar sërish maleve. Kërkohet një kontratë e re me ta. Përfundoi rruga e Potomit, për të cilën askush në atë zonë nuk kishte parë ndonjë ëndërr kaq të bukur. Përfundoi një rrugë e re, e paimagjinueshme, Fusha e Kadiut, Ura e Gjermanit Sharovë, varrezat publike. Tek Fusha e Çaçit, buzë Osumit, është bërë një qytezë e vogël, që andej nisen tubat e gazit drejt Therepelit e më tutje, nëpër rrugën e rindërtuar me përmasa moderne. Ata që kalojnë në Orizaj, përballë Fushës së Çaçit, do të shikojnë një qytezë tjetër. Atje janë vendosur banesa portative, ku janë strehuar e marrin të gjitha shërbimet rreth 400 veta që ka punësuar TAPI. Nga Hambulla po vazhdon rruga për të mbaruar edhe gjysmën që e lidh Skraparin me Përmetin. Janë rindërtuar disa rrugë fshati dhe vazhdon puna për të tjerat. Është në përfundim rruga Fusha e Kadiut Orizaj, që shkurton dy kilometra rrugë. Nga viti i Ri, udhëtarët do të kalojnë në këtë segment për të shkuar në Berat. Qyteti është lezetosur me ato mure e punë dekorative dhe ka marrë pamjen e duhur. Në bashkinë e Çorovodës, ku nuk ka parti, ka punë. Ka dhe merak se çfarë të reja do t’i servirin popullit të vetë. Nesim Spahiu flet shumë i rezervuar, po puna dhe përpjekjet e tij për të tjera vepra, flasin më shumë. Kjo është shenjë modestie, po e vërteta duhet thënë se i duhet popullit. Bashkia ka projekte të rëndësishme. Drejt qeverisë kanë vërshuar projekte me shumë vlera. Vitin që vjen qyteti i Çorovodës, Çerenishti dhe Sharova do të furnizohen me ujë pa ndërprerje nga ujësjellësi i ri. Një projekt tjetër ka vajtur në qeveri për rindërtimin e rrugës Çorovodë-Tomoricë. Të gjitha synimet janë për të nxjerrë nga izolimi këtë rreth. Lidhja me Korçën dhe Gramshin e Përmetin e çburgos përfundimisht këtë rreth, që ka vite që merr frymë me supe. Ne thamë ato që mundëm të thoshim dhe që janë të garantuara. Ato që ka Nesimi në mend do t’i themi një herë tjetër. Ne jemi të bindur për këto që themi, se Nesimi, edhe pse përfaqësojnë parti të ndryshme, e ka marrë besimin e Kryeministrit. Fakti që Ai i ka dhënë dorën vetëm Nesimit në takimin me kryetarët e bashkive, dhe i ka rezervuar një takim me dëshirën e tij, do të thotë se Kryeministri respekton e vlerëson njerëzit e punës. Edhe pse ne i thamë ato që janë prezent, nga skraparasit e larguar nuk do të pushojë pyetja: “Ç’bëhet andej nga Skrapari?” 
Sigal