Buxheti për vitin 2017/ Luks zyrash me 25 milionë USD, rritje pensionesh me…2.5 milionë USD!

502
Sigal

Nuk do të ketë rritje të ndihmës
ekonomike, por ulje të saj  me pakësim të
numrit të familjeve që trajtohen

 

 

Përparim HALILI

 

Duket qartazi, një shqetësim që duhet frenuar, të paktën duhet minimizuar.
E kemi fjalën për luksin e zyrave qeveritare që po financohet çdo vit në mënyrë
të shfrenuar, madje edhe me ndërhyrje në buxhet në mes të vitit apo më keq
akoma edhe me akordime për luksin e zyrave e të makinave qeveritare prej fondit
të veçantë e të emergjencave, aq sa shpesh milionat  që duheshin paguar për përmbytjet, zjarret,
strehimin social apo ndihmën ekonomike, janë shpenzuar për rikonstruksion
zyrash e blerje pajisjesh, me objekt edhe blerjen e automjeteve luksoze për ministrat!
Fakti është ky: Buxheti për vitin 2017 parashikon luks zyrash me vlerë 25
milionë USD, por rritje pensionesh vetëm me vlerë…2.5 milionë USD! Një
skandal të tillë të parashikuar edhe në buxhetin e vitit 2017 e ka denoncuar opozita
shqiptare, konkretisht selia e PD prej të cilës është publikuar një skandal
tjetër, me autor kryeministrin Edi Rama. Ky skandal financiar që nuk lidhet me
mirëqenien e shqiptarëve, por me luksin e qeveritarëve, bën fjalë për
shpenzimet e planifikuara në buxhetin e ardhshëm për mobilimin e zyrave të
tyre, denoncohet sërish si realitet i përsëritur edhe ne vitet 2014, 2015 e
2016, skandal që po vazhdon në mënyrë të pafrenueshme.

 

Ja deklarata e plotë e kreut të PD-së, Lulzim Basha

 

Edi Rama ka ndarë 25 milionë dollarë për zyra
dhe mobilim zyrash në buxhetin e vitit 2017. Kjo shumë marramendëse për një
vend si Shqipëria i shtohet qindra milionë dollarëve të tjerë të harxhuar këto
tre vjet për fasada, zyra dhe kolltukë nga Edi Rama. Moti i keq i ditëve të
fundit nxori në pah nevojën jetike që ka vendi për investime në infrastrukturë
dhe në mbështetje për njerëzit në nevojë. Pak ditë reshje sollën pasoja
dramatike: qindra hektarë tokë u përmbytën, mijëra familje humbën të mbjellat
dhe gjënë e gjallë nga e cila varet jeta e tyre, qindra shtëpi u bënë te
pabanueshme, zona të tëra mbetën të izoluara dhe pa energji. Por kjo emergjencë
nuk është prioritet i Edi Ramës. Prioriteti i tij i vetëm janë fasadat dhe
kolltukët. Ky që justifikohet kudo, se nuk ka para për shëndetësinë dhe arsimin
ndaj po ua jep privatëve, ka përherë para pa fund për zyrat e tij dhe të
shërbëtorëve të tij. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.

KRAHASIMI

 

Rritja e pensioneve nga data 1 gusht 2016, sa… 2 bukë në
muaj!

 

Qeveria rriti pensionet e pleqërisë në një përqindje, e
cila sipas vlerës së llogaritjes mujore, rezulton, se është një “thërrime”
tallëse me pensionistët që kanë pensione mujore minimale e që faktikisht janë
90% e kësaj kategorie. Në 635 mijë pensionistët që përfitojnë rritjen mujore
1.6%, vetëm 2107 pensionistë janë me pensione mujore maksimale, ndërsa të
tjerët janë me pensione që nuk përballojnë dot as ushqimin minimal jetik të 1
jave, ndërsa për shpenzime shërbimesh të tjera nuk bëhet fjalë. Se sa fuqi blerëse
ka në tregun ushqimor, të energjisë, ujit e trajtimit mjekësor një pension
pleqërie minimal apo edhe mesatar, kjo tashmë dihet, mbasi vlera e tyre është
sa 30-40% e minimumit jetik mujor financiar që i duhet një shqiptari për të
përballuar jetesën në nivel varfërie! Kujtojmë që pensionet u rritën edhe në
muajin korrik 2015 deri në masën 1.3%, ndërsa rritja që nis në datën 1 gusht
2016 është vetëm 1.6% për çdo pension! Sipas llogaritjeve, me rritjen 1.6%,
pensioni maksimal në qytet do të shkojë në 25790 lekë në muaj, pensioni minimal
në qytet do të shkojë 15124 lekë nga 14534 lekë që është aktualisht. Me të
njëjtën masë do të rriten edhe pensionet në fshat.
Ditën e djeshme, qeveria ka njoftuar se ka rritur pensionet me 1.6% duke u
mburrur se po rriten më shumë se vjet që u rritën me 1.3%. Sipas vendimit të
qeverisë, janë 635 mijë pensionistë që u rritet pensioni 1.6% ose më saktë,
sipas llogarive kjo rritje 1.6% për pensionet minimale është e barabartë me 1
kilogram gjizë në muaj, me 2 bukë ose me 6 banane! Rritje tallëse është edhe
për pensionet mesatare, për pensionet e invalidëve, të jetimëve dhe për
pensionet e veçanta. Një fakt: p sh., pensioni i veçantë rritet me 370 lekë në
muaj! Ata që përfitojnë më tepër nga kjo rritje janë pensionet e larta që
marrin deputetët, ministrat, diplomatët etj. ndërsa qeveria rrit pensionet me
1.6%, pensionistët paguajnë energjinë me 25% rritje, paguajnë ilaçet me rritje
30%, paguajnë ujin me rritje 60%, paguajnë taksën e pastrimit me 40% ulje,
paguajnë transportin me 35% rritje, paguajnë trajtimet mjekësore me 150%
rritje, paguajnë ushqimet jetike me 60% rritje. Ndërsa pensioni u rrit me 1.6%,
që për pensionin minimal, do të thotë rritje 180 lekë në muaj. 

Ja  sa lekë shtohen pensionet, nga 1 gushti 2016

 

Pensioni minimal në
qytet

Është 12  mijë e
264  lekë, shtohet 180 lekë

Pensioni maksimal
në qytet

Është 24 mijë e 528 lekë/ muaj, shtohet 360 lekë

Pensioni minimal në
fshat

Është 8398 lekë/muaj, shtohet 120 lekë

 Pensioni maksimal në fshat

Është 12 mijë e 264 
lekë/muaj, shtohet me 180 lekë

 Pensionet e ish-kooperativave    

Është 12  mijë e
264  lekë, shtohet 180 lekë