Bursat, si përfitohet nga programet e shkëmbimit të studimeve universitare

600
Nis zbatimi i marrëveshjes për CEEPUS III, që mundëson “bursa të plota”. Tarifat për çdo kategori për studentë, profesorë, lektorë, docentë e profesorë
Nis zbatimi i marrëveshjes për programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore (CEEPUS III), që do të mundësojë dhënien e bursave për kategori të ndryshme. Programi CEEPUS III mbështet bashkëpunimin ndëruniversitar në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, shkëmbimin e studentëve, të stafit akademik dhe kërkuesve shkencorë ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë pjesëmarrëse të vendeve anëtare në këtë program. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR), në bazë të fondeve buxhetore, i garanton Komitetit të Përbashkët të Ministrave CEEPUS kuotat e saj për çdo vit të ardhshëm akademik. Sipas marrëveshjes, MASR-ja i transferon Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) fondet përkatëse për programin CEEPUS, në përputhje me kuotat e parashikuara për të cilat është njoftuar Komiteti i Përbashkët i Ministrave CEEPUS.
Bursat CEEPUS III janë bursa “të plota”, të cilat mbulojnë shpenzimet e jetesës, tarifat universitare për të cilat nuk është parashikuar përjashtimi i tyre në marrëveshje, akomodimin dhe sigurimin shëndetësor bazë, kur kjo zbatohet në vendin pritës. Bursat CEEPUS III janë në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe me koston e jetesës në vendin pritës. Sipas udhëzimit, nëse kuotat e parashikuara për shkëmbimet e studentëve dhe të stafit akademik nuk janë shpenzuar, ato mund të përdoren edhe për bursat freemovers (aplikime jashtë rrjeteve CEEPUS). Miratimi i bursave freemovers bëhet mbi të njëjtat kritere si për bursat e zakonshme CEEPUS. Gjithashtu, fondet e miratuara për një vit akademik, të pashpenzuara apo të kursyera në fund të vitit financiar/akademik, në bazë të ligjit, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë”, transferohen për vitin e ardhshëm financiar/akademik për të njëjtin qëllim. Fondet CEEPUS të pashpenzuara gjatë një viti akademik mund të përdoren edhe për takimet koordinuese ndërmjet rrjeteve.
Kriteret dhe procedurat
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ngarkon Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) me zbatimin e programit CEEPUS III në Shqipëri, e cila do të luajë rolin e Zyrës Kombëtare CEEPUS (ZKC) dhe ka përgjegjësitë e mëposhtme:

a) të promovojë programin CEEPUS, të informojë institucionet e arsimit të lartë (IAL) dhe të këshillojë të gjithë të interesuarit mbi programin, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Qendrore CEEPUS dhe zyrat kombëtare CEEPUS të vendeve anëtare;

b) të ndihmojë IAL-të dhe studentët gjatë aplikimit online, duke ofruar informacion dhe këshillim mbi mënyrën dhe procedurat e aplikimit, si për anëtarësim në një rrjet CEEPUS, ashtu dhe për shkëmbime individuale;
c) të caktojë një punonjës të agjencisë, si pike kontakti për programin (National CEEPUS Office), i ngarkuar me administrimin online të programit CEEPUS; në përputhje me vendimin unanim të Komitetit të Përbashkët të Ministrave CEEPUS, zyrtar i lartë i programit CEEPUS (Senior Official) caktohet një nëpunës i nivelit të lartë, i autorizuar nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, rast pas rasti, për të kryer funksionet e zyrtarit të lartë të programit CEEPUS;

d) ZKC-ja të miratojë apo të refuzojë aplikimet për rrjet apo/ose anëtarësim në rrjet bazuar në sistemin e përbashkët të vlerësimit online CEEPUS;
e) në bashkëpunim me koordinatorët e departamenteve/fakulteteve/IAL-ve shqiptare, anëtare në rrjetet CEEPUS, ZKC-ja të vlerësojë, të pranojë, të miratojë dhe/ose të refuzojë aplikimet online për shkëmbime (mobilitete) nga studentë, pedagogë, studentë të diplomuar që aplikojnë për trajnim praktik në ndërmarrje tregtare, mjedise kërkimore ose në institucione qeveritare në Shqipëri, studentë për studime të rregullta semestrale, studentë të regjistruar/të pranuar në një institucion të arsimit të lartë anëtar në rrjetet CEEPUS III, edhe për ata të cilët janë pranuar nga fakultete/departamente jashtë rrjeteve CEEPUS III (Freemovers). Në aplikimet për mobilitete duhen vlerësuar fushat prioritare të shkencës të miratuara nga qeveria shqiptare, fushat e studimit dhe motivimi i kandidatit, bashkëpunimi i deritanishëm me fakultetin/departamentin pritës etj.;
f) çdo institucion i arsimit të lartë, fakultet, departament i IAL-ve shqiptare që merr pjesë në një apo disa rrjete CEEPUS, duhet të përcaktojë një koordinator për programin CEEPUS dhe t’ia njoftojë atë AKKSHI-së/ZK CEEPUS, e cila krijon bazën e të dhënave me koordinatorët CEEPUS në IAL; çdo koordinator CEEPUS në institucionin e arsimit të lartë, fakultet apo departament, duhet të ndihmojë studentët dhe pedagogët e huaj që pranohen në kuadër të programit CEEPUS, gjatë qëndrimit në Shqipëri për detaje teknike/logjistike që mund të lindë nevoja;
g) t’i paguajë bursat CEEPUS kandidatëve të përzgjedhur fitues; AKKSHI u paguan studentëve fitues të bursës CEEPUS shpenzimet e fjetjes deri në 5 mijë lekë në muaj, në rastet kur ata nuk akomodohen në mjediset e shoqërisë së trajtimit të studentëve sh.a., sipas kohës së përcaktuar në bursën e miratuar, bazuar në tarifat e vendosura nga Këshilli Mbikëqyrës i Ndërmarrjes së Trajtimit Studentor; për stafin akademik të listuar në shtojcën bashkëlidhur, shpenzimet e akomodimit përfshihen në bursën e miratuar; studentët dhe pedagogët fitues të bursave CEEPUS, në rastet kur ata nuk akomodohen në mjediset e ndërmarrjes së trajtimit studentor sh.a., duhet të kujdesen vetë për gjetjen e vendit të akomodimit, kur është e nevojshme edhe me ndihmën e koordinatorit të institucionit të arsimit të lartë/fakultetit pritës në Shqipëri; në përputhje me ligjin nr. 25/2016 të sipërcituar, programit të punës CEEPUS III dhe rregullave të procedures CEEPUS, si dhe legjislacionit shqiptar në fuqi për veprimet financiare, AKKSHI duhet t’ia paguajë bursën CEEPUS kandidatit të pranuar, duke përdorur mënyra sa më lehtësuese për pedagogët dhe studentët e huaj.
h) të sigurojë që kandidatët, të cilët kanë përfituar bursa CEEPUS III, të plotësojnë online raportimin, siç është vendosur njëzëri nga Komiteti i Përbashkët i Ministrave CEEPUS;
i) bazuar në thirrjen e Zyrës Qendrore CEEPUS, të kryejë njëherë në vit online përcaktimin e IAL-ve shqiptare publike dhe jopublike që kanë të drejtë të përzgjidhen (eligible institutions) në programin CEEPUS III, pas këshillimit përkatës në formë elektronike me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; ndryshime në listën e IAL-ve, që mund të përzgjidhen, nuk mund të bëhen gjatë vitit akademik;

j) gjatë mbledhjes së Komisionit Ndërkombëtar (International Commission), Zyra Kombëtare CEEPUS (ZKC) kryen online shpërndarjen e bursave, sipas kërkesave të rrjeteve pjesëmarrëse; pas kësaj, ZKC-ja njofton të gjitha IAL-të shqiptare publike ose jopublike pjesëmarrëse në rrjetet CEEPUS III, për kuotat e përcaktuara për secilin prej tyre;
k) të kontraktojë, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, ekspertë të jashtëm për vlerësimin e programit, të bashkërendojë punën me ta e të njoftojë MASRnë për rezultatet e vlerësimit të tyre;

l) të marrë pjesë aktive në mbledhjet që organizohen nga Zyra Qendrore CEEPUS dhe të zbatojë vendimet që merren në to;
m) të ndihmojë në pjesëmarrjen e ministrit apo të përfaqësuesve të ministrisë të autorizuar prej tij, në takimet e Komitetit të Përbashkët të Ministrave CEEPUS dhe mbledhjet e tjera që organizohen për mbarëvajtjen e këtij programi;

n) të kryejë vlerësimin kombëtar të programit dhe të ndihmojë në vlerësimin e përgjithshëm të tij, sipas rastit dhe sipas kërkesës së Zyrës Qendrore CEEPUS;
o) të hartojë raportin vjetor mbi zbatimin e programit CEEPUS në Shqipëri dhe t’ia paraqesë atë MASR-së.


Sigal