Burg për 41 prej 50 protestuesve të arrestuar

506
Sigal

Prokurororia kërkoi masën ”arrest me burg” për 41 prej 50 protestuesve të arrestuar në protestën e opozitës më 11 maj. Ndërsa kërkoi masën ”detyrim paraqitje” për 9 prej tyre, që janë në moshën 19-vjeç.

50 personat e arrestuar dolën sot në orën 10:00 para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së sigurisë. Mësohet se policia ka marrë masa për ruajtjen e ambjenteve të gjykatës dhe shmangien e incidenteve.

Protestuesit e arrestuar akuzohen për kryerjen e veprave penale “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Ndërkohë 34 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për të njëjtën ngjarje.

Policia bëri të ditur se janë 16 efektivë të saj të cilët janë plagosur “nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave Molotov”.