Bujqësia, 147 ha tokë bujqësore nxirren në ankand

712
Ministria publikon sipërfaqet shtetërore që do të jepen me qira në Pogradec, Lushnje, Fier e Berat
Ministria e Bujqësisë është përfshirë në një proces intensiv të dhënies së tokave me qira. Modeli i dhënies me qira të tokës shtetërore që do të vihet në dispozicion të privatëve për ferma kafshësh apo bimësh, ka filluar të aplikohet tre vitet e fundit, por muajt e fundit, numri i ankandeve dhe sipërfaqet e dhëna janë rritur dukshëm. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, të siguruara nga “Monitor”, nga mesi i korrikut deri më 18 gusht do të organizohen ankandet që synojnë të japin 147 hektarë tokë bujqësore kundrejt shfrytëzimit me qira, kryesisht në zonën e Pogradecit, Lushnjës, Fierit dhe Beratit. Sipërfaqja më e madhe prej 52 hektarësh, e cila tashmë ka dalë në ankand, ndodhet në fshatin Petrushë, në njësinë Administrative të Çerravës në Bashkinë e Pogradecit.

Ministria e Bujqësisë lajmëron se vlera fillestare e qirasë së tokës bujqësore në pronësi të shtetit për hapjen e procedurës konkurruese është 380,448 lekë në vit. Ofertat me vlerë më të ulët se kjo vlerë fillestare do të skualifikohen. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është më 18 gusht. Po në këtë datë, në të njëjtat orare, pranohen ofertat për një sipërfaqe prej 31 hektarësh në fshatin Gurras të Njësisë Administrative Buçimas në Bashkinë Pogradec. Vlera fillestare e qirasë së tokës bujqësore për hapjen e procedurës konkurruese është 244,140 lekë në vit.

Një ankand tjetër është në proces për të dhënë 22 hektarë sipërfaqe tokë bujqësore në fshatin Agim, në njësinë Administrative Libofshë të Rrethit të Fierit. Vlera fillestare e qirasë është 361,214 lekë në vit.

Katër ankande të tjera që i korrespondojnë një sipërfaqeje prej 41 hektarësh janë planifikuar të zhvillohen përgjatë këtij muaji. Sipërfaqet gjenden në zonat e Beratit, Fierit dhe Korçës dhe Spitallës në zonën e Durrësit. Edhe muajin e kaluar, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Ministria e Bujqësisë shtoi ritmin e dhënies me qira të tokave bujqësore, përgjatë muajit qershor dhe ditëve të para të korrikut startuan ankandet për 131 hektarë tokë të shpërndara në Lushnjë, Pogradec dhe Cërrik.
Sigal