Bordi i Transparencës, një shpikje e re alla shqiptare

293
Sigal

Prof.Dr. Alqi Naqellari: Rritja e çmimeve ka filluar gjatë pandemisë, kur lufta në Ukrainë nuk kishte filluar. Populli shqiptar nuk po mbrohet nga qeveria por përkundrazi, ajo po e zhvat, si asnjë popull tjetër i Ballkanit, edhe pse jemi më të varfërit e Europës. Bordi përcakton, pa kurfarë kriteri çmimet, nga karburantet e deri te mallrat ushqimore me qëllimin e vetëm mbushjen e buxhetit çdo muaj me 200 milionë euro

 

Rritja galopante e nivelit të çmimeve ende vazhdon. Ajo ka filluar që në vitin 2020, në periudhën e pandemisë, kur lufta në Ukrainë nuk kishte filluar dhe vazhdon ende sot, por me ritme më të shtuara. Arsyeja sipas qeverisë dhe një pjese të “analistëve” është lufta në Ukrainë dhe pasojat negative të saj në ekonomi. Në fakt nëse i referohemi ndikimit të saj në ekonominë shqiptare shikojmë se nuk kanë ndonjë ndikim direkt dhe të dukshëm, duke përjashtuar vajin e lulediellit, i cili fare mirë mund të zëvendësohet me zëvendësuesa të afërt, që mund të sigurohen nga vende të tjera që janë larg vendeve ndërluftuese. Çmimet janë rritur me dy shifra 20% deri në 50% në ushqime dhe pije joalkolike, me dy shifra në energji, karburante, qira banese etj. Në grupet e tjera janë rritur deri në 10%. Ka fare pak mallra çmimet e të cilave nuk kanë ndryshuar, edhe çmimi çimçakizave është rritur 20%, i ujit 20%, i çakmakëve 20%, i paketave që nuk kanë lidhje fare me pasojat e luftës. Janë rritur deri edhe çmimet e lakrave të egra. INSTATI deklaron se inflacioni është rritur 5.7%, kur me sy dhe me xhep është rritur jo më pak se 10%. Nga një llogaritje e thjeshtë që bëra në një shkrim po në “Telegraf” ku i kërkova INSTAT t’i bënte transparente llogaritjet, rezultonte rreth 9%. Si ka mundësi që vendi më i varfër i Europës dhe nga më të varfërit në botë, vend jo prodhues, por thjesht importues e ka inflacionin 5.7% kur Europa e ka inflacionin mesatar 7.5%, Anglia 5.5%, Turqia mbi 20% etj? Arsyeja qëndron në përcaktimin e gabuar të strukturës së shpenzimeve të shportës së konsumit. Në këtë shportë janë ulur grupet kryesore të shpenzimeve, që realizojnë familjet shqiptare dhe janë rritur ato grupe që nuk shpenzojnë, në këtë mënyrë inflacioni nuk rritet. Grupi i parë “Ushqime dhe pije jo alkolike sipas INSTAT-it zë 35% të shpenzimeve, në një kohë që në 1993 zinte 72%. Sot nëse marrim strukturën e popullsisë, përqëndrimin e saj, pjesa më e madhe përbëhet nga familje të varfëra që shpenzimet kryesore të tyre i bëjnë për ushqime dhe pije jo alkolike. 32% e shqiptarëve futen në grupin e të varfërve, rreth 700 mijë janë pensionistë me një pension mesatar rreth 15500 lekë në muaj që do të thotë në nivelin e varfërisë. Atëherë si e ka llogaritur INSTAT-i se vetëm 35 lekë nga 100 lekë harxhohen për ushqime e pije jo alkoolike? Këto shtresa shoqërore që unë përmenda harxhojnë jo më pak se 65-70% të shpenzimeve për këtë grup. Përzgjedhja e familjeve tipike urbane është e rëndësishme, sepse këta pensionistë janë minimalisht anëtarë të 350 mijë familjeve. Përzgjedhja e numrit të dyqaneve duhet të përqëndrohet thuajse 50 me 50% për zonën Tiranë-Durrës dhe Fier me gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë, sepse 53% e popullsisë është rezidente në këtë zonë. Çmimet më të larta i kanë pikërisht zonat e zhvilluara dhe jo zonat e varfëra. Nuk mund të krahasohen çmimet në Memaliaj, në Dibër apo Kukës me nivelin e çmimeve në Tiranë e Durrës.

Si ka mundësi që vendi më i varfër i Europës dhe nga më të varfërit në botë, vend jo prodhues, por thjesht importues e ka inflacionin 5.7% kur Europa e ka inflacionin mesatar 7.5%, Anglia 5.5%, Turqia mbi 20% etj? Arsyeja qëndron në përcaktimin e gabuar të strukturës së shpenzimeve të shportës së konsumit. INSTATI deklaron se inflacioni është rritur 5.7%, kur me sy dhe me xhep është rritur jo më pak se 10%…

INSTATI duhet ta rishikojë strukturën e shportës së Indeksit të çmimeve të Konsumit. Përse nuk e bën? Nuk e bën sepse inflacioni do rezultojë dyshifror. Një inflacion dyshifror nuk mund të indeksohet dot nga qeveria shqiptare. Nëse do indeksonte pensionet me 10% atëhere do ishte njësoj sikur të shtohej numri i pensionistave me 70 mijë. Me skemën e dështuar të pensioneve, shpenzimet do t’i mbulonte buxheti. Po a ka mundësi ky buxhet t’i mbulojë këto shpenzime, në një kohë që merr çdo vit borxh për të shlyer borxhet? Përgjigja është jo, prandaj edhe qeveria shikon si “minimum jetik” 130 apo 140 euro duke e mbajtur inflacionin në kuota të vogla, që nuk shprehin të vërtetën e tregut shqiptar.

Reagimi i qeverisë shqiptare ndaj inflacionit galopant.

Qeveria shqiptare, ndryshe nga një pjesë e ekonomistëve të paanshëm rritjen e çmimeve ja dedikoi luftës në Ukrainë dhe jo edhe punës së saj të keqe dhe ineficiente, amatorizmit ekstrem dhe paaftësisë.Aq të dijshëm ishin këta qeveritarë në fushën e ekonomisë saqë nuk e dinin se në kapitalizëm shteti ndërhyn në treg, me çmime tavan, për të mbrojtur konsumatorin nga konkurenca e pandershme, për të mbrojtur bizneset me çmime dysheme, duke ulur taksat, duke rritur subvencionet dhe transfertat e pagesave. Këta harrojnë që ishte qeveria amerikane e Trampit ajo që ju akordoi konsumatorëve dhe bizneseve mbi  tre mijë milliard dollarë në periudhën e sars covid-19. Harojnë mijra miliardat e eurove që hodhi Europa duke mbajtur në këmbë bizneset e ekonomisë reale dhe konsumatorin! Ndërhyrjen në treg e dinin se ishte atribut i sistemit socialist.Nuk dinin gjë për çmimet tavan dhe dysheme, për subvencionet, por dinin shumë mirë të shtonin numrin dhe ritnin normën e taksave indirekte.

Unë do t’i pyesja: Po taksat a nuk janë ndërhyrje e qeverisë në treg? A nuk janë ndërhyrje e jashtme mbi nivelin e çmimeve? Ato përbëjnë ndërhyrje, shpesh brutale mbi ekuilibrin e tregut, në veçanti në Shqipëri, që taksat mbi konsumin janë kryesoret dhe nuk janë taksat mbi kapitalin dhe prodhimin. Mbrohet “turizmi” me 6% TVSH dhe sektorë të tjerë, që nuk kanë kurrfarë rëndësie për ekonominë tonë pavarësisht se kanë vite, që trumbetohen se janë e ardhmja e ekonomisë shqiptare. Përcaktimi i gabuar i drejtimeve prioritare, i të famëshmit “turizëm” që do shpëtonte Shqipërinë i ka sjellë një dëm të pariparueshëm ekonomisë. Heqja dorë nga prioritetet reale si energjia, karburantet, industria nxjerrëse e përpunuese, bujqësia kanë dhënë pasojat e tyre negative, që po i vuan sot qytetari shqiptar.

Ky Bord përcakton, pa kurfarë kriteri çmimet e disa artikujve duke filluar nga karburantet e deri te mallrat ushqimore. Kjo ndërhyrje, ka bërë që buxheti të mbushet çdo muaj me nga 180 apo 200 milionë euro.Tregëtarëve u zbritet një pjesë e ulët e fitimeve por nuk  u hiqet apo të ulet ndonjë taksë përkohësisht deri në stabilizimin e situatës.

Qeveria shqiptare, nuk morri shembull nga vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Greqia që u futën jo vetëm me çmime tavan por hoqën përkohësisht edhe një grup taksash për të lehtësuar konsumatorët nga rritja e çmimeve.

Qeveria shqiptare, nuk mori në konsideratë mendimet e pedagogëve të ekonomisë për teknikën e vendosjes së çmimeve tavan dhe eksperiencën e qeverisë shqiptare të viteve ’93, në përcaktimin e çmimeve të shportës, çmime që u mbajtën përmbi 10 vjet. Ajo shpiku Bordin e Transparencës njësoj si Programin e Rezistencës, njësoj si Bashkëqeverisja, njësoj si Këshillimi Kombëtar etj. Ky Bord Transparence, vetëm transparent nuk është, sepse askush nuk e di se cilët janë anëtarët e tij, askush nuk e di se a kanë njohuri këta njerëz mbi çmimet tavan dhe dysheme, kur vendosen, si vendosen dhe sa kohë do zgjasin? Këto pyetje janë fare normale, sepse derisa i pari prej tyre, megjithë këshilltarët e tij nuk e dinë që shteti në kapitalizëm ndërhyn në ekonomi atëhere të lind dyshimi se edhe këta nuk kanë ndonjë njohuri mbi përdorimin e këtyre instrumenteve. Dhe që këta njerëz nuk dinë gjë mbi këto instrumenta e tregon edhe puna e deritanishme e Bordit të Transparencës.

Ky Bord përcakton, pa kurfarë kriteri çmimet e disa artikujve duke filluar nga karburantet e deri te mallrat ushqimore. Kjo ndërhyrje, prej rritjes abuzive të një pjese të këtyre çmimeve ka bërë që buxheti të mbushet çdo muaj me nga 180 apo 200 milionë euro.Tregëtarëve u zbritet një pjesë e ulët e fitimeve të tyre në një kohë që nuk hiqet apo të ulet ndonjë taksë përkohësisht deri në stabilizimin e situatës. Popullit i mbetet t’i përballojë të dyja bashkë, taksat e pandryshuara dhe fitimin e bizneseve. Pra populli shqiptar gjendet përpara trysnisë së qeverisë së tij që jo vetëm nuk po e mbron, por përkundrazi, po e zhvat, si asnjë popull tjetër i Ballkanit, edhe pse është populli më i varfër i Europës, me hendekun më të madh të shpërndarjes së të ardhurave për frymë, me koeficient Gini 0.516, nga më të mëdhenjtë në botë.

Bordi vendos çmime fikse për karburantet. Këto çmime janë një shpikje alla shqiptare, sepse mund të jenë gjithçka, por vetëm çmime tavan nuk mund të jenë. Çmimet tavan kanë natyrën jo më i madh se ky çmim i vendosur, por më ulët mund të vendosësh pa kufizim, nuk vendosen një herë në disa ditë dhe nuk lidhen me ndryshimet ditore të bursës. Këto çmime nuk janë as çmime reference siç i quajnë shpesh “analistët” e të tjerë. Çmimet e referencës merren në konsideratë në Dogana për llogaritjen e TVSH-së që do ngarkohet malli dhe nuk kanë lidhje me këtë përcaktim. Nëse ky Bord apo “ekspertët” e tjerë konsiderojnë çmime reference çmimet e tregut maqedon atëhere i takon që çmimet në Shqipëri të ulen me 30-40%.

Popullit i mbetet t’i përballojë të dyja bashkë, taksat e pandryshuara dhe fitimin e bizneseve. Pra populli shqiptar gjendet përpara trysnisë së qeverisë së tij që jo vetëm nuk po e mbron, por përkundrazi, po e zhvat, si asnjë popull tjetër i Ballkanit, edhe pse është populli më i varfër i Europës,

Çfarë tregoi vendosja e çmimeve të karburanteve nga Bordi Transparencës? Tregoi se vendosja e çmimeve nuk merr në konsideratë stokun që kanë firmat gjendje në depozitat e tyre, por vendosin çmimet sipas luajtjes së tyre në Bursë pa marrë parasysh se me çfarë çmimi janë importuar karburantet. Bordi prek një pjesë të vogël të fitimit duke bërë që çmimet të mos kenë ndonjë ndryshim të madh nga mosndërhyrja e tij. Ky ndryshim i vogël tregon për strukturën e formimit të çmimit të karburanteve. Me këtë strukturë nuk mund të vendosen çmime tavan, por duhet të ndërhyjë AK-ja me gjoba për konkurencë të pandershme, nëse ka apo jo. Pjesa kryesore e çmimit të karburanteve formohet nga taksat e vendosura nga qeveria, kështu që nëse kërkohet të vendoset çmim tavan ky çmim duhet të preki jo vetëm një pjesë të fitimit të firmave, por edhe një pjesë të taksave të vendosura nga qeveria. Nëse sot çmimi është 230 lekë litri, 10 lekë për litër ulet prej fitimit të pronarit dhe 50 lekë për litër duhet të jetë ulje e taksave. Pra çmimi tavan sot duhet të jetë 170 lekë. Struktura e taksave në karburante është tërësisht abuzive duke ndikuar negativisht në një sërë sektorësh të tjerë të lidhur siç është sektori i transportit, apo sektorët e tjerë ku si lëndë e parë përdoret karburanti. Pasojat negative vijnë zinxhir, sepse edhe këta sektorë janë të lidhur me sektorë të tjerë prodhues, me sektorë përpunimi e tregëtimi. Janë të lidhur drejtpërdrejt me bujqësinë e tregëtinë, me “turizmin” që propagandohet si shpëtim i ekonomisë shqiptare.

Po si zgjidhet ky problem kur qeveritari i parë deklaron se jo 20 mijë, por edhe 200 mijë të mblidheni në protestë poshtë zyrës, unë nuk i ul taksat. Kush është ky dhe ku e gjen këtë siguri që i kundërvihet një populli të tërë? E duan votuesit? Qeveritarët dhe deputetët pretendojnë se janë votuar masivisht. Në fakt nuk është kështu, ata kanë marrë minimumin e minimumeve, 48% pjesëmarrje dhe kanë marrë 48% të votive, që i takon më pak se 25% të zgjedhësve kanë votuar për këta njerëz. Një njeri dhe Partia që përfaqëson, i shkëputur nga realiteti, i shkëputur nga populli, që i synon të gjitha pushtetet nuk meriton të vazhdojë të qeverisë.

Përfundimisht Bordi i Transparencës është një shpikje e re alla shqiptare ashtu si Bashkëqeverisja, Këshillimi Kombëtar e të tjera që po e varfërojnë çdo ditë e më shumë këtë popull të pafat.