Shkoi në QSUT për dhimbje barku: E reja nuk e dinte që ishte shtatzënë dhe lind fëmijën në tualet

174
Sigal

Janë të rralla rastet kur një grua nuk është në dijeni të shtatzënisë, por jo të pamundura. Një vajzë rreth të 20-ave shkoi në Urgjencën Polivalente të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për shkak se kishte dhimbje barku, por rezultoi që ishte shtatzënë.

Sipas burimeve të Shoqatës së Infermierëve, e reja kishte deklaruar se kishte dhimbje të forta barku dhe fryrje të barkut, ishte drejtuar për në urgjencë dhe i ishte drejtuar tualetit të urgjëncës. Pak minuta më vonë, ajo lindi fëmijën në ambientet e tualetit.

Shoqata e Infermierëve njofton se pas ndihmës së dhënë aty, ajo bashkë me foshnjën është shoqëruar në ambientin e sallës së kirurgjisë ku është dhënë edhe trajtimi i mëtejshëm. Nëna dhe foshnja u transportuan në ambientet e maternitetit.

Sipas burimeve, mjekët kishin mbetur të habitur pasi nëna kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni të një shtatzënie.

Ky nuk është rasti i parë i lindjeve pa qenë në dijeni të shtatzënisë. Mjekët në Shqipëri dhe në botë janë hasur me raste të tilla, më të rralla, por jo të pamundura. Në vitin 2018, një grua nga Durrësi kishte dhimbje barku dhe kërkoi ndihmë të menjëhershme. Pas kontrollit të mjekëve rezultoi se ishte shtatzënë dhe gati për të lindur.